Kërko

Faza kontinentale evropiane e Sinodit zhvillohet në Pragë Faza kontinentale evropiane e Sinodit zhvillohet në Pragë

Sinodi, në Pragë fillon etapa kontinentale evropiane

Nxitja e Papës, nga Sudani i Jugut, për të gjallëruar rolin e ipeshkvijve si barinj të Popullit të Zotit, arriti edhe në zemër të kontinentit të vjetër, në kryeqytetin e Republikës Çeke, ku me meshën e sotme në kishën e Premonstratensëve, hapet takimi sinodal me dyqind delegatë, që deri më 12 shkurt, do të shqyrtojë frytet e punës për Sinodin, bërë nga Kisha, në nivelin lokal

R.SH. – Vatikan

Ndërsa nga të dyja vendet e shtegtimit të tij apostolik në Afrikë, Papa Françesku kujtoi një nga aspektet thelbësore të veprimit të Kishës në mënyrë sinodale – faktin që roli i ipeshkvijve nuk është ai i funksionarëve kishtarë, i administratorëve apo i krerëve të fiseve tribale, por ai i barinjve, që ndotin duart, duke ndenjur me njerëzit - në Pragë, filloi etapa kontinentale evropiane e procesit sinodal, në të cilën ripohohet i njëjti koncept thelbësor, i shprehur nga Ati i Shenjtë.

Shtatë Asambletë Kontinentale

Procesi “Për një kishë sinodale. Bashkim, pjesëmarrje, mision” (2021-2024) hyn kështu në një nga fazat qendrore të tij. Pas këshillimit lokal, që përfundoi verën e kaluar, jemi në përfundim të hapit të dytë, atij të Asambleve Sinodale Kontinentale: për Oqeaninë, takimet nisin këtë të diel, më 5 shkurt, në Suva (Ishujt Fixhi); e njëjta gjë do të ndodhë edhe për Lindjen e Mesme, nga 12 deri më 18 shkurt, në Bejrut (Liban); për Amerikën e Veriut, nga 13 deri më 17 shkurt, në Orlando (Florida); për Azinë, nga 23 deri më 27 shkurt, në Bangkok (Tajlandë); për Afrikën, nga 1 deri më 6 mars. në Addis Ababa (Etiopi); për Amerikën Latine, nga 17 deri më 23 mars, në Bogota (Kolumbi).

Dyqind delegatë nga e gjithë Evropa

Me kremtimin e meshës, kryesuar nga imzot Jan Graubner, kryeipeshkëv i Pragës, në kishën e premonstratensëve në Strahov, sot, 5 shkurt, në kryeqytetin çek hapet Asambleja për Evropën. Takimi, i cili vazhdon deri më 12 shkurt dhe bie në 20-vjetorin e Nxitjes post-sinodale të Shën Gjon Palit II, “Ecclesia in Europa”, ndahet në dy pjesë: njëra, në të cilën rreth 200 delegatë (156 nga 39 Konferenca Ipeshkvnore Evropiane e 44 të tjerë, të ftuar personalisht nga CCEE) takohen për të përvijuar sfidat dhe mundësitë e Sinodit; ndërsa e dyta, nga 11 deri më 12 shkurt, në të cilën vetëm 39 kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane do të takohen për të vlerësuar rezultatet e diskutimeve dhe për të filluar hartimin e një sinteze, që do t'i dërgohet, deri në mars, Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, së bashku me të gjitha sintezat e tjera kontinentale. Nga shqyrtimi i këtyre shtatë Dokumenteve Përfundimtare, do të hartohet “Instrumentum laboris”, i cili duhet të përfundojë brenda qershorit 2023.

Të mblidhen frytet e shqyrtimeve në nivelin lokal

Mjeti për arritjen në këtë fazë të dialogut sinodal është Dokumenti i punës për fazën kontinentale, që përmbledh gjithçka u diskutua në gjirin e Popullit të Zotit, gjatë vitit të parë të Sinodit. Një udhëzues i saktë për t'u thelluar e për të vijuar shoshitjen e mëtejshme, duke u bazuar në tri pyetje: cilat prej intuitave tingëllojnë më të qarta; cilat çështje duhet të trajtohen në fazat e ardhshme; cilat përparësi, tema dhe thirrje për veprim mund të diskutohen në Sesionin e Parë të Asamblesë Sinodale, në tetor 2023.

Delegacione përfaqësuese të shumëllojshmërisë së Popullit të Zotit

Në etapën kontinentale, pra, mblidhen rezultatet e çdo ipeshkvi dioqezan dhe të ekipit të tij sinodal. Edhe në këtë fazë, është siguruar përfaqësimi i krejt Popullit të Zotit, në shumëllojshmërinë e tij: ipeshkvij, meshtarë, diakonë, rregulltarë e murgesha, laikë, veçanërisht gra e të rinj. Listës së pjesëmarrësve të pranishëm në Pragë, u shtohen edhe rreth 390 delegatë online. Delegacioni shqiptar përbëhet nga: kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, Át Bernad Caruana, Vikar i përgjithshëm i Tiranës dhe Petrika Lame, laik nga Administratura Apostolike e Jugut.

05 shkurt 2023, 16:48