Kërko

Tërmeti në Turqi e Siri Tërmeti në Turqi e Siri

Tërmeti në Turqi e Siri: rritet bilanci i viktimave. Ndihma nga Kishat Evropiane

I afrohet 10 mijëshit bilanci i viktimave të tërmetit, që goditi të hënën Turqinë e Sirinë. Vijon kërkimi i njerëzve nën rrënoja, disa prej të cilëve ende nxirren gjallë. I njëzëshëm, solidariteti ndërkombëtar, që bën të lëvizin drejt zonave të shkatërruara njerëz, mjete e ndihma humanitare. Kishat Evropiane luten e mobilizojnë Karitaset

R.SH. – Vatikan

Numri i viktimave të tërmetit në Turqi e në Siri vazhdon të rritet. Aktualisht, bilanci ka arritur në gati 10 mijë vetë sipas autoriteteve, mbi 7 mijë vetëm në Turqi. Dhjetëra mijëra të plagosurit, gati 40.000 në territorin turk dhe një numër i panjohur të zhdukurish. Shumë arrijnë të kërkojnë ndihmë përmes celularëve, duke dërguar edhe video e foto për t'u identifikuar. Frikë e dëshpërim, por edhe zemërim për vonesat në operacionet e shpëtimit, gjë që ka sjellë protestën e njerëzve, të cilët presin të dinë fatin e të afërmve dhe të miqve, pas qindra lëkundjeve të tjera të tokës, që pasuan tërmetin kryesor. Të paktën 8.000 vetë janë shpëtuar nga rrënojat në Turqi.

Solidariteti ndërkombëtar në lëvizje

Presidenti turk Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në 10 provincat e juglindjes së vendit dhe përdori grushtin e hekurt për të ndalur polemikat: katër vetë u arrestuan nga policia, të akuzuar si "provokatorë, që synonin të krijonin frikë dhe panik”, pasi kishin protestuar në rrjetet shoqërore për vonesat në operacionet e kërkim-shpëtimit. Gjendja në Siri është edhe më e vështirë. Opozita kundër regjimit denoncon se "qindra familje" ndodhen ende të bllokuara nën shtëpitë e shembura, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për ndihmë hasin në një lloj mbylljeje nga Damasku. Me kalimin e orëve, e gjithë bota i shton ndihmat drejt zonave të prekura nga tërmeti. Vijnë nga Evropa, madje, edhe nga të gjitha territoret shqiptare, deri nga Meksika e Venezuela. Ndihmat e NATO-s mbërrijnë në Turqi, ndërsa SHBA-të i japin ndihma humanitare sidomos Sirisë veriperëndimore, zonave, që nuk kontrollohen nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad.

Evropa lutet për viktimat e tërmetit

Nga Praga, ku po zhvillohet asambleja kontinentale e Sinodit, Kishat e Evropës shprehin afërsinë e tyre me popullsinë e Turqisë jugore dhe të Sirisë veriore.

Afërsia me Iskenderun e me Sirinë e martirizuar edhe nga lufta

Delegacionet nga Kisha Katolike në Evropë, mbledhur në kryeqytetin e Republikës Çeke, bënë dje një deklaratë, ku nënvizohet: “Numri i jashtëzakonshëm i të vdekurve – me bilancin e destinuar të rritet – shkatërrimi, vuajtja e kaq shumë njerëzve na kanë prekur tej mase në shpirt. Është plagë e thellë, që në Siri i shtohet asaj të luftës, e cila bën kërdinë në territor që prej 12 vitesh”. Delegatët e 45 vendeve të përfaqësuara në Asamblenë e Pragës shprehin afërsinë me Vikariatin Apostolik të Iskenderunit, ku është shembur katedralja, fatmirësisht, pa marrë jetë njerëzore. “Mendimi ynë - vazhdon deklarata – shkon edhe në Vikariatin e Anadollit, i cili po përjeton shkatërrimin. Shkon edhe në Haleb, qytetin sirian të martirizuar nga lufta, që tani, përjeton këtë martirizim të ri”.

Shembulli i ndritshëm i Kishave lokale në ndihmë të viktimave

“Mendimi dhe mirënjohja jonë – vijon delarata – shkon sidomos tek ata, që në këto çaste po dërgojnë ndihma, në kushte shumë të vështira, me temperatura dimërore. Karitaset tona – njofton asambleja kontinentale e Sinodit – po impenjohen në përballimin e emergjencës e në kujdesin për të plagosurit”, duke ngushëlluar ata, që kanë humbur familjarët e duke u gjetur strehë atyre, që s’kanë më çati mbi krye. “Kishat lokale po ofrojnë çdo lloj ndihme e mikpritje për të prekurit nga ky tërmet i tmerrshëm, duke u bërë shembull i ndritshëm për t’u admiruar”. “Kishat e Evropës janë afër popullsive të lënduara nga tërmeti, u sigurojnë lutje dhe çdo lloj mbështetje për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga tërmeti”.

Ipeshkvi i Smirnes: jemi të tronditur

Më sy qartësisht të mallëngjyer, kryeipeshkvi i Smirnes, në Turqi, imzot Martin Kmetec, flet kështu për Radio Vatikanin / Vatican News:

“Trishtimi është i madh kur merret vesh sa jetë kanë mbetur nën rrënoja. Trishtim për Kishën time, ku shërbeja”, thotë ai. “Katedralja e shkatërruar e Iskenderunit është një pamje, që nuk mendoja kurrë se do ta shihja. Në Smirne pësuam një tërmet edhe në vitin 2020 e, edhe më vonë, lëkundje të tjera të tokës dëmtuan katër kisha, kishën e Shën Polikarpit, për shembull, shumë e çmuar për ne”. Kryeipeshkvi shton se ende nuk janë riparuar dëmet e kaluara, për shkak të vonesave burokratike dhe të mungesës së fondeve. Tani, shton ai, nuk e di si janë murgeshat karmelitane në Haleb, të cilat i njeh personalisht prej kohësh. "Nuk e di a janë gjallë, kanë dhënë dëshmi të bukur, duke qëndruar aty gjatë luftës. Të shpresojmë".

Udha sinodale, rëndësi ka besnikëria ndaj Krishtit

Përsa i përket punës në asamblenë sinodale, prelati thekson se "disa reflektime, për disa aspekte, mbeten në nivelin disi sipërfaqësor. Mendoj se duhet të shohim sa i qëndrojmë besnikë Krishtit. Më duket se në Evropën Perëndimore - me gjithë respektin e duhur - çdo gjë tjetër shërben për të mbuluar faktin se nuk kemi bërë gjithçka për kumtimin e Ungjillit”. E shton se “çështja e abuzimeve është shumë serioze, por duhet të kemi kujdes edhe për termat, që përdorim, kur flasim për ‘klerikalizëm’”. Pa meshtarë nuk e kemi të lehtë, përfundon imzot Martin Kmetec.

08 shkurt 2023, 12:07