Kërko

Át Leonardo de Martino: studiuesit në Romë, për kontributin e poetit françeskan arbëresh

“Kontributi i një françeskani arbëresh në rilindjen letrare e politike shqiptare: Át Leonardo De Martino (1840-1923)”: kështu titullohet konferenca e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në bashkëpunim me atë të Italisë në Selinë e Shenjtë, që u mbajt më 24 maj në Romë. Relatorët, nga qendrat e njohura albanologjike në Itali: Francesco Altimari (Universiteti i Kalabrisë), Matteo Mandalà (Universiteti i Palermos) dhe Blerina Suta (Universiteti i Napolit)

R. SH. – Vatikan

U mbajt dje (24 maj) në Romë, konferenca me titull “Kontributi i një françeskani arbëresh në rilindjen letrare e politike shqiptare: Át Leonardo De Martino (1840-1923)”, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në bashkëpunim me atë të Italisë në Selinë e Shenjtë, në selinë prestigjoze të Pallatit Borromeu.

Nisma, e dëshiruar fuqimisht nga e ngarkuara me punë në ambasadën e Shqipërisë, zonja Majlinda Dodaj, vuri në dukje mjeshtërinë e atij, që konsiderohet ati i letërsisë moderne shqipe. Profesorët e katedrave të njohura të gjuhës shqipe në Itali – Francesco Altimari nga Universiteti i Kalabrisë, Matteo Mandalà nga Universiteti i Palermos dhe Blerina Suta nga Universiteti i Napolit – secili, duke zgjedhur një aspekt të prodhimtarisë së pasur letrare të françeskanit arbëresh, i cili shërbeu për 40 vite me radhë në Shqipëri, sidomos në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës, nënvizuan rëndësinë e gegnishtes së përdorur prej tij, të muzikalitetit të gjuhës, të kontributit në formimin e gjenive të letërsisë shqiptare si Át Gjergj Fishta dhe don Ndre Mjedja, por edhe në rizgjimin kombëtar të popullit shqiptar, duke u bërë pararendës i Rilindjes.

Ndër veprat e tij u përmend sidomos “Harpa e një arbëreshi” (1881), me poezi të kompozuara pjesërisht në italisht e pjesërisht në shqip, frymëzuar drejtpërdrejt nga Alessandro Manzoni, autori i “Promessi sposi”, por edhe “Vaji i hapses”, variant shqip i “Il lamento della prigionera” të poetit dhe romancierit milanez Tommasso Grossi (1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868. Takimi u mbyll me përshëndetjen e kryetarit të bashkisë së Greçit, Nicola Luigi Norcia, i cili kujtoi se vendlindja e Át Leonardo De Martinos është e vetmja qendër arbëreshe e Kampanjës, ku ende ruhen traditat dhe gjuha e shqiptarëve të Italisë.

Kryetari i bashkisë së Greçit, Nicola Luigi Norcia
Kryetari i bashkisë së Greçit, Nicola Luigi Norcia

Pikërisht aty lindi poeti i madh françeskan, i cili, krejt i ri, u nis misionar në Shkodër, gegnishten e së cilës jo vetëm e përvetësoi, por edhe e përdori me një mjeshtëri të rrallë, duke i kthyer shkrimet e tij në vepra arti të mirëfilltë. Përveç shkrimeve të përmendura më sipër, Át Leonardo De Martino përktheu “Passione di Gesù Cristo” (Munnimi i Jezu Krishtit) të Pietro Metastasios (1698-1782); shkroi një pjesë të shkurtër për teatër, “Nata e Keshnellavet”, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në gjuhën shqipe; botoi në Greçi, në vitin 1882, “Përmbledhje e shkurtër e jetës dhe veprave të GJERGJ KASTRIOTIT SKANDERBEUT, princit të Epirit e të Shqipërisë” (Breve compendio della vita e delle gesta  di GIORGIO CASTRIOTA SKANDERBEG, principe dell’Epiro e dell’Albania); shkroi pamfletin poetik që lidhet ngushtë me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë “Pajtore e Shqipërisë”. Gjuha e tij arriti një finesë e një pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipë të kohës. Tehemloi në Shkodër, me ndihmën e ministrit arbëresh në Itali, Françesko Krispit, shkollën e murgeshave stigmatine e atë të françeskaneve. Ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.

25 maj 2023, 15:17