Kërko

Kardinali Parolin kryeson Meshën Shenjte në Katedralen e Capodistria-s Kardinali Parolin kryeson Meshën Shenjte në Katedralen e Capodistria-s 

Koper, angazhimi i feve për paqen e dialogun në Ballkan dhe në Evropë

Forumi ndërfetar për dialogun dhe paqen në Ballkan, i organizuar nga Konferenca e Ipeshkvijve Sllovenë, në Koper, u mbyll me një deklaratë përfundimtare, nënshkruar nga të gjithë liderët fetarë të pranishëm, përfshirë edhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Parolin, kushtuar angazhimit për takime të rregullta, mbrojtjes së lirisë fetare, kujdesit për krijimin, për mirëqenien e individëve e të bashkësive, dënimit të ekstremizmit e terrorizmit. Sot në mëngjes, Mesha, kryesuar nga kardinali Parol

R. SH. - Vatikan

Forumi ndërfetar për dialogun dhe paqen në Ballkan, organizuar në Capodistria-Koper nga Konferenca Ipeshkvnore, u mbyll me një deklaratë përfundimtare prej dhjetë pikash, nënshkruar nga të gjithë krerët fetarë të pranishëm, përfshirë edhe Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.  Të pranishëm, përfaqësues të nivelit të lartë të krishterimit, katolikë, ortodoksë dhe luteranë, si dhe islamikë dhe judaikë, nga 15 vende të Gadishullit Ballkanik dhe Gadishullit të afërt të Azisë së Vogël. Takimi, titulluar “Paqe ty, Evropë! Paqe ty, Ballkan!”, u mbajt më 17 dhe 18 qershor në qytetin bregdetar të Adriatikut që "për pozicionin e tij gjeografik dhe përvojën historike, lidh Mesdheun Lindor dhe Perëndimor e, rrjedhimisht, degët lindore dhe perëndimore të krishterimit e të traditave të tjera fetare". Forumi shprehu vetëdijen "për nevojën dhe detyrën e respektimit të anasjelltë dhe të bashkëjetesës paqësore ndërmjet anëtarëve të traditave të ndryshme fetare, etnike dhe grupeve të tjera". Domosdoshmëri dhe detyrë, e vërtetuar nga “shembuj të shumtë pozitivë të përvojës së ndërlikuar dhe të vështirë historike të kësaj zone gjeografike”.

Sllovenia, vend i dialogut dhe urë lidhëse

Në parathënien e deklaratës, udhëheqësit fetarë nënshkrues nënvizojnë vështirësitë e fillimit të shekullit të 21-të: "luftën në Ukrainë, krizat në zona të ndryshme dhe tjetërsimin e përgjithshëm të njerëzve, me pasojë mungesën e shpresës në të ardhmen". I kufizuar, edhe "Kohezioni evropian e global, i bazuar mbi konceptimin laik perëndimor të njeriut dhe të shoqërisë", ndonëse ka "edhe mundësi e vende në udhëkryq të disa mjediseve të ndryshme kulturore, që lejojnë takimin dhe dialogun, posaçërisht, ndërmjet liderëve fetarë, të parët që ftohen për të shikuar përtej axhendave politike dhe axhendave të tjera kalimtare, duke qenë në lidhje edhe me të këqijat e kësaj bote”. Një nga këto vende është Sllovenia ‘në zemrën e Evropës', ndërmjet Alpeve, Mesdheut dhe Panonisë (Hungari) e cila mund të veprojë si urë lidhëse ndërmjet botës sllave, gjermanike dhe romane.

Dhjetë pikat e deklaratës së përbashkët përfundimtare

Në dhjetë pikat e deklaratës përfundimtare, nënshkruesit fillimisht nënvizojnë mbështetjen që mund të vijë, në rrethana të paqëndrueshme, nga besimi në Zotin, falë “perspektivës së përjetshme që sheh në rrethanat dhe të mirat kalimtare të kësaj bote vetëm mjetin, jo  fundin e jetës këtu poshtë e në jetën, që do të vijë”. Prandaj, nëse tradita shpirtërore është e rrënjosur, ajo funksionon për një "zhvillim të balancuar shoqëror" e, në dialog, "promovon ushtrimin e lirisë fetare dhe favorizon kujdesin e qëndrueshëm për burimet natyrore e zhvillimin ekonomik, i cili e vë në qendër të vëmendjes mirëqenien e njeriut dhe të bashkësisë, në vend që t'i nënshtrohet zhvillimit të pakufizuar a etjes për fitime". Është vizion i "ekologjisë të vëllazërimit njerëzor", për të cilin na fton Papa Françesku përmes enciklikës Fratelli tutti.

Vlera e paqes "frut i drejtësisë"

Në pikën e tretë, deklarata ripohon se “arritja e drejtësisë, si nga pikëpamja ekologjike, ashtu edhe nga pikëpamja politiko-ekonomike, kontribuon në mënyrë të vendosur në punën për promovimin e paqes në Ballkanin Perëndimor sot dhe nesër”. Duke kujtuar, më pas, Lumturitë dhe mesazhin e paqes të Profetëve të Shenjtë, nënvizohet qëllimi i përbashkët për një paqe, që është "frut i drejtësisë" dhe u bëhet thirrje "të gjithë njerëzve vullnetmirë, veçanërisht atyre që kanë autoritet, të kenë në qendër të vëmendjes dialogun dhe paqen e përhershme”. Udhëheqësit e feve të ndryshme marrin përsipër të ofrojnë "ndihmë humanitare për të gjithë ata që janë prekur, pa asnjë dallim" dhe t'i mbajnë komunitetet e tyre fetare "të pavarura nga interesat politike ose të tjera kalimtare".

E drejta e të gjitha bashkësive fetare për të ekzistuar

Në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në vendet e tjera - është pika e gjashtë - “e drejta e ekzistencës së të gjitha komuniteteve fetare duhet të njihet qartë dhe autoritetet shtetërore të ftohen të respektojnë lirinë e tyre në interes të paqes dhe dialogut”. Përsëritet se "ekstremizmi, terrorizmi dhe çdo formë tjetër dhune apo lufte nuk kanë asnjë lidhje me fenë e vërtetë dhe se duhet të refuzohen si në shoqëri, ashtu edhe në nivelin e vetë komuniteteve fetare". Më pas u kërkohet udhëheqësve politikë, ekonomikë dhe fetarë të vendeve të Gadishullit Ballkanik të reflektojnë në mënyrë kritike për veprimet e kaluara, të lidhura me problemin demografik, "me të cilin lidhet ngushtë edhe çështja e emigrimit ekonomik".

Të nevojshme, takimet e rregullta të bashkësive fetare të Ballkanit

Në përfundim theksohet “se bashkësitë e ndryshme fetare të Ballkanit duhet të takohen rregullisht dhe të kërkojnë zgjidhje të përbashkëta, për të cilat Kisha Katolike, Kisha Ortodokse dhe Bashkësia Islame kanë përgjegjësi të veçantë, për shkak të ndikimit të tyre historik dhe aktual”. E, në përfundim, theksimi: “Nuk mund të ketë takim të sinqertë dhe dialog të frytshëm pa lutje dhe besim te Krijuesi, mjeshtri i historisë dhe e çon deri në fund, çka njeriu i vetëm nuk mund ta bëjë kurrë”. Vetëm një fe, e forcuar në Zotin "dhe një vlerësim i sinqertë i veprimeve të së kaluarës, pasojë e ligështisë njerëzore, ndihmon për paqen dhe prosperitetin në sferën e marrëdhënieve personale, shoqërore dhe shpirtërore".

Mesha, kryesuar në Katedrale nga kardinali Parolin

Sot në mëngjes, në orën 10, në katedralen e Fjetjes së Marisë, në Koper, Kardinali Parolin kryesoi Meshën solemne, në festën e shenjtit mbrojtës Nazario, ipeshkvit të parë të qytetit, kremtuar nga nunci apostolik në Slloveni, kryeipeshkvi Jean Marie-Speich, nga ipeshkvi i Capodistria-Koper Jurija Bizjak dhe nga ipeshkvijtë dhe priftërinjtë sllovenë. Në predikimin e tij, duke komentuar Ungjillin e së Dielës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizoi se "misioni i dishepujve të parë dhe i Kishës në çdo epokë, që e zgjat atë të Zotit Jezus, e ka zanafillën dhe motivimin e tij të përhershëm tek "mëshira", tek dashuria falas dhe aktive, që na shtyn t’i lehtësojmë mjerimet e të tjerëve”. Zoti na mëson "se asnjë shërbim ungjillëzimi e promovimi njerëzor, nuk është i mundur pa mëshirën, që e motivon dhe e shoqëron atë".

18 qershor 2023, 15:51