Kërko

Papa Benedikti XVI Papa Benedikti XVI  (ANSA)

Benedikti XVI, Lombardi: trashëgimia e tij, afrimi i Kishës dhe i njeriut me Zotin

Kryetari i Fondacionit vatikanas “Joseph Ratzinger”, ish-drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, foli sot, 19 maj, në Panairin e Librit të Torinos, në këtë ngjarje në kujtim të Papës, që ndërroi jetë më 31 dhjetor 2022: "Papnia e Tij ishte kryesisht magjistrale, pra mësimdhënëse dhe dialoguese, por edhe papni thellësisht baritore, plot dashuri për Kishën e për gjallërinë e saj".

R. SH. - Vatikan

Figura dhe mendimi i Benediktit XVI ishte objekt i një takimi të profilit të lartë sot, më 19 maj, në Panairin e Librit të Torinos, ku është e pranishme edhe Shtëpia Botuese e Vatikanit me pavjonin e saj. Atë Federico Lombardi, kryetar i Fondacionit Joseph Ratzinger dhe ish-drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë gjatë papnimit të Benediktit, foli sot pasdite, duke nisur nga ora 15.00. “Zoti është gjithmonë dritë dhe mister: trashëgimia e Benediktit XVI” - titullohej fjalimi.

Ta ndjekim intervistën e At Federico Lombardit

Atë Lombardi, sot në Panairin e Librit folët për trashëgiminë e Benediktit XVI. Çfarë na kujton kjo trashëgimi?

Mendoj se na kujton prioritetet e papnisë të Benediktit XVI, angazhimin e tij për t'i afruar Kishën dhe njerëzit e kohës sonë më pranë Zotit, për ta dëshmuar Jezu Krishtin si mënyrë e zbulimit të Zotit Atë. E edhe angazhimin e madh për të dialoguar me kulturën e botës së sotme, me besim po aq të madh edhe te arsyeja, si udhë e këtij dialogu. Arsye, që ai e quajti të hapur, pra jo të mbyllur në horizontet e ngushta të mendimit thjesht matematikor dhe pozitivist, por arsye që di të shtrihet edhe mbi problemet e mëdha të jetës e të botës, e sidomos, ato të teologjisë, të filozofisë dhe të dialogut ndërmjet disiplinave të ndryshme. Horizont i madh "kulturor" i Benediktit për t'i shërbyer fesë dhe kuptimit të drejtë të besimit të krishterë në botën e sotme. Tipar ky i papnisë së tij, parë në përgjithësi. Papni me vlera të mëdha, edhe magjistrale, në mësimdhënie e dialog. E edhe me një intensitet të madh baritor, me dashuri për Kishën dhe me dëshmi për vitalitetin e Saj. Më përsëriste gjithnjë me kënaqësi: ‘Kisha është e gjallë, në Kishë ecim së bashku, të shoqëruar nga shenjtorët, ecim nëpër shtigjet e historisë, e gjatë ecjes, dëshmojmë Ungjillin. Ai mori pjesë me shumë gëzim edhe në Ditët Botërore të Rinisë, duke i parë si  përvojë të një gjallërie të madhe të Kishës në kohën tonë”.

Si titull të fjalimit tuaj Ju zgjodhët “Zoti është gjithmonë dritë dhe mister”. Çfarë do të thotë kjo?

Është përvoja shpirtërore dhe mënyra me të cilën Benedikti na flet për Zotin… Një mënyrë shumë e thellë... Ai na flet për Zotin si vërtetësi e për Jezu Krishtin, si e vërteta për Zotin dhe njeriun, me vetëdije të madhe ndaj thellësisë dhe misterit të Perëndisë, që ia kalon aftësisë sonë për ta kuptuar dhe për të folur për Të. Pra, për përvojën e tij shpirtërore, edhe ashtu siç na e përshkruan ai vetë vitet e fundit, vitet e lutjes pas dorëheqjes nga papnia, që dëshmohen edhe në bisedat e tij të fundit - një nga dëshmitë më të bukura për jetën e tij shpirtërore dhe për reflektimin e tij të përgjithshëm. Benedikti XVI na flet për madhështinë e misterit të Krishtit, i afrohet Vetjes së Jezusit, i cili është gjithmonë në qendër të gjithë jetës së tij, por gjithnjë me vetëdijen se fjalët e Jezusit duhen hulumtuar, se janë për t'u zbuluar vazhdimisht dhe se mbeten pasuri misterioze drejt së cilës shkojmë. Benedikti e jeton përvojën e afrimit të takimit me Zotin Jezus në kohën e vdekjes, si duke ia besuar veten një Jezusi të madh, misterioz, ashtu edhe duke fituar besimin e tij të plotë. Ai ia beson veten Zotit me bindjen se Jezusi nuk është vetëm gjykatësi i tij, por edhe avokati e miku i tij, ndaj ndërsa i afrohet pragut të vdekjes, i thotë: "Mos ki frikë, jam unë me ty!" .

19 maj 2023, 15:30