Kërko

L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità

Të Shëlbuemit, njerëzimi mëkatar lartohet te Zoti nga Kryqi i Krishtit

Solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, ёshtë mister feje, i referohet vokacionit të lartë të njeriut, lartuar te Zoti nga Jezu Krishti, pasi pagoi me vdekje mbi Kryq mëkatet e secilit prej nesh. Kuptimi i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell është i dyfishtë. Së pari, duke u lartuar, zbulon pa dyshim hyjninë e tij: kthehet nga erdhi, te Zoti. Së dyti Krishti Ngjitet në Qiell sëbashku me humanitetin që ka marrë mbi vete dhe e ka ngjallur së vdekurish: ai humanitet është i yni, i shndërruar

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell apo i të Shëlbuemit, ёshtë mister i fesë sё krishterё  që i referohet vokacionit të lartë të njeriut, lartuar te Hyji Atë nga Krishti, pasi pagoi me vdekjen mbi Kryq mëkatet e secilit prej nesh. Kuptimi i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell është i dyfishtë. Së pari, duke u lartuar, zbulon pa dyshim hyjninë e tij: kthehet nga erdhi, te Zoti. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell sëbashku me humanitetin që ka marrë mbi vete dhe e ka ngjallur së vdekurish: ai humanitet është i yni, i shndërruar, hyjnizuar, i amshuar. Prandaj, të Shëlbuemit zbulon vokacionin e lartë të çdo njeriu, që është i thirrur për jetën e amshuar në Mbretërinë e Zotit, Mbretërinë e dashurisë, të vëllazërimit, të dritës e të paqes.

Jezusi realizon misionin e tij duke hyrë në mjerimin e njeriut dhe duke marrë mbi vete mëkatet e ne të gjithëve: vetëm kështu mund të lartojë njeriun te Zoti. Ai në fakt erdhi në botë për ta çuar njeriun të Zoti, jo në planin ideal – si një filozof apo si një mjeshtër urtie – por me të vërtetë, si bari që dëshiron t’i çojë delet në vath. Këtë “eksod” drejt atdheut qiellor, Jezusi e ka përjetuar vetë, por e ka bërë vetëm e krejtësisht për ne. Është për ne, që zbriti nga Qielli dhe është për ne që u ngjit, pasi u bë krejtësisht i ngjashëm me njerëzit, i përbuzur deri në vdekjen në kryq, e pasi preku humnerën e largimit më të madh nga Zoti.

Në këtë botë askush nuk është pa mëkat, megjithëse nuk është i vetëdijshëm për këtë. Askush nuk mund të shpëtojë me forcat e veta. Vetëm në Krishtin mund të shpresojë njeriu i dobët e mëkatar. Zoti në njeriun – njeriu në Zotin: kjo është tashmë një e vërtetë jo teorike, por reale. Prandaj shpresa e krishterë, bazuar mbi Jezu Krishtin, nuk është iluzion, por, siç thotë Letra drejtuar Hebrenjve, “Atë e kemi spirancë të sigurtë dhe të fortë të shpirtit” (Heb 6,19) një spirancë që depёrton në Qiell, aty ku Krishti na ka paraprirë.

Të gjithë ne jemi të thirrur ta drejtojmë vështrimin nga Ai, që kur u ngjit në qiell, na shëroi përmes plagëve të veta. Jemi të thirrur prandaj, të përtërijmë fenë tonë në Jezusin, spiranca e vetme dhe e vërtetë e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Duke u ngjitur në Qiell, Ai hapi rrugën drejt atdheut tonë përfundimtar, që është parajsa. Tani, me fuqinë e Shpirtit të tij, na mbështet në shtegtimin e përditshëm mbi tokë.

Pas Ngjitjes së Krishtit në Qiell, dishepujt e parë qëndrojnë të bashkuar në Çenakull përreth Nënës së Jezusit, në pritje të Shpirtit Shenjt. E Kisha na fton ta kthejmë vështrimin nga Maria Virgjër: Nëna na çon te Biri Jezus, që nuk është më fizikisht mes nesh, por na pret në shtëpinë e Atit Qiellor. Jezusi na fton të mos rrimë e të shohim lart, por të qëndrojmë të bashkuar në lutje, për të kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot. Në fakt, vetëm atij njeriu që “rilind nga lart”, pra nga Shpirti i Zotit, i hapet porta e Mbretërisë së Qiellit, dhe e para që “rilindi nga lart” është pikërisht Virgjëra Mari.

18 maj 2023, 10:29