Kërko

 Caritas Internationalis Caritas Internationalis

Në Romë, takimi i Caritas Internationalis për zgjedhjen e presidentit dhe drejtuesve

Tema e Asamblesë së Përgjithshme të 22-të të Caritas Internationalis, nga data 11 deri më 16 maj, do të jetë “Ndërtimi i shtigjeve të reja të vëllazërisë”, frymëzuar nga enciklika Fratelli tutti. Drejtuesit e zgjedhur do të udhëheqin Konfederatën e Caritasit për katër vitet e ardhshme

R.SH. - Vatikan

Asambleja e 22-të e Përgjithshme e Caritas Internationalis do të mbahet në Romë nga 11 deri më 16 maj, me pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve që përfaqësojnë 162 organizatat e Caritasit që veprojnë në 200 vende dhe territore anembanë botës. Asambleja e Përgjithshme e Caritas Internationalis mbahet çdo katër vjet, mes tjerash edhe për të zgjedhur Presidentin, Sekretarin e Përgjithshëm, Arktarin, Këshillin Ekzekutiv dhe Këshillin Përfaqësues të Konfederatës. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të vitit 2023 - tema e së cilës është, "Ndërtimi i shtigjeve të reja të vëllazërisë", frymëzuar nga Enciklika Fratelli Tutti - do të zgjidhen drejtuesit e ri që do të udhëheqin Konfederatën e Caritas-it për katër vitet e ardhshme, deri në vitin 2027.

Gjatë punimeve të asamblesë delegatët e Caritasit do të reflektojnë edhe mbi mënyrën e bashkëpunimit konkret ndërmjet Caritas-eve në vende të ndryshme në shërbimin e më të varfërve dhe të më të pambrojturve në një botë të prekur nga kriza të shumta si: lufta në Ukrainë, pandema e Covid-19, pasojat e ndryshimit të klimës e deri te pasiguria e madhe ushqimore.

Punimet e Asamblesë së 22-të të Përgjithshme të Caritas Internationalis do të inaugurohen më 11 maj me një audiencë private me Papën Françesku. Pastaj, paraditen e 12 majit do të ketë një reflektim mbi “Sfidat globale dhe roli i Caritasit”, me fjalimet e imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, të Ambasadorit Gabriel Ferrero y de Loma-Osorio, president i Komitetit për Sigurinë Botërore të Ushqimit dhe Përfaqësues të Caritas-it nga Gana, Myanmari dhe Irlanda. Gjatë punimeve do të mbahen sesione tematike që do të fokusohen në tre tema kryesore kushtuar Konfederatës së Caritas Internationalis si: sinodaliteti, rajonalizimi dhe bashkëpunimi vëllazëror.

Seancat do të përfshijnë edhe fjalimet e përfaqësuesve të Caritaseve nga e gjithë bota dhe mysafirëve të jashtëm, duke përfshirë kardinalin Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit, dhe motër Alessandra Smerilli, Sekretare e Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.

09 maj 2023, 12:54