Kërko

 Santo Spirito, mosaico, Pentecoste Santo Spirito, mosaico, Pentecoste

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Rrëshajëve ‘A’

Eja, o Shpirt i Shenjtë, /të na sjellësh Ujin e jetës,/Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,/të na i shndërrosh shkretëtirat e tokës/në kopshte drejtësie dhe paqeje.../Eja, o Shpirt i Shenjtë,/ të na sjellësh Dritën e botës,/të na i davaritësh retë e errta/ku jemi zhytur,/të na i shqyrtosh thellë zemrat/për të na zbuluar misterin e Dashurisë,/që përtërin e ringjall../Eja, o Shpirt i Shenjtë,/të na sjellësh Zjarrin e amshuar,/të na ndezësh llambat/që të shndritet shpresa

R.SH. - Vatikan

Këtë të dielë Kisha Katolike romake kremton solemnitetin e Rrëshajëve, dikimin e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, së bashku me Marinë, që shënon plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit, pra, dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e për t’i ndihmuar dishepujt e vet në realizimin e misionit e të veprimtarisë së tyre, si edhe për të kapërcyer lodhjen e frikën. Jezusi u tha: “Do t’ju dërgoj Shpirtin Shenjt. Ai do t’ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Festa e Rrëshajëve shënon edhe ditën kur zë fill bashkësia e krishterë, pra, na kujton ditëlindjen e Kishës.

Ja një fragment nga Ungjilli i këtij solemniteti, marrë nga shën Gjoni ( Gjn 20,19-23)

Në mbrëmje po të asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”.

Të lutemi së bashku

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Ujin e jetës,

Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,

të na i shndërrosh shkretëtirat e tokës

në kopshte drejtësie dhe paqeje.

Atëherë, çdo etje do të shuhet

e gratë e burrat, shkëputur nga vdekja,

do të thurin lavde plot gëzim.

 

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Dritën e botës,

Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,

të na i davaritësh retë e errta

ku jemi zhytur,

të na i shqyrtosh thellë zemrat

për të na zbuluar misterin e Dashurisë,

që përtërin e ringjall

që larton e jep forcë.

Atëherë, nata do të zhduket

e gratë e burrat, të lëbyrur nga shkëlqimi yt,

do të lëshojnë britma lumturie.

 

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Zjarrin e amshuar,

Jezu Krishtin, të vdekur e të ringjallur,

të na ndezësh llambat

që të shndritet shpresa,

të ndezësh edhe shpirtrat

më të ftohtë e më egoistë

e t’i bësh të përflaken nga bamirësia.

Atëherë, çdo keqdashje,

çdo dhunë e çdo hakmarrje

do të shpërbëhet

e gratë e burrat, kthyer në motra e vëllezër,

do të bëjnë të shpërthejë

fryti i hirit, marrë prej Teje.

27 maj 2023, 09:14