Kërko

Fushata 2023 e Renovabis Fushata 2023 e Renovabis

Fushata e Rrëshajëve e Renovabis: edukimi i të rinjve në Shqipëri e Kosovë

Organizata humanitare për mbështetjen e vendeve të Evropës Lindore ia ka kushtuar edicionin e sivjetëm të fushatës së saj forcës punëtore, që largohet nga rajonet lindore të kontinentit të vjetër dhe lëviz drejt perëndimit, veçanërisht drejt Italisë dhe Gjermanisë. Imzot Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranës: Evropa duhet të tregohet më e bashkuar në rregullimin e flukseve migratore dhe në integrimin e refugjatëve. Shumë të rinj po kthehen në Shqipëri, Kisha impenjohet në formimin e tyre

R.SH. – Vatikan

Megjithëse Shqipëria po bëhet më tërheqëse nga pikëpamja turistike, shumë të rinj ende mendojnë se e ardhmja e tyre do të përmirësohet vetëm nëse largohen nga vendi: paga mesatare mujore, siç dihet, arrin në 400-600 euro, nëse nuk zbret në shifra të papranueshme për përballimin e jetesës, ndërsa papunësia e të rinjve është 25% në Shqipëri e 50% në Kosovë. Shteti social akoma ka shumë rrugë për të bërë, prandaj, ikja jashtë vendit mbetet shpesh mundësia më e mirë për ta përmirësuar jetesën. Puna me kontratë të shkurtër, që nuk jep siguri në jetë, është bërë e zakonshme, ndërsa garancitë shëndetësore janë tejet të ulta. Shqiptarët emigrojnë zakonisht në Itali, ndërsa kosovarët në Gjermani, ku aktualisht jetojnë pothuajse 200 mijë shqiptarë, rreth një e dhjeta e popullsisë së Kosovës.

Impenjimi i Renovabis në favor të shkollave

Organizata humanitare katolike gjermane për Evropën Lindore, Renovabis, ia ka kushtuar sivjet fushatën e saj kombëtare të Rrëshajëve pikërisht kushteve të punëtorëve migrantë – nganjëherë, shumë të këqija - veçanërisht të atyre, që vijnë në Gjermani nga Evropa Lindore. Renovabis impenjohet në fushën e edukimit për t’i mbështetur brezat e rinj në vendin e tyre dhe për t’ua vlerësuar talentet. Për shembull, në vitin 2005, hapi në Lezhë një shkollë të drejtuar nga etërit rogacionistë: “Kemi shumë fëmijë të varfër – pohon drejtori, Át Antonio Leucci – sidomos romë, të cilët më vonë do të mund të vazhdojnë edhe universitetin”. Shkollën e frekuentojnë më se 350 djem dhe vajza nga familjet katolike, myslimane dhe ortodokse, nënvizon rregulltari italian. “Përpiqemi t’u transmetojmë ndjenjën e miqësisë dhe të bashkimit. Fatmirësisht, në Shqipëri nuk ka probleme ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Jemi vëllezër dhe motra. Shpresoj që ky realitet t’i qëndrojë kohës”.

Ndihma e Karitasit në krijimin e vendeve të punës

Në Kosovë mund të jetohet mirë. Lufta ka përfunduar që prej 24 vitesh, ende ka plagë të hapura, por shumë gjëra po ndryshojnë. Janë të bindur për këtë disa rregulltarë të impenjuar në shkollat ​​lokale, që u japin të rinjve mundësinë për të qëndruar në vend. Aktualisht, Karitasi po përpiqet të vërë në jetë një projekt në shkallë të gjerë, në Shqipëri dhe Kosovë, mbështetur pikërisht nga Renovabis. “Quhet ‘Your Job’ (Puna jote) dhe synon integrimin e të rinjve nga mosha 15 deri në 35 vjeç në tregun e punës”, shpjegon Juliana Bici e Karitasit të Shqipërisë. “Kurse dhe praktika, që ndihmojnë në integrimin. Konsulencë për ngritjen e bizneseve të vogla. Të gjitha këto gjëra nuk i bëjmë vetë, por i organizojmë ne”.

Imzot Arjan Dodaj
Imzot Arjan Dodaj

Imzot Arjan Dodaj: politika evropiane për migrantët

Një nga gazetaret e programit gjerman të Radio Vatikanit, Gudrun Sailer, shkoi në këtë periudhë, për llogari të Renovabis, në Shqipëri e Kosovë, pikërisht për t’u njohur me projektet e organizatës katolike gjermane në këto vende. U takua me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodajn, edhe ai vetë, dikur emigrant në Itali, ku dëgjoi thirrjen e Zotit për meshtari. Duke reflektuar për politikat e migracionit në Itali e në Evropë, ai nënvizon se Italia ka të drejtë kur kërkon impenjimin e krejt Bashkimit Evropian për t’u bërë ballë valëve të emigracionit, që arrijnë në brigjet e saj. “Italia nuk mund të mbajë përgjegjësinë, e vetme, për përgjigjen e një kontinenti të tërë”, thekson ai, duke vënë në dukje se këto ditë, në ishullin italian të Lampeduzës, numri i emigrantëve është katër herë më i madh se numri i vendeve të caktuara për ta.

Nuk mund të presim që Shqipërinë ta bëjnë të tjerët

Ndërkaq, ai u bën thirrje të rinjve shqiptarë, që largohen nga vendi, të kontribuojnë në ndërtimin e në përmirësimin e tij. Nuk mund të presim që Shqipërinë ta bëjnë të tjerët, nënvizon, jemi ne që duhet të përveshim mëngët. Të tjerët vetëm mund të na përkrahin. Si Kishë, duhet t’i ndihmojmë të rinjtë ta kuptojnë se gjithçka mund të bëhet me sakrificë e gradualisht, por edhe të pranojmë se shpirti i tyre është i lirë e nuk i vë fre lëvizjes, vëren imzot Dodaj. Emigracioni është në natyrën e njeriut, por ka edhe shumë të rinj, që po kthehen për ta rifilluar jetën në Shqipëri.

Universiteti katolik duhet të jetë vërtet i tillë

Së fundi, një mendim për arsimin katolik. Shkollat katolike në vend bëjnë një punë të mirë për formimin e të rinjve, por nuk kanë të njëjtën përkrahje si universiteti. Ky i fundit, kërkon imzot Dodaj, duhet të jetë vërtet katolik, jo vetëm me emër e, duhet të përfshijë më tepër Kishën lokale. E, duhet të shikojë interesat e të rinjve shqiptarë, sepse nganjëherë, ka rrezik të kthehet thjesht në biznes, përfundon kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit.

19 maj 2023, 11:23