Kërko

 La Santissima Trinità La Santissima Trinità

Fjala e Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte, ‘A’

Hyji Atë ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezu Krishtin, e Shpirtin Shenjt shenjtërues, për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij. Hyji Atë, bashkë me të Birin e Tij Jezus, Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjt, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Jezusi na zbuloi se Zoti është dashuri, jo dashuri e një Hyji të vetëm, por e tri vetjeve të barabarta e të veçuara, me të njëjtën substancë: këtë na mëson Kisha në festën e të Shenjtnuesmes Trini

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të dielës, që kësaj radhe me liturgjinë e së Dielës qё përkon me festën e Trinisë Shenjte.  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’

Fjala e Zotit e dielës kushtuar festës së Trinisë Shenjte ‘A’

Pas festën së Rrëshajëve, që kremtuam të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll edhe cikli i kohës liturgjike të Pashkëve, me këtë të diele, Kisha katolike e ritit romak e fillon ciklin tjetër kohor të kalendarit liturgjik, të quajtur “Gjatë Vitit” dhe, menjëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore.  Kështu pra, si gjithmonë, edhe kësaj here bashkohemi në Kisha e në vende tjera në lutje e në kremtime të Meshës, në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt, për ta dëgjuar e medituar Fjalën Hyjnore të Zotit Trini. E tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur, më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjt = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vetje (në tre persona).

Festa Trinisë Shenjte na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezu Krishtin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues, për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.  Hyji Atë, bashkë me të Birin e Tij Jezus, Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Hyj Atë na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë e të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës dhe Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.

Tekstet biblike të liturgjisё sё Fjalёs tё festës së Trinisë Shenjte na flasin për Zotin, prandaj na flasin për dashurinë: nuk ndalen aq në Misterin e Tri Vetjeve Hyjnore, por në dashurinë, që përbën thelbin dhe unitetin e Trinisë njëkohësisht.

Jezusi na zbuloi se Zoti është dashuri, jo dashuri e një Hyji të vetëm, por e tri vetjeve të barabarta e të veçuara, me të njëjtën substancë, këtë na mëson Kisha rreth të Shenjtnueshmes Trini. Trinia është Krijuesi e Ati i mëshirshëm, është Biri i vetëm, urtia e amshuar, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për ne; është Shpirti Shenjt, i cili vë në lëvizje gjithçka, kozmos e histori, në një proces, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë së fundit. 

Tri Vetje që janë një Hyj i vetëm, sepse Ati është dashuri, Biri është dashuri, Shpirti Shenjt është dashuri. Hyji është krejtësisht e vetëm dashuri, dashuri e kulluar, e pakufishme e amshuar. Nuk jeton në vetmi të shndritshme, por është burim i pashterrshëm jete, që dhurohet e përçohet vazhdimisht.

Mendja e gjuha njerëzore nuk mund ta shpjegojnë lidhjen ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, e megjithatë, Etërit e Kishës u përpoqën të hyjnë në misterin e Zotit, Një i vetëm, në tri Vetje, duke e jetuar në shtegtimin e tyre mbi tokë, me fe të gjallë. Festa e Trinisë Shenjte, është, pra, nxitje për të jetuar “njëri me tjetrin”, duke mësuar të falim e të lypim falje. Kjo është detyra qё na ёshtё besuar pёr të ndërtuar njё bashkësi njerëzore e kishtare, në të cilat të ndjehet gjithnjë më shumë fryma e familjes dhe e vёllazёrimit .

                                                    Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë   Dal 34, 4-6.8-9

Lexim prej Librit të Daljes

Në atë kohë, Moisiu i latoi dy rrasa si të parat; u çua herët në mëngjes e u ngjit në malin Sinaj me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re. Moisiu u ndal aty, ngjat tij dhe e thirri emrin e Zotit. Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Jahuè, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.” Moisiu ra vrik me fytyrë për dhe, adhuroi e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde.” Fjala e Zotit. 

Psalmi Dn 3, 52-56

Ty, o Zot, të qoftë lavdi e nder në shekuj

I bekuar je, o Zot,

Hyji i etërve tanë.

I bekuar emri i shenjtë

i lavdisë sate.

 

I bekuar je në Tempullin

e lavdisë sate të shenjtë.

I bekuar je në fronin

e mbretërisë sate.

 

I bekuar je, ti që shqyrton

humnerat e që rri mbi kerubinë.

I bekuar je në kupën qiellore.

 

Leximi i dytë 2 Kor 13,1-13  

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe, e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë, dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë. Fjala e Zotit. 

 

Aleluja. Aleluja. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.  Aleluja

 

Ungjilli   Gjn 3, 16-18

Nikodemi, ashtu si të gjithë hebrenjtë priste Mesinë, njeriun e fortë që do të bënte drejtësi dhe do të gjykonte botën me fuqi.  Por, Jezusi i paraqitet atij si Mesia që pranon të jetë i gjykuar, më parë se të gjykojë.  Ai erdhi nga qielli të shpëtojë dhe jo të dënojë.  Gjykimi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga raporti personal që secili ka me të vërtetën e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga dom Drtina Ndoci:

Homelia nga dom Drtina Ndoci

TRINIA SHENJTE: HYJI I MËSHIRSHËM, I BUTË, I DURUESHËM E SHUMË I MËSHIRSHËM DHE I VËRTETË.

(Dal 34, 4-6. 8-9; Dan 3, 52-56; 2 Kor 13, 11-13; Gjn 3, 16-18)

Vetëm në gjysmën e parë të shekulli XIII u caktua përfundimisht nga Papa që e kremtja e të Shenjtërueshmes Trini të shtrihej për mbarë Kishën Katolike. Deri atëherë ajo ende kremtohej vetëm në disa kisha të Europës. Por qe pikërisht devocioni i thellë i atyre kishave ndaj një të kremteje të tillë që shtyri edhe Papën ta miratonte një devocion të tillë dhe t’ia propozonte atë mbarë Kishës. Por kjo nuk do të thotë se adhurimi i së Shenjtërueshmes Trini filloi në shekullin XIII. Qysh në Ungjill shumë qartë na paraqitet fytyra e Hyjit tonë të dashur si Një i vetëm, në Tre Persona Hyjnorë. Shën Pali, siç dëgjuam në leximin e dytë, dëshmon se tashmë ishte bërë shumë shpejt traditë në mes të krishterëve që të përshëndeteshin në mes tyre në Emrin e Tre Personave Hyjnorë: «Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë!». Një përshëndetje të tillë tashmë e dëgjojmë shumë shpesh edhe në fillimin e kremtimit eukaristik.

I gjithë predikimi Kishës dhe i gjithë kremtimi i saj, kanë si qëllim të vetin shpalljen e Hyjit Njini e Trini, si edhe bashkimin me Të. Gabojmë kur mendojmë se misteri më i madh i Kishës është misteri i Pashkëve. Kremtimi i Vdekjes dhe i Ngjalljes së Krishtit është misteri qëndror i vitit liturgjik, por vetë misteri i Pashkëve dhe i gjithë viti liturgjik, e thamë, kanë si qëllim të vetin zbulesën e fytyrës së Hyjit tonë si Një i Vetëm në Tre Persona Hyjnorë dhe bashkimin tonë me Të.

«Nji Zot vetëm, tjetër s’ka, / por prej fesë dimë edhe ma: / se n’kët Zot janë, po, tre Vetë, / me ‘í natyrë e me ‘í pushtet, / me nji t’kenun e hyjni / që u thonë Shejtja Trini: / Ati, Biri e Shpirti Shenjt», thotë urata e vjetër Unë prej Zotit jam i kshtenë, e shkruar nga i Lumi Dom Ndre Zadeja, duke përmbledhur aty shumë bukur thelbin e teologjisë së krishterë në lidhje me Misterin e pambarim të së Shenjtërueshmes Trini.

Ne të krishterët besojmë se Hyji ynë është Një i vetëm, por jo i vetmuar. Duke adhuruar të Shenjërueshmen Trini, ne të krishterët vazhdojmë të jemi monoteistë, pra që adhurojmë një Hyj të vetëm, por ne besojmë në monoteizmin e dashurisë. Për ta shprehur këtë mund të marrim shembullin e tre qirinjve të ndezur. Secili prej tyre ka flakën e vet të plotë, sikurse secili prej Personave Hyjnorë, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, janë të plotë në Hyjninë e vet. Por, po t’i bashkojmë flakët e këtyre qirinj, ata do të bëhen një fjakë e vetme, edhe pse qirinjtë do të vazhdojnë të jenë tre, sikurse edhe e Shenjtë­rueshmja Trini është një dashuri e vetme, një Hyjni e vetme, edhe pse Personat Hyjnorë vazhdojnë të jenë Tre.

Pikërisht duke u bazuar tek dashuria, mund të themi diçka rreth këtij misteri të pambarim. Themi «diçka», sepse për të Shenjtërue­shmen Trini patjetër që fjalët tona nuk arrijnë ta shprehin misterin e madh e të pambarim të Zotit. As Kerubinët, as Serafinët, as Fronet, as Zotërimet, as Principatat, as Kryengjëjt e as Engjëjt, që së bashku me shenjtërit dhe Mbretëreshën e tyre, Zojën e Bekuar, kundrojnë misterin e të Shenjtërueshmes Trini, nuk arrijnë ta kup­tojnë në plotësi këtë mister të pambarim, edhe pse gëzojnë në Të në plotësi. Ja një dëshmi shumë e bukur e Shenjtes Faustina Kovalska, së cilës, në saje të një Hiri të veçantë, Zoti deshi që t’i bënte ta shihte lumturinë e Parajsës dhe të na e përshkruante atë në ditarin e saj, në të cilin na janë përcjellë shumë zbulesa tashmë të pranuara nga Kisha: «Sot në shpirt kam qenë në Parajsë dhe kam parë lumturinë e paimagjinueshme e tejet të bukur që na pret pas vdekjes. Kam parë se si të gjitha krijesat i japin pa ndërprerje lavdi Hyjit. Kam parë se sa e madhe është lumturia në Hyjin, e cila zbrazet mbi të gjitha krijesat, duke i bërë ato të lumtura. Pastaj çdo lavdi e nder që i ka bërë krijesat të lumtura, kthehet sërish tek Burimi dhe ata hyjnë në thellësitë e Hyjit, kundrojnë jetën e brendshme të Hyjit Atë, Bir e Shpirt Shenjt, të cilën nuk do të arrijnë kurrë as ta kuptojnë e as ta përkufizojnë. Ky Burim i lumturisë është i pandryshueshëm në esencën e Tij, por është gjithnjë i ri dhe shpërthen për lumturinë e të gjitha krijesave. E kuptoj vetëm tani Shën Palin që ka thënë: “Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.” (1 Kor 2, 9). Hyji më bëri të njoh të vetmen gjë e cila në sytë e Tij ka një vlerë të pafundme e kjo është Dashuria e Hyjit. Dashuria, Dashuria e përsëri Dashuria.»

Pra, sikurse e përmendëm më sipër dhe si përfundon edhe Shenjtëresha polake, vetëm dashuria na lejon të themi diçka rreth së Shenjtërueshmes Trini. Por kjo «diçka» e vogël është në gjendje që të na çojë drejt shëlbimit të amshuar.

Në leximin e parë, kur Hyji i bën Moisiut dhuratën e një zbulese të veçantë të vetvetes, është pikërisht vetëm mbi Dashurinë e Tij të Pamasë që flet: «Jahve, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.» Moisiu, përballë një mëshire e dashurie kaq të pafundme, u ndie i padenjë dhe «ra vrik me fytyrë përdhe», në adhurim të përvujtë. Por, pikërisht ngaqë e kuptoi se kishte të bënte me një Hyj kaq të dashur, ai gjeti edhe forcën që të lutej për vete e për popull: «O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne! Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet tona e mëkatet e na prano për pronën tënde!»

Nuk ishte ende koha kur njerëzimit mund t’i shpallej se ky Hyj është edhe Trini. Ishte tashmë shumë vështirë që, në mes të shumë popujve të mësuar të adhuronin shumë perëndi të ndryshme, që Hyji t’i mësonte Izraelit të adhuronte Një Hyj të Vetëm e të Vërtetë. Ndërkaq Hyji i zbuloi vetëm se është një Hyj krejtësisht Dashuri. Pastaj, me ardhjen e përvujtë të Birit të Hyjit në mesin tonë, duke u bërë njeri, njerëzimit do të mund t’i shpallej edhe se ky Hyj-Dashuri është edhe Hyj-Trini. E Kisha do të kuptonte se Hyji është Dashuri pikërisht ngaqë është Trini, pra marrëdhënie e pafundme dashurie në mes të Personave Hyjnorë.

Asaj lutjes së Moisiut «udhëto me ne», Hyji iu përgjigj jo vetëm duke e shoqëruar në shtegtimin drejt tokës së premtuar popullin e zgjedhur, por edhe duke dërguar Birin e vet në botë. Prandaj Jezusi sot në Ungjill thotë: «Hyji aq fort e deshi botën, saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur.» Me forcën e Shpirtit Shenjt, Ati i amshuar, po e zbulonte në Birin e Tij Misterin e Pambarim të së Shenjtërueshmes Trini, për të na mundësuar kështu të gjithëve shëlbimin, pra bashkimin e lum me Të në Parajsë.

Prandaj është me rëndësi të madhe kjo e kremte, sepse na ndih­mon të meditojmë edhe një herë më në thellësi mbi këtë Mister të Pambarim. Po ta mendojmë, ne të krishterëve, liturgjia dhe për­shpritëria gjithnjë na ndihmojnë që të zhytemi në këtë mister në jetën tonë të përditshme. Mjafton të mendojmë faktin se, me Shenjën e Kryqit dhe duke shqiptuar Atin, Birin e Shpirtin Shenjt, ne jemi të ftuar t’i fillojmë jo vetëm kremtimet e të gjitha sakramenteve dhe të gjitha lutjet e tjera, por jemi të ftuar të fillojmë e ta përfundojmë edhe ditën, të fillojmë një punë, një udhëtim e çdo nismë tjetër. Sa fuqi ka në vetvete edhe kundër djallit dhe kurtheve të tij një Shenjë Kryqi e bërë me fe të gjallë dhe duke thënë fjalët: «Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt»!

Prandaj ta falënderojmë Hyjin tonë për tërë dashurinë që ka ndaj nesh dhe t’i lutemi Atij që të na ndihmojë t’i përgjigjemi edhe ne me shumë dashuri në jetën tonë të përditshme, deri sa, një ditë, të mund ta kundrojmë Misterin e Pambarim të së Shenjtërueshmes Trini dhe të gëzojmë në plotësi me Të në lumturinë e Parajsës.

Dom Dritan Ndoci

03 qershor 2023, 09:54