Kërko

Kisha e arbëreshëve në Romë Kisha e arbëreshëve në Romë

Këngët arbëreshe të Makjit paraqiten të shtunën në Romë

Më 20 maj, në Kolegjin Papnor Grek të Romës, paraqitet libri i don Pasquale Ferraros me titull “Këngë liturgjike bizantine”. Në bisedë me autorin, në orën 17.00, të pranishmit do të njihen me këngët tradicionale kishtare të Makjit (Macchia Albanese), në komunën e njohur të Shën Mitrit (San Demetrio Corone), transkriptuar enkas për këtë vëllim

R.SH. – Vatikan

Në via del Babuino, jo larg nga Sheshi i famshëm i Spanjës, në Romë, ndodhet Kisha e shën Athanasit, vend kulti dhe pikë ku mblidhen prej kohësh arbëreshët, që jetojnë në kryeqytetin italian, si edhe dashamirësit dhe shqiptarët e emigracionit të vjetër e të ri. Kësaj së shtune,më 20 maj, arbëreshët i ftojnë të gjithë të marrin pjesë në paraqitjen e një tradite gojore të rëndësishme për ta, e cila ka të bëjë me liturgjinë e ritit bizantin, greko-katolik që përdorin gjatë kremtimeve fetare e që ka qenë vendimtare për ruajtjen dhe mbijetesën e gjuhës dhe të bashkimit ndërmjet tyre në shekuj.

Libri “Këngë liturgjike bizantine”

Më 20 maj, në orën 17.00, në Sallën Akademike të Kolegjit Papnor Grek, që ndodhet pikërisht në via del Babuino 149, pranë Kishës, do të paraqitet libri i papas Pasquale Ferraros me titull “Këngë liturgjike bizantine”. Autori, i cili do të jetë i pranishëm e do të flasë personalisht për veprën e tij, ka transkriptuar këngët e traditës gojore të Makjit (Macchia Albanese), fraksion i komunës së njohur arbëreshe të Shën Mitrit (San Demetrio Corone), themeluar në shekullin XV nga shqiptarët e ardhur nga trojet mëmë, pas pushtimit otoman.

Nuk ka qenë e lehtë të mblidhen këto këngë, të cilat janë gjithnjë në rrezik për t’u zhdukur me kalimin e viteve, me humbjen e traditës gojore e të rëndësisë, që kishin dikur për bashkësinë, por edhe me hyrjen e këngëve të reja, marrë, ndoshta, nga tradita të tjera të ngjashme, por jo të njëjta me ato arbëreshe. Prandaj, synimi kryesor i botimit të librit është pikërisht ruajtja e kësaj tradite shpitërore e kombëtare, kishtare e kulturore, e cila u duhet kaluar brezave të rinj të meshtarëve e të besimtarëve.

Ftesa për paraqitjen e librit
Ftesa për paraqitjen e librit

Pjesëmarrësit

Gjatë takimit të së shtunës do të flasin ipeshkvi i Ungrës së arbëreshëve të Italisë Kontinentale, imzot Donato Oliverio; famullitari i Kishës bizantine të Shën Kollit të Mirës, në Leçe, protopapàs Nik Pace, i cili, vite më parë, ka qenë edhe drejtor i Karitasit të Shqipërisë; kryetari i Komitetit Kombëtar Federativ të Pakicave Gjuhësore të Italisë (CONFEMILI), prof. Domenico Morelli. Gjatë paraqitjes së librit do të ketë edhe disa intervale me këngët e marra nga CD-ja e bashkangjitur me tekstin.

Don Pasquale Ferraro

Papas Pasquale Ferraro, autor i librit, është më se i njohur për bashkësinë e katolikëve shqiptarë në Itali, pasi ka qenë koordinator kombëtar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane për emigrantët shqipfolës. Gjithashtu, ai është rektor i Kishës së Shën Gjonit të Malvës, pikë referimi për katolikët shqiptarë të Romës. Çdo vit, të dielën e fundit të majit, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, organizon shtegtimin e shqiptarëve në Gjenacan, tek Zoja e Këshillit të Mirë. Por, ai është sidomos muzikant e muzikolog, njohës i thellë i traditës kishtare muzikore bizantine. I tij është vëllimi “Këngët e liturgjisë hyjnore dhe Java e Madhe. Riti bizantin. Teksti grek për krahasim”, publikuar në vitin 2012 nga Shtëpia Botuese Milella. Teksti muzikor është ripërpunim i kohëve popullore të "Liturgjisë Hyjnore" dhe i këngëve më të rëndësishme të "Javës së Madhe" të ritit kishtar bizantin, që përdoret në Kishat katolike të arbëreshëve në Itali. Tani, autori i librit të ri për këngët bizantine të Makjit kthehet në rojtar të kujtesës për popullin arbëresh, të cilit i përket.

Makji (Macchia Albanese)

Kujtojmë se Makji, nga tradita gojore e të cilit janë marrë këngët e paraqitura në vëllimin “Këngë liturgjike bizantine”, është tejet i rëndësishëm për historinë e shqiptarëve, pasi aty ka lindur Jeronim De Rada, ati i letërsisë moderne shqipe. Për të mos folur pastaj për Shën Mitrin, komunën ku bën pjesë ky fraksion, në provincën e Kozencës, në Kalabri. Aty ndodhet Kolegji arbëresh i Shën Adrianit, institucion kishtar e kulturor, që luajti një rol të jashtëzakonshëm për ruajtjen e ritit lindor kishtar dhe të traditave shqiptare, fener i trashëgimisë së identitetit shqiptar, ku u formuan intelektualë të shquar arbëreshë. Shën Mitri është i njohur edhe për Festivalin e Këngëve Arbëreshe, që mbahet pikërisht këtu, çdo vit

17 maj 2023, 13:18