Kërko

 Famiglia Famiglia

Familjet dhe ipeshkvijtë në Evropë: nënshkruhet një memorandum midis COMECE e FAFCE

Konferenca Episkopale e Bashkimit Evropian dhe Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të përforcuar bashkëpunimin e tyre në fushën e politikave familjare në nivelin evropian. Kardinali Hollerich: "Është thelbësore të mbështeten familjet dhe të shikohen problemet me të cilat përballen"

R.SH – Vatikan

Konferenca Episkopale e Bashkimit Evropian (COMECE) dhe Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE) nënshkruan dje, e hënë, 20 mars, një memorandum mirëkuptimi për të përforcuar bashkëpunimin e tyre në fushën e politikave familjare në nivelin evropian. Marrëveshja u nënshkrua nga kardinali Jean-Claude Hollerich SJ, president i Komisionit të Konferencave Episkopale të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe Vincenzo Bassi, president i Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE).

Kardinali Hollerich: një kontribut për të mirën e përbashkët

"Falë kësaj marrëveshjeje, të dyja organizatat do të mund të përfitojnë nga kompetencat e tyre reciproke. Federata e Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE) do t’i përforcojë marrëdhëniet e saj me përfaqësuesit e Kishës Katolike në Bashkimin Evropian, duke marrë pjesë si anëtare vëzhguese në mbledhjet e Komisionit të Comece-s për Çështjet Sociale. Ipeshkvijtë e Bashkimit Evropian do të përfitojnë nga përvoja bazë në fushën e politikave familjare që ofrohen nga shumë organizata kombëtare që janë pjesë e Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë (FAFCE) . Ne jemi mirënjohës për shërbimin që FAFCE i ofron Kishës në Evropë. "tha kardinali Hollerich.

"Nuk është rastësi që kjo marrëveshje u arrit gjatë rrugëtimit sinodal të Kishës. Së bashku, në kontekstin e një shoqërie më të fragmentuar dhe individualiste, ne duam të ofrojmë kontributin tonë për të mirën e përbashkët. Është thelbësore të mbështesim familjet dhe të shikojmë problemet me të cilat përballen”, shtoi presidenti i COMECE.

Bassi: mënyra të reja për të komunikuar bukurinë e familjes

“Ky memorandum është një shembull se si barinjtë shpirtëror të Kishës e familjet e krishtera dhe shoqatat familjare mund të ecin së bashku dhe t’i bashkojnë forcat për të gjetur mënyra të reja për të komunikuar bukurinë e familjes, si dhe t’u kërkojnë institucioneve evropiane që të marrin në konsideratë funksionin themelor të familjes si gur-themel për ndërtimin e së ardhmes”, tha presidenti i Federatës së Shoqatave të Familjeve Katolike në Evropë, Vincenzo Bassi.

Memorandumi institucionalizon një bashkëpunim të gjallë që daton shumë vite më parë dhe që tashmë ka krijuar dokumente dhe organizuar ngjarje të përbashkëta. Shembujt më të fundit janë dokumenti reflektues mbi rolin e të moshuarve në kohët e ndryshimeve demografike dhe ngjarja mbi Strategjinë Evropiane të asistencës.

21 mars 2023, 14:45