Kërko

2023.05.31 incontro del metropolita Anthony con l'arcivescovo Pezzi

Metropoliti Antonij dhe kryeipeshkvi i Moskës, Pezzi: t’i forcojmë urat

Rusi: dje, në Moskë, u takuan Metropoliti ortodoks Antonij dhe Kryeipeshkvi katolik i Moskës, Imzot Pezzi. Theksuan se është “shumë e rëndësishme të mbeten gjithnjë dyert e hapura dhe të mbahen në këmbë, madje të forcohen, urat"

R.SH. / Vatikan

Dje, e martë 30 maj, me ftesë të Imzot Paolo Pezzi-t, kryeipeshkëv i Moskës, metropoliti Antonij i Volokolamsk, kryetar i Departamentit për marrëdhëniet e jashtme kishtare të Patriarkanës së Moskës, vizitoi kompleksin e katedrales të Zojës së Papërlyer, në Moskë. Lajmin e dha Patriarkana e Moskës, përmes një note, në të cilën shkruhet se gjatë takimit “palët diskutuan për disa çështje aktuale të marrëdhënieve të Kishës Ortodokse Ruse me Kishën Katolike Romake”.

I pyetur nga agjencia e lajmeve SIR (Shërbimi i Informacionit Fetar), Kryeipeshkvi Pezzi komenton: “Vizita shkoi mirë. Pa hyrë në hollësira, mund të them vetëm se këto takime janë të rëndësishme për t’i pasur gjithnjë dyert hapur dhe për t’i mbajtur në këmbë, madje për t’i forcuar, ato ura, për të cilat Papa Françesku flet gjithmonë, sepse për to kemi gjithmonë nevojë të madhe”.

Pak ditë më parë Selia e Shenjtë konfirmoi se Papa Françesku i kishte besuar kardinalit Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe Kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, detyrën për një mision, në marrëveshje me Sekretarinë e Shtetit, për të "ndihmuar në zbutjen e tensioneve të konfliktit në Ukrainë, me shpresën gjithnjë të gjallë se ky mund të ishte hapi i parë në rrugët e paqes. Koha e këtij misioni dhe modalitetet e tij aktualisht janë duke u studiuar”. Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin, duke folur më vonë me gazetarët, shtoi se kardinali Zuppi do të jetë bashkëbiseduesi i vetëm për misionin në Kiev dhe në Moskë, ku pritet të takohet me presidentin ukrainas Zelensky dhe me presidentin rus Putin (nga agjencia SIR).

31 maj 2023, 14:39