Kërko

Më 29 mars, kalendari kishtar kujton shën Simpliçin dhe shën Kostandinin

Megjithëse për dy shenjtorët mund të themi pak, pasi në ditët tona nuk ka ardhur pothuajse asnjë dokument, që dëshmon për jetën e veprimtarinë e tyre, ata nderohen së bashku me pasardhësit e parë të shenjtit themelues të manastirit të Montecassino, patriarkut shën Benedikti. Katër abatët benediktinë të kuvendit të mirënjohur, janë të gjithë shenjtorë: Kostandini, Simpliçi, Vitali dhe Bonito

R.SH. - Vatikan

Pas shenjtit themelues të manastirit të Montecassino, patriarkut shën Benedikti, katër pasardhësit e tij të parë, abatë benediktinë në kuvendin e mirënjohur, janë të gjithë shenjtorë. Pasojnë njëri-tjetrin në këtë rend: Kostandini, Simpliçi, Vitali dhe Bonito.

Për Simpliçin mund të themi pak, njëlloj si edhe për të tjerët, pasi në ditët tona nuk ka ardhur pothuajse asnjë dokument, që dëshmon për jetën e veprimtarinë e tij. Megjithatë, ai përmendet së bashku me Kostandinin në shekujt pas Benediktit, si për kultin që u atribuohet të dyve më 29 mars nga benediktinët e Montecassino-s, ashtu edhe për faktin se reliket e tyre janë gjetur së bashku atë ditë. Vërtet, ato u zbuluan në zonën e presbiterit të bazilikës kasinese rreth viteve 1625-28 dhe u vendosën në kapelën e vjetër të shën Bertarit. Në vitin 1710, gjithmonë bashkë me ato të shën Kostandinit u zhvendosën në kapelën e shën Gregorit të Madh.

Gjatë bombardimeve katastrofike të vitit 1944, reliket shpëtuan pa u dëmtuar dhe u vunë në kapelën e rindërtuar, nën altar, i cili, ashtu si e gjithë kisha, u kushtua solemnisht, gjatë një kremtimi të Papës Pali VI, më 24 tetor 1964.

Simpliçi kujtohet në 'Vita Mauri' të shek. IX si një nga murgjërit, që shën Benedikti i jep si shoqërues shën Maurit gjatë udhëtimit të tij për në Francë; përveç kësaj, historiani Pietro Diacono pohon se Simpliçi u dha të gjithë murgjërve për të lexuar Rregullën e themeluesit të madh, shën Benediktit, duke shkruar mbi të disa vargje, që kanë ardhur deri në ditët tona, me interpretime të ndryshme.

Ai është pasqyruar në një pikturë të De Mura-s, pikërisht në aktin e paraqitjes së Rregullës para Urdhrave murgarë dhe kalorësiakë. Shën Simpliçi dhe shën Konstandini, të dy abatë, u nderuan menjëherë pas vdekjes, pasi ishin dishepujt dhe pasardhësit e parë të patriarkut të shenjtë. Varri i tyre i parë ishte pikërisht pranë shën Benediktit. Kujtimi i tyre është caktuar për 29 mars, ditën kur u zbuluan reliket.

29 mars 2023, 18:00