Kërko

Un'immagine di Tallinn, capitale dell'Estonia, che ospita l'Assemblea generale della CEC dal 14 al 20 giugno Un'immagine di Tallinn, capitale dell'Estonia, che ospita l'Assemblea generale della CEC dal 14 al 20 giugno

Në Estoni, Kishat e Evropës diskutojnë për rolin e tyre në kontinent

Janë të rinjtë e kishave të krishtera, që bëjnë pjesë në Konferencën e Kishave evropiane (CEC), ata që e hapën veprimtarinë, e cila po mbahet sivjet në Talin, kryeqytet i Estonisë. Ndër temat e rendit të ditës: e ardhmja e kontinentit dhe kontributi i kishave për paqen, mbrojtjen e mjedisit dhe drejtësinë shoqërore. Dy sesione do t'i kushtohen luftës në Ukrainë. Ndërmjet relatorëve, Patriku Ekumenik Bartolomeu dhe Kryeipeshkvi anglikan Williams

R.SH. - Vatikan

Asambleja e Përgjithshme e Konferencës së Kishave Evropiane (CEC), e cila mbahet çdo 5 vjet, nisi sot, 14 qershor, në Talin, kryeqytet i Estonisë.  Punimet sivjet organizohen nga Kisha Ungjillore Luterane Estoneze dhe Kisha Ortodokse e Estonisë. "Nën bekimin e Zotit për të plazmuar të ardhmen" është tema.

Rast për të reflektuar për dëshminë e Kishave në Evropë

Punimet, që do të përfundojnë më 20 qershor e që parashikojnë edhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues, mund të ndiqen në kanalin e CEC. “Asambleja – shpjegon kryetari i Konferencës, Christian Krieger - do të jetë çast domethënës lutjeje, bashkimi dhe reflektimi për jetën dhe dëshminë e Kishave në Evropë". Për sekretarin e përgjithshëm, Jørgen Skov Sørense, takimi "është mundësi për t'u njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe për të reflektuar mbi thellësinë historike e shpirtërore  të fesë sonë të përbashkët". "Nëse kishat në Evropë bashkohen, do të jemi në gjendje ta përhapim dhe ta mbështesim më mirë vizionin e lirisë dhe të përgjegjësisë, siç propozon tema e Asamblesë", deklaron i Nderuari Anders Gadegaard, anëtar i Këshillit Drejtues të CEC, i Kishës Ungjillore Luterane në Danimarkë dhe Kryetar i Komitetit të Planifikimit të Asamblesë.

Ambienti dhe drejtësia shoqërore

Vëmendje e madhe i kushtohet çështjes ambientale dhe temave të pabarazisë sociale në Kontinentin e Vjetër. "Në një kohë - shton Gadegaard - në të cilën konsumi i tepërt i burimeve kërcënon ekzistencën e planetit, ku hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve po zgjerohet dhe ndjenja e tepruar kombëtare dobëson vëmendjen ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmë në pjesë të tjera të botës ( …). Kishat Evropiane bëjnë thirrje për veprim e guxim edhe përmes temës së takimit: “Nën bekimin e Zotit – të plazmojmë të ardhmen”.

Ndërmjet relatorëve, Patriku Bartolomeu dhe Kryeipeshkvi Uilliams

Katër, fjalimet kryesore që do të mbahen gjatë javës në Talin: më 15 qershor pritet ai i Svietlana Tsikhanouskaya, prijëse kombëtare e opozitës në Bjellorusi, që nga gushti 2020 në mërgim, simbol i luftës paqësore për demokraci. Tsikhanouskaya do të flasë për rolin e Kishave në shoqërinë evropiane. Me datën 16 do të ndiqet sociologu dhe politologu gjerman, profesor Hartmut Rosa, që do të mbajë një fjalim mbi kontekstin sociologjik të Evropës. Të shtunën, më 17 qershor, Rowan Williams, kryeipeshkëv anglikan i Canterbury-t deri në vitin 2012, do të ofrojë një reflektim mbi kontributin teologjik të të krishterëve në shoqërinë bashkëkohore evropiane. Më në fund, të dielën më 18 qershor, patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, do të  flasë për të ardhmen e rrugës ekumenike në Evropë.

Lufta në Ukrainë dhe protagonizmi i të rinjve

Vëmendje e veçantë gjatë kuvendimit, do t'i kushtohet dramës së luftës në Ukrainë dhe angazhimit të të krishterëve për paqe dhe mbështetje materiale e shpirtërore të viktimave të konfliktit. Dy sesione do t'i kushtohen konfliktit në vijim. Do të pasqyrojnë rolin e të krishterëve lidhur me dhunën dhe konfliktet e, sidomos, lidhur me përgatitjen për paqen, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kishave të ndryshme të Ukrainës, Polonisë, Gjermanisë dhe Lituanisë. Protagonistë të dy ditëve të para të Kuvendit do të jenë të rinjtë, me synimin për të vënë dukje kontributin dhe nevojën e pranisë së tyre gjithnjë e më aktive në jetën e bashkësive vendase, për të përvijuar të ardhmen e Evropës.

 CEC, që nga viti 1959, në përpjekje për pajtim dhe paqe

Në Konferencën e Kishave Evropiane (CEC) bëjnë pjesë 113 Kisha Ortodokse, Protestante, Anglikane dhe veterokatolike nga e gjithë Evropa, si dhe më shumë se 40 Këshilla Kombëtare të Kishave dhe organizata partnere. Konferenca u themelua në vitin 1959, rreth dhjetë vjet pas tragjedisë së Luftës II Botërore, për të kontribuar në pajtimin dhe paqen në kontinent, nëpërmjet dialogut dhe miqësisë ndërmjet besimeve të ndryshme të krishtera. Sot përfaqëson mbi 380 milionë qytetarë evropianë në kontinent. Kisha Katolike, megjithëse nuk është anëtare e CEC, bashkëpunon nëpërmjet Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve të Evropës (CCEE), në nisma të ndryshme dialogu dhe solidariteti në kontinent.

14 qershor 2023, 15:59