Kërko

Vajzë indiane në lutje Vajzë indiane në lutje

Orisa: shenjtërore kushtuar Zojës së Fatimës në strehën e të persekutuarve

Mbi 5 mijë besimtarë në hapjen e shenjtërores mariane. Rast gëzimi për një bashkësi, që edhe sot, vuan pasojat e masakrave antikristiane të fundamentalistëve hinduistë, në vitin 2008. Një mënyrë për të shëruar plagët dhe traumat, veçanërisht për më të vegjlit

R.SH – Vatikan

Të krishterët në festë në dioqezën e Cuttack-Bhubaneswar, në shtetin indian të Orisës, për hapjen e një shenjtëroreje të re kushtuar Zojës së Fatimës. Më 13 maj të kaluar, rreth 5 mijë besimtarë, katër meshtarë, po aq murgesha morën pjesë në përurimin e objektit të kultit, që ndodhet në zonën ku, në vitin 2008, u strehuan shumë prej të krishterëve, pas masakrave të fundamentalistëve hinduistë në Kandhamal, të cilat shkaktuan mbi 100 të vdekur dhe 50 mijë të zhvendosur.

Shenjtërorja mariane në Sugadabadi, hapur pas nëntëditëshit të lutjes e të meditimit, nga 4 deri më 12 maj, është gëzim i madh për të krishterët e atyre trojeve, që janë të sigurt se Zoja i ndihmoi dhe i mbrojti gjatë persekutimeve. Pikërisht në ditën, në të cilën e gjithë Kisha Katolike kremtonte Zojën e Fatimës, në këtë zonë të Indisë, të krishterët mundën të festonin për shenjtëroren kushtuar asaj, megjithëse dhimbja psikologjike, agonia, traumat, ende rëndojnë mbi ta, sidomos mbi më të vegjlit.

 Fshati katolik i Sugadabadi-t përbëhet nga 120 familje. Drama e përjetuar në gusht, pothuajse 15 vjet më parë, me zjarre, shkatërrime, vdekje dhe mbi 50.000 vetë, që vraponin drejt pyllit, pa pyetur për kafshët e egra, sepse kishin më shumë frikë nga fundamentalistët kthyer në bisha, është akoma e gdhendur në kujtesë. Megjithatë, banorët e përjetuan me fe çastin e festës për shenjtëroren e re, duke vënë në pah besimin e tyre të thellë në Zotin dhe në ndërmjetësimin e shën Marisë.

Arrijmë paqen mendore, shndritemi, marrim orientime dhe këshilla, kur lutemi në shenjtërore. Zoti është një, por rrugët janë të ndryshme. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet tona fetare”, deklaroi Jharana Pradhan, zonja që punoi pa u lodhur dhe pa frikë për ta kthyer malin e Orisës në shenjtërore.

15 maj 2023, 13:19