Kërko

Patriarku i Irakut Louis Raphaël Sako, kreu i Kishës Kaldease të vendit Patriarku i Irakut Louis Raphaël Sako, kreu i Kishës Kaldease të vendit

Qeveritë e Evropës mbrojnë Patriarkun e Irakut, Sako

Përfaqësues nga njëmbëdhjetë vende evropiane deklarojnë përkrahjen e tyre për kardinalin Louis Raphaël Sako, kreun e Kishës Kaldease të Irakut, vënë në shënjestër nga një fushatë kundër tij në mediat shoqërore

R.SH. – Vatikan

Njëmbëdhjetë vende të ndryshme evropiane, së bashku me Bashkimin Evropian si institucion, deklaruan të dielën mbështetjen e tyre për Patriarkun e Irakut Louis Raphaël Sako. Kreu i Kishës Kaldease të vendit, krijuar kardinal nga Papa Françesku në vitin 2018, po përballet me një fushatë kundër tij në rrjetet shoqërore. Deklarata e së dielës shpreh "solidaritetin" e qeverive evropiane me Patriarkun Sako dhe thekson rëndësinë e "përpjekjeve të tij për të mbrojtur të drejtat e të krishterëve në tokën, ku ata banojnë që prej dy mijëvjeçarësh".

Deklarata

Mbrëmjen e së dielës, Patriarku Sako priti një delegacion me ambasadorë dhe diplomatë nga Franca, Italia, Spanja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian.

Së bashku, ata nënshkruan një deklaratë në mbështetje të Patriarkut, edhe “me miratimin e ambasadorëve të Gjermanisë, Polonisë, Republikës Çeke, Rumanisë, Suedisë dhe Hungarisë. Në të shprehet solidariteti i vendeve evropiane me Patriarkun Sako, i cili është sulmuar publikisht kohët e fundit. Ambasadorët nënvizojnë “shqetësimin e tyre për të krishterët dhe për bashkësitë e tjera fetare të Irakut".

Më pas, u bëhet thirrje të krishterëve të vendit të punojnë së bashku, duke vënë në dukje se "kontrastet ekzistuese nuk e ndihmojnë rolin e tyre në shoqërinë irakiane" dhe duke shprehur dëshirën që "problemet të kapërcehen dhe të arrihet një bashkëpunim gjithnjë e më i madh ndërmjet Kishave”. Ambasadorët e përfundojnë notën e tyre duke ripohuar mbështetjen për “dialogun paqësor ndërmjet grupeve të ndryshme të popullit irakian”, që të ruhet larmia e vendit, një nga karakteristikat e tij kryesore.

Konflikti

Sulmet kundër Patriarkut Sako filluan pas kritikave të tij për Lëvizjen e Babilonisë, parti politike që pretendon se përfaqëson pakicën e krishterë. Aktualisht, Lëvizja zë katër nga pesë vendet parlamentare, të cilat kushtetuta irakiane ua garanton të krishterëve. Megjithatë, Patriarku Sako, së bashku me figura të tjera të krishtera, ka deklaruar shpesh se pretendimet e saj për lidhje me Kishën Kaldease nuk janë të vërteta dhe se ajo nuk përfaqëson të krishterët e vendit. Kështu, pikërisht anëtarët e Lëvizjes së Babilonisë u vunë në ballë të kritikave të fundit kundër kreut të Kishës Kaldease.

'Zëri' i të krishterëve u përgjigjet 'sulmeve e gënjeshtrave' të Lëvizjes Babilonia

Për agjencinë e lajmeve AsiaNews, kardinali Sako nënvizon "sinjalin e forcës" së dhënë nga ata që dolën në rrugë kundër shpifjeve dhe ambicieve të Rayan "kaldeasit". Udhëheqësi i vetëquajtur i krishterë, në krye të një milicie të krijuar në luftën kundër ISIS, akuzon udhëheqësit e Kishës për vjedhje e abuzim. Në realitet, ai tashmë kontrollon një pjesë të madhe të fushës së Ninevisë dhe dëshiron të zgjerojë fuqinë e pushtetin e tij

Nuk janë vetëm qeveritë evropiane, që dolën në mbrojtje të Patriarkut. Më 8 maj, kryeministri i rajonit të Kurdistanit, në Irak, shprehu mbështetjen e tij për kardinalin kaldeas, duke theksuar nevojën për të "përmirësuar situatën e të krishterëve" në vend.

16 maj 2023, 14:51