Kërko

Larja e këmbëve Larja e këmbëve

Çelësi i fjalëve të Kishës: dashuria zgjohet nga feja

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, fjalët e Joseph Ratzinger në Enciklikën “Deus Caritas est” të 25 dhjetorit 2005 dhe në homelinë e meshës së Darkës së Mbrame, më 13 prill 2006

R.SH. – Vatikan

Feja, shpresa dhe dashuria shkojnë krah për krah – shkruan Benedikti XVI në enciklikën kushtuar dashurisë së Zotit. Praktikisht, shpresa pasqyrohet në virtytin e durimit, i cili vijon në udhën e së mirës edhe para mossuksesit në dukje, si edhe në atë të përvujtërisë, e cila e pranon misterin e Hyjit dhe i beson atij edhe në terr. Feja na tregon Zotin, që dhuroi Birin e tij për ne e, duke bërë kështu, zgjon brenda nesh sigurinë fitimtare se ka një të vërtetë: Zoti është dashuri! Në këtë mënyrë, ajo e shndërron padurimin dhe dyshimin tonë në shpresën e sigurt se Zoti e ka botën në duart e tij e se, pavarësisht nga terri, Ai fiton, siç dëshmon shkëlqyeshëm përmes skenave mahnitëse në fund të Zbulesës, që të lënë pa fjalë. Feja, që bëhet e vetëdijshme për dashurinë e Hyjit, zbuluar në zemrën e shporuar të Jezu Krishtit në kryq, nga ana e saj, zgjon pastaj dashurinë. Ajo është drita – në fund të fundit, e vetmja – që bën të shpërndahen retë e botës së territ e na jep guximin për të jetuar e për të vepruar. Dashuria është e mundur e ne jemi në gjendje ta praktikojmë, sepse jemi krijuar në shembëllim me Zotin.

Hyji e do krijesën e vet, njeriun; e do edhe kur bie dhe nuk e braktis. Ai e do deri në fund – e vijon reflektimin e vet Joseph Ratzingher në meshën e Darkës së Mbrame të vitit 2006. Shtyhet me dashurinë e Tij deri në fund, deri në ekstrem: zbret poshtë nga lavdia e Tij hyjnore. Heq mantelin e lavdisë hyjnore dhe vesh petkat e skllavit. Zbret deri në nivelin më të poshtëm tonin. Gjunjëzohet para nesh e na shërben si të ishte skllav; na i lan këmbët e baltosura, që të bëhemi të pranueshëm për tryezën e Hyjit, që të bëhemi të denjë të zemë një vend në të – diçka, që s’mund ta bëjmë e as duhet ta bëjmë vetë.

Zoti nuk është i largët, tepër i largët e tepër i madh për t’u marrë me problemet tona të vogla. Meqënëse ai është i madh, mund të interesohet edhe për gjërat e vogla. Meqënëse Ai është i madh, shpirti i njeriut, vetë njeriu i krijuar për dashurinë e përjetshme, nuk është gjë e vogël, por është i madh dhe i denjë për dashurinë e Hyjit. Shenjtëria e Zotit nuk është vetëm pushtet rrezatues, para të cilit s’mund të bëjmë tjetër veçse të shtangemi: është pushtet dashurie e pikërisht për këtë, është pushtet, që na purifikon e na kthen shëndetin.

Zoti zbret e bëhet skllav, na lan këmbët që të jemi në gjendje të ulemi në tryezën e Tij. Këtu qëndron gjithë misteri i Jezu Krishtit. Këtu bëhet e dukshme ç’do të thotë shëlbim. Ena në të cilën na lan është dashuria e Tij, gati për t’i bërë ballë edhe vdekjes. Vetëm dashuria ka atë forcë purifikuese, që na i fshin njollat e ndyrësitë e na ngre në lartësinë e Hyjit. Uji, që na pastron është vetë Zoti, i cili e dhuron krejtësisht vetveten për ne – deri në thellësitë e vuajtjes e të vdekjes. Vazhdimisht, Ai është kjo dashuri që na pastron; në Sakramentet e purifikimit – pagëzimi dhe pendesa – Ai gjunjëzohet vazhdimisht para këmbëve tona e na shërben si skllav, na pastron, na lan, na bën të denjë për Zotin. Dashuria e Tij është e pashterrshme, shkon vërtet deri në fund të fundit.

18 maj 2023, 11:30