Kërko

Asambleja e përgjithshme e WUCWO Asambleja e përgjithshme e WUCWO

Në Asizi, asambleja e përgjithshme e WUCWO: gratë artizane të paqes në botë

Nga 14 deri më 20 maj, në qytetin e Umbrias, takimi i Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike (WUCWO). Reforma e Statutit dhe e rregullores, projektet e reja, zgjedhjet e Këshillit dhe të Presidentes së Përgjithshme, shtegtimet dhe çastet e lutjes janë pikat kryesore të programit të këtyre ditëve, për të cilin janë mbledhur më se 800 pjesëmarrëse nga 38 vende

R.SH. – Vatikan

Më se 800 gra janë mbledhur nga 14 deri më 20 maj, në Asizi të Italisë, për Asamblenë e përgjithshme të Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike (WUCWO). Ardhur nga anë të ndryshme të botës, ato duan të jenë "artizane të vëllazërimit njerëzor për një botë në paqe", siç nënvizoi Maria Lia Zervino, presidentja aktuale e përgjithshme e organizmit, ku bëjnë pjesë rreth 100 organizata.

Asambleja e përgjithshme e Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike (WUCWO)
Asambleja e përgjithshme e Bashkimit Botëror të Organizatave të Grave Katolike (WUCWO)

WUCWO - Bashkimi Botëror i Organizatave të Grave Katolike

Bashkimi Botëror i Organizatave të Grave Katolike (WUCWO) u themelua në vitin 1910 e tani është aktiv në rreth 50 vende, në të gjitha kontinentet, duke lidhur ndërmjet tyre rreth tetë milionë gra katolike nga të gjitha sferat e jetës. Qëllimi i Bashkimit Botëror është të promovojë praninë, pjesëmarrjen dhe bashkëpërgjegjësinë e grave katolike në shoqëri dhe në Kishë, në mënyrë që ato të realizojnë misionin e tyre ungjillëzues dhe të punojnë për zhvillimin njerëzor, veçanërisht në shtimin e mundësive për arsimim, në reduktimin e varfërisë dhe në promovimin e të drejtave të njeriut, duke filluar nga e drejta themelore për jetën. Në vitin 2006, Selia e Shenjtë e ngriti WUCWO-n në rangun e Shoqatës Publike Ndërkombëtare të besimtarëve.

Asambleja e përgjithshme

Më 13 maj në Romë, 1800 gra të WUCWO-së u pritën në audiencë nga Papa Françesku. Shumë prej tyre e takuan Atin e Shenjtë për herë të parë. “Ju falënderoj – u tha ai - për gjithçka bëni dhe ju inkurajoj të ecni përpara me entuziazëm në projektet dhe në veprimtaritë tuaja në favor të ungjillëzimit, duke ndjekur zërin e brendshëm të Shpirtit Shenjt e duke iu bindur dikimit të tij”.

Ditët e para të punës kaluan ndërmjet takimeve, diskutimeve, paneleve dhe seksioneve paralele me temë: “Gratë në Kishë”. Përveç kësaj, ato patën disa takime rajonale, gjatë të cilave shpjeguan veprimtaritë e kryera për organizatat anëtare dhe paraqitën rezultatet. Mbrëmjeve, janë planifikuar çaste festive për t’u njohur me kultura të ndryshme. Parashikohet reformimi i statutit dhe i rregullores së WUCWO-së, diskutimi për projektet e reja e përparësitë, rezoluta, zgjedhja e Këshillit dhe e presidentes së përgjithshme.

Asambleja e përgjithshme e WUCWO
Asambleja e përgjithshme e WUCWO

Observatori Botëror i Grave

Një nga projektet e Bashkimit të Grave Katolike është Observatori Botëror i Grave (WCO), që përpiqet të dëgjojë dhe të ndihmojë gratë nga rajone të ndryshme të planetit, veçanërisht ato më në rrezik, të cilat nuk kanë pushtet për ta ngritur zërin, ose nuk dëgjohen. Zëri i tyre, shpesh, humbet në detin e globalizimit të indiferencës. Objektivi i Observatorit është t'i bëjë këto gra të dukshme, si për vuajtjet, ashtu edhe për potencialin e tyre, duke frymëzuar strategji baritore nga ana e Kishës, sinergji nga ana e OJQ-ve të shoqërisë civile, politika publike nga shtetet dhe kontribute në axhendën ndërkombëtare, të cilat favorizojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor të grave dhe të familjeve, të bashkësive dhe të popujve të tyre.

Pjesëmarrja e të rejave

Një çast i rëndësishëm i Asamblesë ishte ai i dëgjimit të më të rejave. E morën fjalën dhjetë vajza nga vende të ndryshme, duke paraqitur këndvështrimin e tyre mbi gjithçka përjetuan ditët e para. Feja e tyre, dëshira për të ndihmuar dhe impenjimi personal në takim u pa nga të pranishmet si “frymëmarrja” e re, që do të mundësojë vazhdimin dhe përforcimin e punës së deritanishme.

Asambleja e përgjithshme e WUCWO - më të rejat
Asambleja e përgjithshme e WUCWO - më të rejat
18 maj 2023, 15:48