Kërko

 VI domenica di Pasqua 'A' Gesù - Vangelo VI domenica di Pasqua 'A' Gesù - Vangelo

Fjala e Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Ungjillit i kёsaj sё diele nga Gjoni na kujton se dashuria është urdhërimi kryesor i Jezusit dhe na mёson, si krishterët, ta duan njëri-tjetrin, sipas shembullit të Jezu Krishtit Zot.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës Hyjnore të Dielës së 6-të të Pashkëve, ciklit të parë 'A', sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Jemi duke ju afruar festës së Rrëshajëve, festës së Shpirtit Shenjt Zot, dhe liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 6-të e kohës së Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Ai që, duke mbet me ne dhe në ne për gjithmonë, na mundëson të zbatojmë e të mishërojmë në jetën e përditshme thirrjen e Pjetrit: “adhurojeni Zotin, Krishtin, në zemra tuaja, përherë të gatshëm ti përgjigjeni kujtdo që të ju pyes mbi arsyen e shpresës që është në ju” (1Pt 3,15). 

Në Leximin e Parë nga Veprat e Apostujve (Vp 8,5-8.14-17) Pjetri e Gjoni bëjnë një vizitë në Samari e ky udhëtim i tyre konfigurohet si një etapë e udhës drejt bashkimit dhe ekumenizmit. Vënia e duarve të apostujve mbi persona nga Samaria tregon një mënyrë për të konfirmuar e vërtetuar punën e bërë nga themeluesi i kësaj bashkësie të krishterësh që është Filipi.

Në Leximin e Dytë nga Letra e Parë e shën Pjetrit (1Pt 3,15-18) arma e të krishterit para padrejtësive, mashtrimeve, përndjekjeve, nuk është asgjë tjetër përveç se butësia, respekti i pakushtëzuar për të tjerët, dëshmia e dashurisë dhe faljes së Zotit. Vetëm duke pranuar vdekjen, Kisha mund ti sjell dritën botës, sepse nuk është institucioni ai që duhet të triumfoi, por feja.

Ungjilli nga Gjoni (Gjn 14,15-21) na kujton se dashuria është urdhërimi kryesor i Jezusit dhe na mёson, si krishterët, ta duan njëri-tjetrin, sipas shembullit të Jezu Krishtit Zot. Ungjilli na kujton Darkën e Mbrame të Jezusit me dishepujt e Tij. E në çastin më dramatik të kësaj Darke, Jezusi u premtoi atyre se pas Tij nuk do të mbeteshin jetimë, sepse do të merrnin një “Ngushёllues, njё Mbrojtёs tjetër”, “Shpirtin e së Vërtetës”. Fjalë, këto, që përçojnë gëzimin e ardhjes së re të Jezu Krishtit, përmes Shpirtit Shenjt Zot. Duke medituar këto fjalë të Jezusit, përceptojmë sot, me ndjesinë e fesë, se jemi popull i Zotit, në bashkim me Atin e me Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Në këtë mister bashkimi, Kisha gjen burimin e pashterrshëm të misionit të saj, që realizohet përmes dashurisë.

Dashuria na bën ta njohim Jezusin, e dashuria për Zotin e të afërmin, është urdhërimi më i madh i Ungjillit. Fjala e Zoti na thërret të përkojmë bujarisht me thirrjen ungjillore të dashurisë, duke e vënë Atë në qendër të jetës sonë e duke iu kushtuar shërbimit të vëllezërve, posaçërisht atyre, që kanë më shumë nevojë për ndihmë e ngushëllim. Nuk është kurrë as gjë e lehtë, as e sigurt, edhe në bashkësinë e krishterë, të duash sipas shembullit të Zotit e me hirin e Tij. Nganjëherë grindjet, krenitë, zilitë, smira, përçarjet e vrugojnë edhe fytyrën e bukur të Kishës. Bashkësia e krishterë do të duhej të jetonte në dashurinë e Krishtit, por ndodh që pikërisht djalli zgjat kthetrën e ne shpesh e lëmë të na gënjejë.

Në Ungjillin e kёsaj sё diele nga Gjoni kemi fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit e Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë”. Frazë e cila na kujton sidomos se dashuria për njeriun, e edhe për vetë Zotin, nuk dëshmohet me fjalë, por me fakte.

T’i mbash urdhërimet do të thotë t’i  zbatosh në kuptimin ekzistencial, në mënyrë që të të pushtojnë gjithë jetën. Të jesh i krishterë nuk do të thotë, në radhë të parë, t’i përkasësh një farë kulture, ose të pranosh një farë doktrine, por ta lidhësh jetën, në të gjitha aspektet, me Vetjen e Jezusit e, përmes Tij, me Atin. Shpirti Shenjt Zot na mëson gjithçka, ose më mirë të themi, gjënë më të domosdoshme: të duam, ashtu si do Zoti.

                                                        Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 8, 5-8.14-17

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Filipi zbriti në një qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.  Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt. Fjala e Zotit.

Pslami 66

Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha

——————————————–

Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme
janë veprat e tua!”

——————————————–

Le të të adhurojë mbarë toka e le të këndojë, 
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese
mes bijve të njerëzve!

——————————————–

Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.

——————————————–

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim. 
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet.

Leximi i dytë    1 Pjt 3, 15-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq – nëse është vullnesa e Hyjit – duke bërë mirë se duke bërë keq. E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Fjala e Zotit.

Aleluja: Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë. Aleluja

Ungjilli  Gjn 14, 15-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë; do të vij tek ju.  Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj. Edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.”  Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA VI E PASHKËS: MBAJTJA E URDHËRIMEVE DHE SHPIRTI I SË VËRTETËS

(Vap 8, 5-8. 14-17; Ps 66 (65); 1 Pjt 3, 15-18; Gjn 14, 15-21)

«Pasi që shpirti hyn në këtë dhomë, përmes një pamjeje intelektuale, të tre Personat e të Shenjtërueshmes Trini i dëftohen falë një farë shpalosjeje të së vërtetës, si shkreptima e një zjarri që e pushton menjëherë shpirtin si një re plot shkëlqim. Tre Personat shihen qartas dhe shpirti, falë një njohje të mrekullueshme që i jepet, e kupton me një siguri absolute se të tre janë të Njëqënshëm, se janë një pushtet i vetëm, një dije e vetme, një Hyj i vetëm. E kështu, atë që e besojmë në saje të fesë, këtu shpirti e përcepton, mund të themi, me pamje, edhe pse nuk shihet asgjë as me sytë e trupit e as me sytë e shpirtit, sespe nuk bëhet fjalë për një pamje imagjinare. Atëherë të tre Personat Hyjnorë ndikohen në shpirt, i flasin atij, e bëjnë të kuptojë ato fjalët e thëna nga Zoti në Ungjill: se Ai do të vijë, së bashku me Atin e me Shpirtin Shenjt, për të banuar në shpirtin që e do dhe që i mban urdhërimet e tij.»

Janë këto fjalët e famshme në botën e mistikës të shkruara nga Shenjtja Terezë e Avilës në librin e saj të njohur «Kështjella e brend­shme», në të cilin ajo përshkruan ecjen e madhe që i duhet të bëjë një shpirt (çdo etapë të ecjes ajo e quan dhomë) për të hyrë në intimitet me Zotin e vet. Fjalët e cituara më sipër janë një pjesë e përshkrimit të çastit kur shpirti bashkohet plotësisht (dhoma e shtatë), qysh në këtë jetë, me Hyjin e vet. E të bën përshtypje në këto rreshta qartësia, thjeshtësia dhe bukuria me të cilën shenjtëresha arrin të përshkruajë gjëra të cilat pothuajse të gjithë jemi të prirur t’i mbajmë si të papërshkrueshme. Shenjtja Terezë këtu na bën ta shohim të realizuar atë që thotë Jezusi në pjesën e sotme ungjillore: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse Ai banon me ju e është në ju.» Përvojat e shenjtërve na bëjnë të kuptojmë se asnjë nga fjalët e Krishtit në Ungjill nuk janë thënë sa për t’u thënë.

Vetëm tani mund ta imagjinojmë se me sa realizëm Jezusi po fliste në secilën prej këtyre germave që po shqiptonte. Nëse neve do të vazhdojnë të na duken fjalë të ftohta, apo shprehje thjesht “simbolike”, gabojmë, sepse shenjtërve nuk u janë dukur ashtu. «Mes librit të Ungjillit dhe shenjtërve gjendet i gjithë ndryshimi që gjejmë mes muzikës së shkruar dhe muzikës së kënduar.», thoshte me qartësinë që e karakterizonte Shën Françesku i Salesit.

Jezusi, kur po i fliste ato fjalë, nënkuptonte një përfshirje të plotë të dishepujve të vet në jetën e së Shenjtërueshmes Trini. «Hyji kaq shumë fliste gjuhën e njeriut, derisa Ai vetë u bë Njeri, në mënyrë që njeriu, duke folur vazhdimisht gjuhën e Hyjit, të bëhet Hyj.», thoshte Shën Ireneu në shkrimet e veta, i vetëdijshëm se ata që vërtetë besojnë në Krishtin, zhyten në këtë përqafim dashurie që ndodhë në mes të Tre Personave Hyjnorë. Kuptohet se me këtë nuk duhet të mendojmë se edhe ne bëhemi ndonjëri prej Personave Hyjnorë: ata janë Tre e aq do të mbeten gjithnjë, por feja e gjallë na mëson se besimtari arrin ta përvetësojë në përsosmëri dashurinë ndërtri­nitare.

Këtë “punë” zhytjeje në përqafimin e dashurisë që Personat Hyjnorë kanë me Njëri-Tjetrin, e bën kryesisht veprimi i Shpirtit Shenjt. Jezusi në Ungjill sot e quan «Mbrojtës» dhe «Shpirti i së Vërtetës». Janë terma që tregojnë llojin e veprimtarisë së Shpirtit Shenjt. Ai do t’i mbrojë dishepujt e Jezusit nga gabimi, nga egoizmi e nga mashtrimet e djallit. Gjithashtu Ai do t’i drejtojë ata drejt njohjes së të Vërtetës. Në Ungjillin e së dielës së kaluar, Jezusi thoshte: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.» Pra, Shpirti Shenjt do t’i ndihmojë nxënësit ta njohin gjithnjë e më mirë Jezusin, i cili është «e Vërteta». Disa autorë shpirtërorë të kishës së hershme më të drejtë e krahasonin Shpirtin Shenjt me një ikonograf, sepse Ai, me frymëzimet, ndihmën dhe me mbrojtjen e tij, “skicon” pak nga pak në ne fytyrën e Jezusit.

Vetëm tani mund ta kuptojmë madhështinë e leximeve të tjera që dëgjuam sot. Në leximin e parë flitet për Filipin diakon, i cili shkon ta predikojë Ungjillin në një qytet të Samarisë, në Mesinë, dhe thuhet se «turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të tija, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte». E mrekullitë ishin këto: «Prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh (ku është Shpirti i Zotit, ikën shpirti i ndytë), shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë (Shpirti Shenjt po përsëriste në Filipin veprat e Jezusit) dhe u bë gëzim i madh në atë qytet (Shpirti Shenjt sjell «gëzimin e plotë» të cilin Krishti ua kishte premtuar nxënësve të vet)». Atëherë, pasi vetë Shpirti Shenjt e kishte përga­titur terrenin, vijnë apostujt dhe ua japin dhuratën e Shpirtit Shenjt të gjithë atyre që besuan në Emrin e Jezusit.

Në leximin e dytë, Shën Pjetri, i mbushur tashmë me Shpirtin Shenjt, fillon të mësojë se si të gjithë ne mund të lejojmë që Shpirti i së Vërtetës ta skicojë në ne fytyrën e Jezusit: «Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar!».

Kush janë «ata që flasin keq për ju»? Janë “bota”, term ky me të cilin Bibla nënkupton atë realitet që është kundër vullnesës së Hyjit. Edhe Jezusi e përmend këtë term në Ungjillin e sotëm: «Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh». Termi “bota” nuk nënkupton ato realitete njerëzore ku Jezusi nuk njihet ngaqë askush nuk ua ka predikuar, por ato ku Jezusi kundërshtohet sistematikisht. Nënkupton ata njerëz që nuk duan t’i hapen Fjalës së Zotit e as të vërtetave dhe vlerave të cilat ndërgjegjja njerëzore i mëson. Këta njerëz janë “bota” që nuk mund ta marrë Shpirtin e së Vërtetës, sepse nuk i hapet Atij: «Nuk e sheh as nuk e njeh.»

Por të gjithë mund të pyesim këtu se cila është rruga për t’iu hapur Shpirtit Shenjt. E thotë vetë Jezusi sot: «Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër». Kusht për fillimin e veprimit të Shpirtit Shenjt brenda nesh, pra, qenka zbatimi i urdhërimeve të Jezusit. Urdhri i Jezusit është ai urdhri i famshëm i dashurisë «Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju!», por të kemi shumë kujdes e të mos ngutemi të dalim në përfundimin se Jezusi kështu i paska zhvleftësuar Urdhërimet e mëparshme të cilat vetë Zoti ia kishte dhënë Izraelit nëpërmjet Moisiut: «Unë nuk erdha ta shlyej Ligjin, por ta përsos atë.», thotë Jezusi në Ungjill. Një farë bindjeje se Jezusi paska predikuar një dashuri si të papërcaktuar, është mjaft e përhapur ndër shumë të krishterë. Prandaj, kur vjen puna tek urdhërimet «Mos adhuro tjetër Hyj!», «shenjtëro ditën e shtatë», «ndero prindërit», «mos vra», «mos bëj kurorëthyerje», «mos vidh», «mos bëj dëshmi të rrëme», «mos lakmo gjënë e tjetrin», nuk ndihen edhe aq të detyruar në ndërgjegje. Por kjo është krejt e gabuar. Ata duhen zbatuar të gjithë, sepse janë shkalla e parë dhe e detyrushme që njerëzimi ta rifillojë edhe një herë rrugëtimin e tij drejt Hyjit, rrugëtim të cilin e ndërpreu për shkak të mëkatit. Është e vërtetë se atyre Jezusi ua ka shtuar «mohimin e vetvetes», «dashurinë ndaj armikut», «dëshminë e fesë deri në dhurimin e jetës», por nuk i ka zhbërë ato.

Jo rastësisht zbritja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt ndodhi ditën e Rrëshajëve, ditë kur Izraeli përkujtonte dhënien e Dhjetë Urdhë­rimeve. Kjo na bën të kuptojmë se Shpirti Shenjt po vinte t’i ndih­monte apostujt që t’i zbatonin të gjitha ata Urdhërime, por që pastaj t’i çonin deri në përsosmëri duke ndjekur shembullin e Jezusit. Pra, zbatimi urdhërimeve është kusht për marrjen e Shpirtit Shenjt dhe marrja e Shpirtit Shenjt është kusht për përsosjen e Urdhërimeve.

«Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.». Jezusi e lidh zbatimin e urdhërimeve me dashurinë tonë për të. Kështu është: dashuria është ajo që na mban në sintoni me Jezusin. Kjo nuk bie në kundërshtim me atë që thamë më sipër, pra se është Shpirti Shenjt ai që e “skicon” brenda nesh fytyrën e Jezusit, sepse Shpirti Shenjt është vetë Dashuria. «Janë Tre: Dashuruesi, i Dashuri dhe Dashuria», thoshte Shën Augustini kur fliste për Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.  Kush i hapet dashurisë, i hapet Shpirtit Shenjt, i cili e zhyt besimtarin në përqafimin e dashurisë së tre Personave Hyjnorë.

E pamë se kështu kishte ndodhur me Shenjten Terezë. Kështu ka ndodhur me të gjithë shenjtërit. E, ndërkaq, ata bëheshin gjithnjë e më praktikë në jetë. Shenjtes Terezë një herë iu shfaq Jezusi dhe i tha: «Tash e tutje nuk dua që ti të flasësh më me njerëzit!», dhe Shenjtë­resha iu bind, por jo në kuptimin se nuk takonte më askënd. Përkundrazi, prej atij çasti filluan takime gjithnjë e më të shpeshta me njerëz, letra të shkruara, ripërtëritja e Kogregatës Karmelitane, themelime të ndryshme e udhëtime të shpeshta. Por gjithë këtë ajo e bënte me një heshtje të thellë të shpirtit, si të ishte gjithnjë në paninë e Jezusit. E, në fakt, ajo shkruante: «Më dukej se Jezusi ecte gjithmonë përkrah meje... Ndieja qartë se më rrinte në krahun e djathtë, dëshmitar i asaj që bëja dhe kurrë nuk mund të harroja, nëse përqëndrohesha sadopak apo isha shumë e habitur, se Ai ishte pranë meje.» Shenjtërit, sa më mistikë që bëheshin, aq më shumë bëheshin edhe praktikë. Si Jezusi.

Dom Dritan Ndoci

13 maj 2023, 13:31