Kërko

2023.05.29 Recita Rosario

Nga shenjtëroret mariane të gjithë botës, lutje për etapën sinodale të tetorit

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit i ka ftuar Kishat e pesë kontinenteve të luten sot, 31 maj, në përkujtimin liturgjik të Pasisë së Virgjërës Shenjte, për Asamblenë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në Romë nga 4 deri më 29 tetor. Të ndryshme, nismat e Konferencave Ipeshkvnore të mbarë botës. Në faqen e internetit kushtuar ngjarjes, doracakë e udhëzues në disa gjuhë

R.SH. – Vatikan

Sot, 31 maj, në përkujtimin liturgjik të Pasisë së Virgjërës Mari dhe në përfundim të muajit marian, Kisha Katolike mblidhet në lutje për t'ia besuar Nënës së Zotit punimet e Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të mbahet në Romë nga 4 deri më 29 tetor.

Ftesa për besimtarët e pesë kontinenteve vjen nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, përmes nismës "Me Virgjërën e Bekuar drejt Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve", për të cilën është hapur një faqe e veçantë interneti.

Synohet të ndërgjegjësohet Populli i Zotit për rëndësinë e procesit sinodal, duke i nxitur besimtarët ta shoqërojnë atë me lutje. Të dielën, gjatë Mbretëreshës Qiellore, edhe Papa Françesku ftoi t’i drejtohemi shën Marisë për “mbrojtjen e saj amnore", duke kujtuar se në shenjtëroret mariane të gjithë botës do të ketë lutje për Sinodin.

Pjesëmarrja e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve të ndryshme

Ndër vendet, që marrin pjesë në këtë nismë, janë edhe Shqipëria e Kosova, ku çdo ipeshkëv ka vendosur në ç’kishë do të kremtohet ky çast lutjeje për Sinodin. Vende të tjera janë Italia, Rumania, Gjermania, konferenca ipeshkvnore e Malajzisë-Singapurit-Bruneit, ipeshkvijtë e Norvegjisë, Finlandës, Islandës, Danimarkës, Suedisë, Indisë, Togos e Spanjës, ku ipeshkvijtë udhëheqin një Rruzare të veçantë, me një ndjet për procesin sinodal në çdo mister. Në Nikaragua, ku ndihet ende shtypja qeveritare kundër Kishës, besimtarët janë mbledhur gjithë ditën në lutje për të përfunduar me një kremtim të përbashkët, në mbrëmje. E kështu, edhe në vende të tjera.

Takimet e lutjes në shenjtëroret e mëdha mariane

“Maria, Nëna e Zotit, është gjithmonë me ne në rrugëtimin sinodal, sepse ajo është edhe Nëna e Kishës”, thuhet në një fragment nga dokumenti “Për një përshpirtëri të sinodalitetit”, hartuar nga Komisioni përkatës i Sinodit.

Në faqen e internetit të Sinodit njoftohen takimet e lutjes në shenjtëroret e mëdha mariane. Në shenjtëroren e Fatimës, në Portugali, në orën 18.30, në Kapelën e Dukjeve të Zojës, thuhet Rruzarja, e cila transmetohet nga kanalet radiotelevizive. Kremtime të ndryshme, edhe në atë të Zojës së Çestokovës, në Poloni e në atë të Knock-ut, në Irlandë, ndërsa në Maltë, ipeshkvijtë kanë zgjedhur për lutjen sinodale shënjtëroren Ta' Pinu, në dioqezën e Gozos. Në Filipine, përfshihen në këtë nismë 26 shenjtërore kombëtare mariane dhe bazilika të vogla, udhëhequr nga lutja në shënjtëroren ndërkombëtare të Zojës së Paqes. Së fundi, në Meksikë, takimi i lutjes kremtohet në shenjtëroren e Zojës që zgjidh nyjet, në Kankun.

31 maj 2023, 12:09