Kërko

 Nikaragua, mbyllet Universiteti katolik Inmaculada Concepción Nikaragua, mbyllet Universiteti katolik Inmaculada Concepción   (AFP or licensors)

Nikaragua, mbyllet Universiteti Katolik Inmaculada Concepción

Universiteti, që i përkiste kryeipeshkvnisë në Managua, merrej me formimin filozofik dhe teologjik të seminaristëve. U mbyll ligjërisht, me pretekstin "shpërbërje vullnetare".

R. SH. - Vatikan

Më 18 maj, mediat Nikaraguane dhanë lajmin për mbylljen e një universiteti tjetër katolik, bazuar mbi vendimin e titulluar "mbyllje vullnetare" nga Ministria e Brendshme, kundër Universitetit Katolik Inmaculada Concepción (Zoja e Papërlyer) të Kryedioqezës së Managua (Ucicam).

Vitin e fundit, autoritetet e Nikaraguas mbyllen në mënyrë gjithnjë “vullnetare”, 17 universitete të tjera private, konsideruar nga opozitorët si mënyrë për të ushtruar presion mbi kundërshtarët.

Ucicam, që u përurua në vitin 2011, shërbente edhe si qendër  formimi për seminaristët nga kishat e ndryshme lokale të Amerikës Qendrore, duke ofruar formim në filozofi dhe teologji. Ndodhej në të njëjtat mjedise me Seminarin e Madh La Purísima, në Managua.

Kujtojmë se në Nikaragua edhe ipeshkvi Rolando Álvarez, të cilit iu mohua nënshtetësia dhe u dënua me 26 vjet heqje lirie, është në burg që nga shkurti i kaluar. Selia e Shenjtë aktualisht nuk ka asnjë përfaqësi diplomatike në Nikaragua, pasi i ngarkuari i saj me punë, Imzot Marcel Diouf, u largua nga vendi më 17 mars, me kërkesë të qeverisë.

Raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA për Lirinë Fetare 2022, i publikuar këtë javë, vë në dukje se "mungesa e transparencës nga ana e autoriteteve gjyqësore i bën edhe më të paqarta shkaqet e ndalimit të ipeshkvit Alvarez". Për më tepër, raporti kujton edhe "ndalimin, internimin dhe sulmet verbale kundër priftërinjve dhe ipeshkvijve", që quhen "kriminelë", "teoricienë të konspiracionit" dhe "nxitës të dhunës".

Nuk është hera e parë në histori që Kisha Katolike sulmohet me fjalë e me armë, gjakoset, zbret në katakomba, për të dalë përsëri edhe më e fuqishme në gjirin e besimtarëve të saj në Krishtin.

19 maj 2023, 12:13