Kërko

Kherson Kherson

Ipeshkvi i Odesës: “Rusia synon të na shkatërrojë, do që Ukraina të mos ekzistojë më”

Dëshmia, që jep për agjencinë e lajmeve kishtare SIR, imzot Stanislav Szyrokoradiuk, ipeshkëv i dioqezës katolike të Odesa-Simferopolit, nën juridiksionin e së cilës bie qyteti i Khersonit, përmbytur në të dyja brigjet e lumit Dnipro, pasi u hodh në erë nga rusët diga Nova Kakhovka

R.SH. – Vatikan

         “Po bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar dhe për t’i shpëtuar njerëzit, por kjo është ndoshta katastrofa më e madhe, që kemi përjetuar deri më sot. Sulmi kundër digës është akt, që mund ta bëjë vetëm djalli, jo njeriu. Është rezultati dramatik i një plani djallëzor, që dëshiron ta godasë dhe ta shkatërrojë vendin tonë. Rusët po veprojnë që Ukraina të mos ekzistojë më. Është luftë e tmerrshme dhe e vetmja rrugë e mundshme tani është ta çlirojmë gjithë territorin”. Kjo është dëshmia, që jep për agjencinë e lajmeve kishtare SIR, imzot Stanislav Szyrokoradiuk, ipeshkëv i dioqezës katolike të Odesa-Simferopolit, nën juridiksionin e së cilës bie qyteti i Khersonit, përmbytur në të dyja brigjet e lumit Dnipro, pasi u hodh në erë nga rusët diga Nova Kakhovka.

Uji nëpër fshatra vazhdon të shtohet

         “Fatkeqësisht janë prekur shumë e shumë njerëz”, pohon ipeshkvi. “Uji nëpër fshatra vazhdon të shtohet. Më se 2.000 vetë janë shpërngulur nga zona e së paku 20.000 shtëpi private janë krejtësisht të zhytura në ujë. Situata është e rëndë dhe aktualisht, vështirë të parashikohen pasojat ekonomike dhe ekologjike të tragjedisë. Kisha lokale po përpiqet të ndihmojë. Në Mykolaiv, qytet 60 kilometra larg Khersonit, është ngritur një qendër për të pritur njerëzit më problematikë, të sëmurë dhe të moshuar, që kanë humbur shtëpitë. Tani po mendojmë edhe si t’i strehojmë njerëzit në Odesë, ku mbërrijnë vazhdimisht". Edhe Krimea i përket dioqezës së Odesës.

Kemi nevojë për ndihmë materiale

         “Kemi një ipeshkëv ndihmës në Simferopol, ku ka shumë famulli”, vijon imzot Szyrokoradiuk. “Nuk kam marrë ende ndonjë njoftim për probleme. Ka ende ujë të mjaftueshëm për të jetuar. Por më vonë, ndoshta, nuk do të ketë më ujë, prandaj, qytetarët janë të shqetësuar”. “Kemi nevojë sidomos për lutje, e cila është shumë e rëndësishme për ne”, nënvizon ipeshkvi françeskan. “E, kemi nevojë për ndihmë materiale, që t'i mirëpresim këta njerëz. Për ushqim dhe veshmbathje, sepse njerëzit kanë ikur me ngut nga shtëpitë e tyre dhe u mungon gjithçka”.

"17 vende, ku janë torturuar martirët tanë”

         Gjithashtu, imzot Szyrokoradiuk komenton misionin e paqes të Vatikanit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën: “Shpresojmë, por shpresa është shumë e paktë. Nuk mund të flasim për paqe me Rusinë dhe presidentin Putin, vetëm lutja do të na shpëtojë. Ne e dimë se shumë njerëz po luten për ne dhe ne po lutemi për njerëzit tanë. Mbi të gjitha le të lutemi që të mos humbasim shpresat”. Së fundi, ipeshkvi tregon për vizitën e tij në Kherson, të dielën e kaluar. "Khersoni është krejt i shkatërruar tashmë", deklaron ai. “Ashtu si në Buçë, edhe në këtë qytet u gjetën 17 vende, ku janë torturuar martirët tanë”.

09 qershor 2023, 16:50