Kërko

Dom Kolë Dedaj Dom Kolë Dedaj

Dom Kolë Dedaj: përmes Eukaristisë bashkohemi si një në Krishtin

Dom Kolë Dedaj: duke ngrënë në tryezën e Krishtit, krijojmë një raport miqësie me Të e kështu mbesim në Të e Ai në ne (Gj 6,56). Vetëm kush e han mishin dhe pi gjakun e tij do ta ketë jetën e pasosur dhe madje ngjalljen në ditën e fundit. Pra çdo herë që të marrim pjesë në Meshën shenjte dhe të ushqehemi me trupin e Krishtit mos tё harrojmë se jemi tё thirrur e tё futur në një marrëdhënie miqësie me Krishtin Zot.

R. SH. / Vatikan

Këtë të diele kremtojmë festën e Korpit dhe të Gjakut të Krishtit, përkujtimin e gjesteve dhe të fjalëve të Jezusit në Darkën e Mbrame me apostuj, përkujtimin e Eukaristisë që përmbledh gjithë ekzistencën e tij, një jetë të kaluar dhe të dhuruar për vëllezërit dhe motrat e tij deri me vdekje në kryq.

Sivjet ne i afrohemi këtij misteri të Korpit e Gjakut të Krishtit përmes një fragmenti, rrëfimit të shumëzimit të bukëve dhe peshqve, nga fjalimi i gjatë në të cilin Jezusi, në kreun e gjatë të Ungjillit të Gjonit, shfaqet si "buka e jetës", parafytyron dhuratën e bukës së jetës që do të bëjë me gjestin e tij mbi bukë në pragun e mundimeve të tij.

Leximet biblike të kësaj së kremteje, (Lgjp 8,2-3.14b-16a || Ps 147,12-15.19-20 || 1 Kor 10,16-17 || Gjn 6,51-58), nxjerrin në pah madhështinë e kësaj dhurate që është pjesëmarrja në vetë jetën e Zotit (Ungjilli) dhe kungimi, bashkimin me Krishtin e lavdishëm (leximi i dytë), bukë e udhëtimit që ka tejkaluar pafundësisht bukën e lashtë të shkretëtirës (leximi i parë) dhe është kokrra e grurit (psalmi) me të cilin populli i besëlidhjes ushqehet, forcohet dhe transformohet. Të ndjekim komentin e leximeve biblike të kësaj festa nga meshtari dom Kolë Dedaj:

Dom Kolё Dedaj: festa e Korpit dhe Gjakut të Krishtit

Dom Kolё Dedaj: festa e Korpit dhe Gjakut të Krishtit

(Lgjp 8,2-3.14b-16a || Ps 147,12-15.19-20 || 1 Kor 10,16-17 || Gjn 6,51-58)

Liturgjia e ditës kësaj feste është e lidhur tërësisht rreth Korpit dhe Gjakut të Krishtit. Në leximin e Parë shohim se Zoti e sprovon Izraelin, me dashje, për t’ia njohur zemrën, për të parë se a do t’ia mbaj urdhërimet Izraeli apo jo. Shtrohet pyetja, si ka mundësi që Zoti që di gjithçka, s’ditka se ç’është në zemrën e njeriut? Në fakt me këtë nënvizohet liria e plotë që Zoti në krijim ia dhuron njeriut për të vendosë për vete.

Zoti edhe pasi që i mundon nëpër shkretëtirë, me të gjitha rreziqet që përfshin shkretëtira, nuk i lë vetëm, por i shpëton prej gjarpërinjsh helmues, prej urie duke i ushqyer me manë, ushqim që s’e kishin njohur më parë, i shpëton edhe prej etjeje duke dhënë ujë që buron nga shkëmbi. Kështu ia bën të ditur se pa Zotin ata janë të humbur dhe se vetëm te Zoti mund të jetojnë. Thotë “Për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka” (Lgjp 8,3) dhe përsëri “ruaju se të rritet mendja dhe e harron Zotin, Hyjin tënd...” (v.14) atë “që pati dhimbje për ty për të të bërë të lumtur” (v.16).

Po kështu Psalmi (147) lavdëron Hyji i cili e mbron Izraelin. Ai e mban atë në plotësi e në shëndet (šālôm) dhe e ushqen me grurë. Madje “e dërgon fjalën e vet mbi tokë” (Ps 147,15) duke ia zbuluar Jakobit/Izraelit e ky duhet të bëhet ndërmjetës për të gjithë popujt tjerë, sepse “nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër” (v.20). Hyji krijues, po atë fjalë me të cilën krijoi botën, të njëjtën ia dhuron njeriut.

Në Leximin e Dytë nga Letra e parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve (10, 16-17) apsotulli, ndërsa qorton bashkëvëllezërit kundër flijimit ndaj idhujve, me stil kremtor shpreh se çka është eukaristia. Duhet ditur se buka, që përdorej në traditën hebraike të pashkëve, kishte formë pete rrumbullaket të hollë. I zoti i shtëpisë, që printe gostinë, e ndante këtë bukë dhe i kalonte copat e saj tek gjithsecili prej pjesëmarrësve në gosti duke themeluar kështu miqësinë ndaj njëri-tjetrit (darka e fundit). Kështu krijonin ndërvarësi. Mjafton të kujtojmë edhe ne në traditat tona, që për dasma o festa, momente ku themelohet miqësia, ne ulemi e hamë bashkë. Një fjalë e urtë e jona thotë “nuk e njeh dikë si duhet po s’hëngre një thes kryp bashkë”.

Në këtë kontekst gota, e cila është e bekuar dhe e dhuruar në fli Hyjit, i takon atij dhe Hyji është ai që po hedh gostinë në të cilën ne, duke marrë pjesë, bëhemi të ftuarit e tij. Tash në BV gjaku është shenja e jetës, por shpeshherë përdoret për të shpreh edhe pasojat e veprimeve kur thonë “gjaku i juaj rafte mbi kryet tuaj”. Kështu duke pi në gotën e Zotit përfiton të mirat dhe hiret e tij. Po e njëjta gjë është edhe me bukën e bekuar dhe të flijuar Zotit. Duke qenë se ke marrë një copë bukë dhe ke hëngër, ke formuar raport miqësorë me anë të trupit të Jezusit. Ja përse Pali mund të thotë se jeni bashkuar si një në Krishtin dhe jeni bërë një trupi i vetëm. Thyerja e bukës fillon darkën dhe vendos miqësinë.

Në Leximin e Parë nga Libri i Ligjit të përtërirë (8, 2-3.14-16) Zoti çoi manën, etërit hëngrën, porse prapë se prapë vdiqën. Në Psalm Hyji dhuron ngushëllim me anë të fjalës së tij, por dhuron dhe grurë. Ndërsa tani Shën Gjoni, në pjesën e Ungjillit të kësaj së kremte (6, 51-58) na tregon se Krishti është buka e vërtet që zbriti prej qiellit dhe u bë mish (Gjn 1,14). Sikurse e përmenda më herët, duke ngrënë në tryezën e Krishtit, krijojmë një raport miqësie me të e kështu mbesim në të e Ai në ne (v.56). Vetëm kush e han mishin dhe pi gjakun e tij do ta ketë jetën e pasosur dhe madje ngjalljen në ditën e fundit dhe jo sikurse etërit, që edhe pse hëngrën bukë të mrekullueshme e cila ushqeu një popull në shkretëtirë, prapë se prapë vdiqën.

Pra çdo herë që të marrim pjesë në Meshën shenjte dhe të ushqehemi me trupin e Krishtit mos tё harrojmë se jemi tё thirrur e tё futur në një marrëdhënie miqësie me Krishtin Zot

 

 

10 qershor 2023, 18:23