Kërko

Lutja drejtuar Zojës Rruzare të Pompeit

8 maji është ditë e dashur për Marinë. Në këtë ditë, si në të dielën e parë të tetorit, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare, në Pompei, Zojës i drejtohet solemnisht lutja me Emrin e Saj, në orën 12. Të bashkojmë zërin me mijëra lutës, me rruzare në dorë e Marinë në zemër, në orën 12.00

R.SH. / Vatikan

8 maji është ditë e dashur për Marinë. Në këtë ditë, si në të dielën e parë të tetorit, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare në Pompei, Marisë i drejtohet solemnisht lutja me Emrin e Saj, në orën 12.

Lutja u kompozua më 1883 nga vetë themeluesi i shenjtërores, i Lumi Bartolo Longo.

Rruzarja u inkurajua dhe u mbështet nga shumë papë, duke nisur nga Benedikti XV, për të vijuar me Shën Gjon Palin II, Benediktin XVI dhe Françeskun të cilët, në raste të ndryshme, i nxitën besimtarët të kalojnë  disa çaste të lume pranë Zojës, me rruzare në dorë e Nënën e Krishtit në zemër!

Longo, terciar domenikan, avokat dhe anëtar i Urdhrit të Jeruzalemit, ishte i devoçëm i zjarrtë i Marisë dhe përhapës i shquar i Rruzares, përkushtim i dashur për gjithë urdhërin domenikan.

Shenjtërorja, e themeluar nga i Lumi, synonte veçanërisht përhapjen e devocionit marian, përmes lutjes drejtuar Marisë.

 Në Pompei, falë Bartolo Longos, përveç Shenjtërores madhështore, lindën edhe vepra të ndryshme me karakter shoqëror, si jetimorja, shtypshkronja dhe veprimtari të tjera bamirëse.

Burri, që nuk kurseu asgjë për Zojën, vdiq më 7 tetor 1927, shumë i varfër, por i lumtur që ia kushtoi gjithë jetën Virgjërës. I kthyer në fe në moshë madhore, ishte një nga dëshmitarët e mëdhenj të hirit që i sjell Rruzarja e shenjtë shpirtit njerëzor në jetën e përditshme, e cila shpesh përballohet vështirësisht!

E ndërsa në Shenjtëroren e Pompeit nis lutja, ta shoqërojmë edhe ne, me ndjetet tona, kudo që jemi në këtë mesditë jo të zakonshme:

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shëlbues të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.

08 maj 2023, 11:05