Kërko

 Kryetari i Caritas Internationalis, imzot Isao Kikuchi, në studiot e Radios sonë Kryetari i Caritas Internationalis, imzot Isao Kikuchi, në studiot e Radios sonë  

Kryeipeshkvi Kikuchi: ""Caritasi ndihmon njerëzit e braktisur të gjejnë shpresë"

Kryeipeshkvi metropolit i Tokios, president i sapozgjedhur i Caritas Internationalis, në intervistën e tij të parë pas zgjedhjes, dhënë mediave të Vatikanit, përshkruan punën e shumë vullnetarëve, të personelit të organizatës për ndihmën humanitare dhe afërsinë e Kishës Katolike me të braktisurit e botës.

R. SH. - Vatikan

 “T’i ndihmojë njerëzit ta dinë se nuk janë të harruar, ky është misioni i vërtetë i Caritas-it”. Kryetari i ri i Caritas Internationalis, Imzot Tarcisio Isao Kikuchi, kryeipeshkëv i Tokios, e përshkruan kështu funksionin e konfederatës ndërkombëtare katolike, një ditë pas zgjedhjes së tij për një mandat katërvjeçar nga 400 delegatët e pranishëm në Asamblenë e 22-të të përgjithshme të organizatës. Në një intervistë me Vatican News, kryeipeshkvi flet plot shpresë për misionin e tij të ri si dhe për vullnetarët e panumërt, që shprehin dashurinë e Zotit në akte konkrete shërbimi.

Shkëlqesi, në rolin tuaj të ri si kryetar i Caritas Internationalis, çfarë synimesh keni për këtë mision?

Caritas Internationalis është agjencia e dytë më e madhe e ndihmës humanitare në botë, pas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Prandaj njihet si OJQ profesionale, që u jep ndihmë njerëzve në situata të vështira. Por në të vërtetë ne nuk jemi thjesht OJQ. Jemi shumë më tepër. Jemi organizatë e Kishës Katolike dhe institucion në shërbim të Kishës. Kjo do të thotë se Caritasi duhet të jetë dëshmitar i dashurisë së Zotit. Ne nuk sigurojmë vetëm ushqim material apo ndonjë lloj ndihme tjetër. Jemi dëshmitarë të dashurisë së Zotit, për t'u treguar njerëzve se kështu i do Zoti të gjithë.

 Gjatë Asamblesë së Përgjithshme, vëmendja juaj u përqendrua kryesisht tek njerëzit e harruar, që nuk mbështeten nga organizata të tjera. Si i trajton Karitasi?

Do të doja të përdorja përvojën time si vullnetar në Karitas të Japonisë. Në vitin 1995 më dërguan në kampin e refugjatëve të Ruandës, në Bukavu të Zairesë (tani Republika Demokratike e Kongos). Aty takova disa refugjatë. Sigurisht që mungonte gjithçka. Nuk kishte ushqim, nuk kishte veshje, nuk kishte strehim dhe njerëzit kishin nevojë për të gjitha. Pastaj, herën e dytë që shkova në kamp, ​​takova disa nga drejtuesit e tyre e i pyeta se për çka kishin nevojë. Prisja të thoshin: “Ne kemi nevojë për ushqim, arsim, ilaçe, strehim”, apo diçka të tillë. Me fjalë të tjera, një listë e gjatë e nevojave të tyre. Por në vend të kësaj, më thanë: "Atë, ti je nga Japonia. Pra, kur të kthehesh në Japoni, thuaju se jemi ende këtu: të gjithë të harruar". Kjo më tronditi vërtet. Pas asaj përvoje, takova shumë njerëz në zona të ndryshme, në vende të ndryshme të prekura nga fatkeqësitë, njerëz në zona të shkatërruara nga lufta apo konflikti.  E dëgjova të njëjtën histori, të njëjtën thirrje: “Jemi të harruar, të harruar”. Ky është misioni i vërtetë i Caritas-it: t’i ndihmojë njerëzit ta kuptojnë se nuk janë të harruar. Ne duam të jemi me ta. Sigurisht që ofrojmë asistencë profesionale, por në të njëjtën kohë duam t'u themi se jemi gjithmonë me ta, gjithmonë punojmë me ta, i kujtojmë gjithmonë. Askush nuk do të përjashtohet, askush nuk do të harrohet.

15 maj 2023, 11:21