Kërko

L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità

Në Vatikan festa e të Shëlbuemit. Na kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon, pa kurrnjë dyshim, hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes.

R. SH. / Vatikan

Sot më 18 maj në Vatikan kremtohet solemniteti i solemniteti i të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe trevat shqiptare, do të kremtohet të dielën e ardhshme. Shqiptarët këtë festë e quajnë të ‘Shëlbuemit’.

Me festën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, pra të Shëlbuemit, kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm fizik të Zotit tonë Jezu Krishti ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e Ungjillit e kështu të krishterimit në mbarë botën. Ngjitja e Krishtit në Qiell ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme, një rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi, do të thotë e realizoi veprën e shëlbimit: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na rrëfen Shën Gjoni.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Me këto fjalë kujtojmë domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit.

Dyzet ditë pasi u qe shfaqur apo dukur Apostujve me pamjen e Tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumturinë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumturinë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor të njerëzimit pranë Atit Hyjnor. Na dërgon Shpirtin e Tij Zot dhe na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që Ai na e ka përgatitur.

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon, pa kurrnjë dyshim, hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes.

Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Hyji e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!

18 maj 2023, 10:28