Kërko

A red tailed bumblebee gathers pollen from a flower in a garden in Manchester, Britain

Çelësi i fjalëve të Kishës: kush do me gjithë zemër mund ta rifillojë jetën

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në homelinë e mbajtur në meshën me rastin e Takimit të Lëvizjeve kishtare në prag të Rrëshajëve, më 3 qershor 2006, në Engjëllin e Tënzot të 13 shkurtit 2011 dhe në atë të 20 shkurtit 2011

R.SH. – Vatikan

Krijimi i Zotit, i cili e bën gjithçka mirë, gjatë historisë së njerëzimit, është mbuluar me një shtresë masive papastërtish e fëlliqësish, që e bën të vështirë – nëse jo të pamundur – të shohim pasqyrimin e Krijuesit në të. Kështu u thoshte Papa Benedikti XI Lëvizjeve kishtare dhe bashkësive të reja, gjatë kremtimit të Mbrëmësoreve, në prag të Rrëshajëve 2006. Megjithatë, pranonte Joseph Ratzinger, para diellit që perëndon dalëngadalë në det, gjatë një ekskursioni në mal, ose para një gonxheje që lulëzon, brenda nesh zgjohet sërish, gati spontanisht, vetëdija për ekzistencën e Krijuesit.

Shpirti Krijues, Shpirti i Zotit, na vjen në ndihmë. Ai hyn në histori e na flet gjithmonë në mënyrë të re. Në Jezu Krishtin, Zoti vetë u bë njeri dhe, si të thuash, na lejoi t’i hedhim një vështrim intimitetit të tij. E aty, shohim diçka vërtet të papritur: në Zotin ekziston një UNË e një TI. Zoti i mistershëm nuk është vetmi pa fund, Ai është ngjarje dashurie. Nëse, nga vështrimi mbi Krijimin mund ta perceptojmë Shpirtin Krijues, vetë Hyjin, gati si matematikë krijuese, si pushtet që plazmon ligjet e botës dhe rendin e tyre, por edhe si bukuri, atëherë e kuptojmë se Shpirti Krijues ka zemër. Ai është Dashuri. Kemi Birin, që flet me Atin. E, të dy janë një gjë e vetme në Shpirtin Shenjt, i cili, si të thuash, është atmosfera e dhurimit të ndërsjellë dhe e dashurisë, që i bën një Zot të vetëm. Ky bashkim dashurie, që është Hyji, është një bashkim shumë më sublim se sa uniteti i grimcës më të vogël të pandashme të materies. Pikërisht Zoti trini është i vetmi Zot unik.

Në thelb, risia që solli Jezu Krishti në botë, vijon reflektimin Papa Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot të 13 shkurtit 2011, ka të bëjë me faktin se Ai vetë “i mbush” urdhërimet me dashurinë e Hyjit, me forcën e Shpirtit Shenjt, që banon në Të. E ne, përmes besimit në Krishtin, mund t’ia hapim zemrën dikimit të Shpirtit Shenjt, i cili na bën të aftë ta jetojmë dashurinë hyjnore. Prandaj, çdo ligj bëhet i vërtetë, sepse është kërkesë dashurie. Të gjitha ligjet përmblidhen në një urdhërim të vetëm: duaje Zotin me gjithë zemër dhe duaje të afërmin si vetveten.

Por, në ç’mënyrë mund ta imitojmë Jezu Krishtin? – pyeste Joseph Ratzinger në Engjëllin e Tënzot të 20 shkurtit 2011. Vetë Jezusi thotë: “Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell” (Mt 5,44-45). Kush e pranon Zotin në jetën e vet dhe e do me gjithë zemër është në gjendje ta fillojë çdo gjë nga e para. Arrin ta plotësojë vullnetin e Hyjit: realizimin e një forme të re jete, frymëzuar nga dashuria e destinuar për amshim. Shën Pali apostull shton: “Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?” (1 Kor 3,16). Nëse jemi vërtet të vetëdijshëm për këtë realitet - e përfundon reflektimin e tij Papa Benedikti XVI – e nëse jeta jonë plazmohet thellë prej tij, atëherë dëshmia jonë bëhet e qartë, e dukshme dhe e frytshme.

25 maj 2023, 09:51