Kërko

 Pentecoste Pentecoste

Fjala e Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘A’

Rrëshajët janë festa e Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jerusalem. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore e vendimtare, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.

R.SH.-Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jeruzalem.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘A’

Kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e këtë të diel, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishti Zot i pat premtuar dhe dhuruar asaj, pra, ne të gjithëve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona me Sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim, të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, të cilin jemi të ftuar ta pranojmë, ta dëgjojmë e ta dëshmojmë në jetë dhe në marrëdhënie të përditshme me të tjerët.

Festa e Rrëshajëve, festa e Ardhjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore e vendimtare, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.  

Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë,  Ai është miku e shoku i përjetshëm dhe i përhershëm i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë qiellore. Është Shpirti Shenjt Zot Ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister të Krishtit Zot. Është Shpirti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet tona e të njerëzimit mbarë në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij.

Me Rrëshajët përmbushet plani i Hyjit për krijimin e një populli të ri e lind Kisha. Të ndalemi shkurt tek figurat, me të cilat paraqitet Shpirti Shenjt: figura e stuhisë dhe e zjarrit. Stuhia, na kujton se atё çka është ajri për jetën biologjike, është Shpirti Shenjt Zot për jetën shpirtërore; e ashtu siç ekziston ndotja atmosferike, që helmon mjedisin dhe qeniet e gjalla, ekziston edhe ndotja e zemrës dhe e shpirtit, që e helmon dhe e nxin jetën shpirtërore.

Më pas, kemi zjarrin, njё figurë tjetër e Shpirtit Shenjt, për të cilën na flasin Veprat e Apostujve. Zjarrin e vërtetë, Shpirtin Shenjt, e solli mbi tokë Jezu Krishti. Ai nuk ua rrëmbeu zotave, si bëri Prometeu, sipas mitit grek, por u bë ndërmjetës i ‘dhuratës së Hyjit’ pёr njerёzimin, duke nxjerrë për ne hirin e aktit më të madh të dashurisë: vdekjen e vet mbi kryq. Festa e Rrёshajve na kujton Shpirtin Shenjt, që zbriti mbi Kishën në fasha, duke e bërё atë misionare, dhe e nisi t’u kumtonte mbarë popujve fitoren e dashurisë hyjnore mbi mëkatin. Prandaj t'i lutemi Shpirtit Shenjt Zot:

Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen!

                                                Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Vap 2, 1-11)

Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.
Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas?  Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?
Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të
Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenj e proselitë, kretas e arabë - të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërishme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit !

Psalmi 104 (103)

Ref: Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.

________________

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
________________

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
________________

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
________________

Leximi i dytë (1 Kor 12, 3-7. 12-13)

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, askush që fletë në ndikimin e Shpirtit të Hyjit nuk thotë: “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.
Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit !

NDJEKËSORJA

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë,

për nevojtarë,
eja, ti n’ dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ ngushtica
ngushëllim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’ lodhunt
n’ jetë rishtas forcon.
N’ mund e djersë ti je pushim,
n’ vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë,
zemrat ngushëllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’ dashuri
kalle flakë kënd n’ ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’ natyrë t’ njerit
gjë s’qëndron
që t’ jetë shenjte, si ti
don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’ shpirtra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shëro.

Çka ësht’ t’ brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’ shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ ty besojmë,
jepna ne që n’ ty shpresojmë,
shtatë dhantitë
që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’ mëkat me vdekë
ti mos na le,
bën me ty

n’ amshim t’
lumnojmë.

Aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn 20, 19-23)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”
Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.
Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

RRËSHAJËT: SI SHPIRTI SHENJT I SHNDRISTE TË SHPREHESHIN

(Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); 1 Kor 12, 3-7.12-13; Gjn 20, 19-23)

Sot Kisha kremton ditëlindjen e saj. Kisha lind kur përshkohet nga Hiri Hyjnor dhe e përçon atë, kur dëshmon e kur shpall.

Por, para se t’i kthehemi këtyre të vërtetave, na duhet të bëjmë dy parashtesa të vogla, njëra teologjike e tjera gjuhësore.

Ndonjëri nga teologët bashkëkohorë e quan Shpirtin Shenjt «i harruari i madh». Me këtë duan të theksojnë faktin se në traditën e teologjisë së krishterë flitet shumë për Atin, flitet po aq shumë për Birin, por flitet shumë pak dhe shumë përciptazi për Shpirtin Shenjt. Madje flitet pa masë më shumë për Marinë, Zojën e Bekuar, sesa për Shpirtin Shenjt. E prandaj teologët bashkëkohorë sikur kanë filluar ta korrigjojnë këtë detaj dhe, të bazuar në Shkrimin Shenjt, kanë shkruar tekste të një thellësie vërtet të madhe.

Nuk duhet të harrojmë se Shpirti Shenjt ishte premtimi i madh që Jezusi u bëri apostujve natën para se të arrestohej. Jezusi arriti deri aty sa t’u thoshte: «Është më mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju.» Duket sikur kështu dëshiron të thotë se prania e Shpirtit Shenjt qenka më e fortë se prania e Tij fizike në mes tyre. Janë fjalë vërtet shumë të forta, por po e shohim se në ç’mënyrë duhen kuptuar.

Pastaj, parashtesa e dytë, ajo gjuhësorja, është se, në gjuhën shqipe, termi për të përshkruar këtë ditë është pak i çuditshëm: Rrëshajët. Normalisht kjo nuk ka të bëjë aspak me gjarpërinjtë që kanë të njëjtin emër, por nuk dihet se si ka hyrë në gjuhën shqipe një term i tillë për të treguar këtë festë të krishterë. Por po ua lëmë gjuhëtarëve që ta zgjidhin këtë problem e të na e shpjegojnë.

Një term tjetër i përdorur nganjëherë nga liturgjia është ai i Pesëdhjetores, por nuk përdoret edhe aq shumë. Ky term ka për qëllim që ta përkthejë fjalë për fjalë termin Pentecoste me prejardhje nga greqishtja e vjetër, që tregon se kjo festë kremtohet pesëdhjetë ditë pas festës së Pashkëve. Megjithatë nuk ka rëndësi edhe aq të kuptojmë se si ka hyrë në përdorim ky term në gjuhën shqipe për të kremtuar këtë të vërtetë të besimit tonë. Rëndësi ka të kuptojmë domëthënien e asaj që kremtojmë.

Thamë se sot kremtojmë ditëlindjen e Kishës. Le t’i hedhim një shikim të shpejtë leximeve të sotme e do ta kuptojmë se kjo është e vërtetë.

Në leximin e parë na tregohet se si ndodhi ardhja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt. Pjesa e treguar nga Shën Luka na thotë se apostujt ishin të bashkuar në po atë vend ku Jezusi kishte ngrënë darkën e fundit me ta. Papritmas u dëgjua një zhurmë si «ushtimë nga qielli», «si shungullimë e erës së fortë» që erdhi dhe e mbushi shtëpinë ku gjendeshin apostujt me të tjerët. Pastaj «u dukën gjuhë, si të ishin zjarri, që u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre». E këtu të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flisnin në gjuhë të ndryshme, «ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin».

Pa dashur të hyjmë në analizimin e të gjitha detajeve të këtij teksti të rëndësishëm, le të shohim vetëm një prej këtyre detajeve: tregimi menjëherë vazhdon duke na thënë se në atë ditë në Jerusalem gjendeshin njerëz që kishin ardhur «prej të gjitha kombeve të botës». Kishin ardhur kaq shumë sepse donin të festonin ditën kur Zoti i kishte dhënë Moisiut Dhjetë Urdhërimet, pesëdhjetë ditë pasi që kishin kaluar në këmbë Detin e Kuq, duke u liruar kështu nga skllavëria e Egjiptit. E gjithë kjo turmë që u gjend në qytet, pra, kur dëgjoi zhurmën, rendi për të parë se ç’ndodhi. E teksti thotë: «secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet». Më parë thuhej se apostujt ishin të mbledhur në vendin e Darkës së fundit, pra, se ishin brenda, kurse tani thuhet se të gjithë «i dëgjonin duke folur». Lind pyetja: Ku shhkuan muret?

Mbase me dashje Shën Luka e bën këtë kalim nga apostujt e mbyllur brenda, tek turma që dëgjon, për të treguar se fryti më i bukur që po sillte Shpirti Shenjt ishte pikërisht “shembja” e mureve, heqja e pengesave të ndryshme në mes të popujve, bashkimi. Tashmë popujt po ftoheshin drejt një bashkimi të gjithëmbarshëm. Pikërisht E gjithëmbarshme do të thotë Katolike. Kjo është Kisha.

Në Ungjill, Jezusi i Ngjallur do t’u dhurojë Shpirtin Shenjt apo­stujve qysh ditën e parë që u shfaqet: «Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që ua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk ua falni, nuk u falen». Kjo është Rrëshaja sipas Shën Gjonit. Nuk ka kundërshtim mes këtij tregimi dhe atij të Veprave të Apostujve: Jezusi e di se pa ndihmën e Shpirtit Shenjt, nuk do të mund ta besojnë e ta dëshmojnë Ngjalljen e Tij. Këtu Jezusi është vetëm me apostujt dhe kështu na bën të kuptojmë se vetëm apostujt dhe pasardhësit e tyre (papa e ipeshkvinjtë) do të jenë në Kishë garantët e faljes ose mos faljes, së mëkateve. Një autoritet të tillë nuk e kanë të gjithë besimtarët. Kur Shpirti Shenjt do të zbresë ditën e Rrëshajëve, do t’i gjejë apostujt së bashku me Marinë e me disa nxënës të tjerë. Kështu mund të themi se dhënia e Shpirtit Shenjt që bën Jezusi ditën kur u Ngjall, ishte në lidhje me pushtetin e apostujve për të falur mëkatet, ndërsa ditën e Rrëshajës Dhurata e Shpirtit Shenjt kishte të bënte me Kishën në tërësi, duke e mbushur atë me të gjitha dhuratat e nevojshme për të qenë Kishë. Këtu ishin të mbushur të gjithë me dritën e Tij e secili ndihmonte secilin: «ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste».

Shën Pali, në leximin e dytë, hyn më në detaje të kësaj shndritjeje që Shpirti Shenjt bën në secilën gjymtyrë të Kishës: «Vëllezër, askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit, nuk thotë “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as “Jezusi është Zot.”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt». Pra ungjillizimi (që përqendrohet në shpalljen e Krishtit të Ngjallur) është vepër e drejtpërdrejtë e Shpirtit Shenjt. Në këtë vepër Ai e shndrit secilin anëtar të Kishës që të japë ndihmesën e vet, sipas aftësive të ndryshme që i jep secilit. Thotë Shën Pali: «Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë.»

Shpirti Shenjt është ai që i nxiti apostujt të predikonin ditën e Rrëshajëve. Ai i ka ndihmuar në predikimin e tyre jo vetëm apostujt, por edhe të gjithë predikuesit e historisë. Ai ka shndritur teologët, ka mbushur me zell misionarët, ka nxitur të krishterët që të bashkoheshin në lutje në forma nga më të ndryshmet, ka frymëzuar themeluesit e kongregatave, ka forcuar martirët. Plus kësaj, edhe të gjitha aftësitë e ndryshme që njeriu ka, shpirtërore, intelektuale e fizike, janë dhuratë e Tij, për të mirën e të gjithëve. «Në një të vetmin Shpirt Shenjt, të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm.» - thotë Shën Pali.

Jo vetëm kaq, por Shpirti Shenjt realizon në Kishë edhe efektet e Pashkës, pra të Vdekjes e të Ngjalljes së Krishtit. Të gjitha sakra­mentet kanë për qëllim të na zhysin në këtë mister shëlbimprurës e kjo ndodh vetëm falë forcës së Shpirtit Shenjt. Shën Ireneu, qysh në shekullin e dytë thoshte diçka shumë të bukur: «Biri i mishëruar dhe Shpirti Shenjt janë dy duart me të cilat Ati vepron në historinë e shëlbimit.» Pra, Biri ka kryer veprën shëlbimprurëse, kurse Shpirti Shenjt bën të mundur që njerëzit të marrim pjesë në këtë vepër. Pa Shpirtin Shenjt Kisha është si një trup i vdekur: i ka të gjitha gjymtyrët, por nuk kanë jetën. Sikurse në fillimin e historisë njerëzore «njeriu u bë qenie e gjallë» vetëm kur Hyji «i shtiu frymën e jetës», ashtu edhe ata që besojnë në Krishtin e Ngjallur, kanë nevojë për Hirin e Shpirtit Shenjt, për t’u bashkuar me Krishtin e për ta shpallur Atë. Në këtë kuptim kremtojmë sot ditëlindjen e Kishës. Në këtë kuptim Krishti u thotë apostujve: «Është më mirë për ju që unë të shkoj.»

E, siç thamë në fillim, prapëseprapë, Ai ka qenë «i harruari i madh». Por mbase këtë “qëndrim në harresë” Shpirti Shenjt nuk e ka pasur edhe aq problem. Ndonjë teolog tjetër me të drejtë e krahason rolin e Shpirtit Shenjt me atë të një gruaje në shtëpi: edhe pse të qenit kryefamiljar i lihet përgjithësisht burrit, pothuajse gjithnjë është nëna ajo që kalon më shumë kohë me fëmijën. Ajo e ushqen atë, e mëson të ecë, e mëson të flasë dhe zakonisht merret më shumë se i ati për edukimin e tij. E, nga ana tjetër, nëna nuk e ka problem që drejtimi i familjes t’i njihet babait. Kjo ngaqë “meraku” i saj janë fëmijët, mbarëvajtja e familjes, dhurimi i dashurisë të gjithëve e jo të duket. Kështu edhe Shpirti Shenjt, duke vazhduar të jetë Hyj i barabartë me Atin e me Birin, e shfaq pikërisht kështu “atësinë” (apo “amësinë”) e vet: duke zgjedhur që të qëndrojë përvujtërisht si në prapaskenë të gjithçkaje.

Prandaj edhe tek ndjekësorja që dëgjuam, thuhen këta rreshta vërtet të ëmbël:

«Eja, o Atë, për nevojtarë;

 eja, ti n’dhanti bujar;

eja, ti që mendjet shndrit!».

Dom Dritan Ndoci

27 maj 2023, 10:29