Kërko

lutja lutja

Çelësi i fjalëve të Kishës: njeriu lutet në çdo epokë

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në audiencat e përgjithshme të 4 dhe të 11 majit 2011

R.SH. – Vatikan

Njeriu i të gjitha kohrave lutet, sepse nuk mund të mos pyesë cili është kuptimi i ekzistencës së tij në këtë botë, kuptim, që mbetet i errët dhe e dëshpëron, nëse nuk vihet në lidhje me misterin e Zotit dhe me planin e Tij për botën. Kështu thoshte Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 4 majit 2011.

Jeta njerëzore është ndërthurje e së mirës me të keqen, e vuajtjes së pamerituar me gëzimin e bukurinë, që spontanisht e pashmangshmërisht na shtyjnë t’i kërkojmë Hyjit atë dritë e atë forcë shpirtërore, që do të na ndihmojnë mbi këtë tokë e do të na japin shpresën, e cila i kapërcen kufijtë e vdekjes.

Ne jetojmë në një epokë, në të cilën, shenjat e shekullarizmit janë më se të qarta – vërente Joseph Ratzinger në audiencën e përgjithshme të mëpasme, më 11 maj 2011. – Zoti duket sikur është zhdukur nga horizonti i shumë njerëzve, ose është bërë një realitet ndaj të cilit mbetemi indiferentë. Por, njëkohësisht, shohim shumë shenja, që na tregojnë për rizgjimin e ndjenjave fetare, për rizbulimin e rëndësisë së Hyjit në jetën e njerëzve, për kërkesën e përshpirtërisë, e kapërcimit të një vizioni thjesht horizontal e material për jetën njerëzore. Njeriu – theksonte Papa Benedikti XVI – bart në vetvete etjen për pafundësi, mallin për amshimin, kërkesën për bukuri, dëshirën për dashuri, nevojën për dritën e të vërtetën, që e shtyjnë drejt Absolutit; njeriu bart në vetvete dëshirën për Zotin. E, në një farë mënyre, njeriu e di se mund t’i drejtohet Hyjit, mund t’i lutet Atij. Shën Toma i Akuinit, një nga teologët më të mëdhenj të historisë, e quan lutjen “shprehje e dëshirës së njeriut për Zotin”.

Kjo etje për Hyjin, që Ai vetë e ka vendosur në zemrën e njeriut është shpirti i lutjes, e cila, pastaj, vishet me shumë forma e mënyra, sipas periudhës historike, kohës, çastit, hirit e madje, edhe sipas mëkatit të atij, që lutet. Në historinë e njerëzimit njihen forma nga më të ndryshme për lutjen, sepse vetë Hyji i Gjithpushtetshëm i ka lejuar, duke e bërë lutjen shprehje të pranishme në çdo fe e kulturë.

Lutja e ka qendrën dhe rrënjët në thellësi të çdo njeriu; prandaj, nuk mund të deshifrohet lehtë e, për të njëjtën arsye, mund të keqkuptohet e të mistifikohet. Pra, shprehja “nuk është e lehtë të lutesh” nuk është pa bazë. Vërtet, lutja është vendi i dhurimit falas, i prirjes drejt të Padukshmit, të Papriturit e të Pashqyrtueshmit.

 Për këtë arsye, përvoja e lutjes është sfidë për të gjithë, hir për t’u kërkuar, dhuratë e Atij, të cilit i drejtohemi, dhuratë e Zotit.

15 qershor 2023, 15:38