Kërko

Bruksel Bruksel

Dita e Evropës, imzot Crociata: të ndalet lufta dhe të arrihet paqja

Përballë konfliktit dramatik "në tokën evropiane", kryetari i COMECE-së nxit të kërkohet uniteti dhe siguron impenjimin e ipeshkvijve evropianë për të formuar "ndërgjegje të vetëdijshme dhe të përgjegjshme për kohët që jetojmë"

R.SH. – Vatikan

"Këtë vit Dita e Evropës u kremtua edhe një herë në kuadrin tragjik të luftës në tokën evropiane, me vuajtje të tmerrshme fizike, materiale dhe shpirtërore për banorët e Ukrainës", duke e bërë më urgjente "nevojën për bashkim dhe paqe". Kështu shkruan në një deklaratë, me rastin e Ditës së Evropës, që u kremtua më 9 maj, kryetari i Comece-së (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), imzot Mariano Crociata, i cili kujton se 73 vite pas deklaratës së Robert Schuman-it, pasojat ekonomike të konfliktit rëndojnë mbi shtresat më të brishta të popullsisë.

Të gjehen arsyet për paqen

Para "aktualitetit shqetësues" të motivacioneve, që çuan në lindjen e Komunitetit Evropian, pas Luftës II Botërore, me vdekjet dhe shkatërrimet e saj, ipeshkvi bën thirrje për "rigjetjen e arsyeve dhe të vullnetit për të vijuar me vendosmëri të përtërirë bashkimin dhe paqen evropiane”, angazhim për të cilin “Comece bëhet interpretuese”, duke kontribuar në “formimin e ndërgjegjeve të vetëdijshme dhe të përgjegjshme për kohët në të cilat jetojmë”.

Impenjimi i ipeshkvijve evropianë për unitetin

Ipeshkvijtë e BE-së, lexohet më tej në tekst, duan t’i inkurajojnë dhe të bashkëpunojnë me përpjekjet në kërkim të unitetit, që synojnë të ndalin konfliktin ruso-ukrainas dhe të arrijnë paqen, "premisa themelore për zhvillimin e të gjithëve brenda Bashkimit Evropian dhe përtej kufijve të tij”.

10 maj 2023, 17:32