Kërko

Logo i Asamblesë Sinodale Kontinentale të Kishave Katolike në Lindjen e Mesme Logo i Asamblesë Sinodale Kontinentale të Kishave Katolike në Lindjen e Mesme

Sinodi, Kishat e Lindjes së Mesme kërkojnë bashkim dhe dialog

Publikohet dokumenti përfundimtar i Asamblesë Sinodale Kontinentale, që u mbajt në Bethania-Harisa, nga 13 deri më 17 shkurt. Në tekst, rëndësia e bashkimit, pavarësisht nga ndryshimet, ftesa për përtëritjen liturgjike dhe strukturore, lutja për një dialog krijues ekumenik dhe bashkëpunim me të gjithë "për të dëshmuar fytyrën e të vetmit Zot”

R.SH. – Vatikan

Publikohet Dokumenti Përfundimtar i Asamblesë Sinodale Kontinentale të Kishave Katolike në Lindjen e Mesme, i cili mblodhi në Betani, nga 13 deri më 17 shkurt, të gjithë familjen katolike që jeton në atë rajon. Delegacionet ishin nga Egjipti, Siria, Jordania, Toka e Shenjtë, Iraku, Libani dhe nga shtetet e Gjirit Persik, udhëhequr nga patriarkët e tyre.

Sinodaliteti përfaqëson trashëgiminë e këtyre Kishave

Punimet e takimit sinodal u përqendruan në lutjen, shqyrtimin shpirtëror dhe reflektimin mbi rezultatet e fazës së parë të konsultimeve sinodale në Kishat lokale të vendeve të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe të Gjirit Persik. Në përfundim të saj, Asambleja përcaktoi pikat themelore për jetën e Kishës dhe bëri disa propozime. Pranohet se "sinodaliteti është thelbi i trashëgimisë së Kishave Lindore", se bashkimi, pavarësisht nga ndryshimet, është dëshmia e tyre, se "rrënjët e përbashkëta të Kishave janë baza e misionit të tyre vetëm". Nënvizohet rëndësia e laikëve e, sidomos, roli i të rinjve, kontributi i grave dhe "pjesëmarrja e tyre në shërbim e në proceset vendimmarrëse”.

Rinovim dhe dialog me të gjithë

Deklarata ripohon centralitetin e liturgjisë dhe bën thirrje "për një rinovim liturgjik në përputhje me aspiratat e të rinjve, duke ruajtur thelbin dhe simbolet", si edhe për rinovimin e strukturave kishtare, të cilat duhet të jenë më sinodale. Bashkësitë katolike ftohen për një dialog ekumenik "krijues, të rinovuar", duke treguar kujdes për të tjerët - pavarësisht se “të ndryshëm në nivelin kishtar e fetar - nëpërmjet dëgjimit, dialogut dhe bashkimit, për të treguar fytyrën e të vetmit Zot”. Një pikë tjetër ka të bëjë me "bashkimin dhe shpresën në vuajtje për të qenë një Kishë e përvuajtur, ‘farë sinapi’, që duhet të lëshojë shtat ndërmjet sfidës së mbijetesës dhe refuzimit për të emigruar”. Së fundi, pjesëmarrësit në Asamble bëjnë thirrje që të tregohet veçanërisht kujdes baritor për familjen, gratë dhe të rinjtë dhe nënvizojnë rëndësinë e "mediave dhe të kulturës dixhitale si mjet efektiv komunikimi në duart e Kishës për të transmetuar mesazhin e saj”.

17 prill 2023, 13:43