Kërko

Benedikti XVI në DBR-në e Këlnit (viti 2005) Benedikti XVI në DBR-në e Këlnit (viti 2005)

Çelësi i fjalëve të Kishës: vetëm dashuria e Zotit mund të na shpëtojë

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në Vigjiljen e lutjes me të rinjtë, në Këln, më 20 gusht 2005, si edhe pjesë nga Letra Enciklike “Deus Caritas est” e 25 dhjetorit 2005

R.SH. – Vatikan

Vetëm nga shenjtorët, vetëm nga Zoti vjen revolucioni i vërtetë, ndryshimi vendimtar në botë – u thoshte Papa Benedikti XVI të rinjve të mbledhur në Këln të Gjermanisë për Ditën XX Botërore të Rinisë. Në shekullin e sapokaluar kemi jetuar revolucione, programi i përbashkët i të cilëve ishte të mos pritej më ndërhyrja e Zotit, por fati i botës të merrej krejtësisht në dorë nga njerëzit. Dhe e pamë se, duke bërë kështu, gjithnjë, këndvështrimi njerëzor e i pjesshëm merrej si masë absolute orientimi.

Absolutizimi i gjithçkaje, që nuk është absolute, por relative, quhet totalitarizëm – vinte në dukje Ati i Shenjtë. Nuk e çliron njeriun, por i heq dinjitetin dhe e skllavëron atë. Nuk janë ideologjitë, që e shpëtojnë botën, por vetëm kthimi kah Zoti i gjallë, që është krijuesi ynë, garanti i lirisë sonë, garant i gjithçkaje është vërtet e mirë dhe e bukur. Revolucioni i vërtetë është të kthehemi pa rezerva e vetëm kah Zoti, i cili është masa e gjithçkaje të drejtë e njëkohësisht, është dashuri pa fund. E çfarë tjetër mund të na shpëtojë, përveçse dashurisë?

Dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin janë të pandashme, shkruan Benedikti XVI në Enciklikën “Deus caritas est”, janë një urdhërim i vetëm. Por, të dyja jetojnë nga dashuria provanore e Zotit, që na deshi i pari. Kështu, nuk është më fjala për një urdhërim “nga jashtë”, që na imponon të pamundurën, por për një përvojë dashurie dhuruar nga brenda, një dashuri që, për natyrën e saj, duhet të ndahet më tej me të tjerët. Dashuria shtohet përmes dashurisë. Dashuria është “hyjnore”, sepse vjen nga Zoti e na bashkon me Të e, përmes këtij procesi bashkimi, na shndërron në një “NE”, që kapërcen ndarjet dhe na bën një gjë të vetme, me qëllim që, së fundi, Zoti të jetë “gjithçka në të gjithë” (1 Kor 15,28).

11 maj 2023, 09:29