Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Zoti është dashuri, jo arsye matematike

Vijojmë ciklin me mendimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Në emisionin e sotëm, Joseph Ratzinger u flet gjithnjë të rinjve të dioqezës së Romës, në përgatitje për Ditën XXI Botërore të Rinisë, më 6 prill 2006

R.SH. – Vatikan

Zoti, ose ekziston, ose nuk ekziston – vërente atëherë Benedikti XVI, duke vënë në dukje se në të vërtetë, kemi vetëm dy opcione e, për ata, që dinë sadopak matematikë, kjo do të thotë se jemi vetëm 50% të sigurt mbi ekzistencën hyjnore e për të njëjtën përqindje mund të mburren edhe ateistët, pavarësisht se u duket sikur kanë më shumë prova në dorë për mosekzistencën e Hyjit. Prandaj, me të drejtë, Ati i Shenjtë nënvizonte: Ose njohim përparësinë e arsyes, të Arsyes krijuese, që është në fillimin e të gjitha gjërave dhe në fillim të gjithçkaje – e përparësia e arsyes është edhe përparësi e lirisë – ose duhet të përkrahim përparësinë e irracionales, sipas së cilës gjithçka funksionon mbi tokë e në jetën tonë është thjesht e rastësishme, krejt e parëndësishme, një produkt irracional – arsyeja pra, do të ishte produkt i së paarsyeshmes. Në fund të fundit, nuk mund “të provohet” eksperimentalisht as njëri e as tjetri nga planet për botën, por opcioni i madh i Krishtërimit është ai në favor të arsyes e të përparësisë së arsyes. Ky më duket një opcion i shkëlqyer, që na tregon se pas gjithçkaje qëndron një Inteligjencë tejet e madhe, së cilës mund t’i besojmë.

Por, problemi i vërtetë kundër fesë, sot, më duket se është e keqja në botë: shpesh pyesim si ka mundësi që ajo të pajtohet me arsyen e Krijuesit – vijon më tej Benedikti XVI, duke u folur të rinjve të Romës. – E këtu, vërtet kemi nevojë për Zotin e mishëruar, që të na dëshmojë se Ai nuk është thjesht arsye matematike, por se kjo arsye e zanafillës është edhe Dashuri. Nëse shqyrtojmë opcionet e mëdha, opcioni i krishterë është edhe sot më i arsyeshmi e më njerëzori. Prandaj mund të përpiqemi me besim për një filozofi, për një vizion të botës, që bazohet mbi përparësinë e arsyes, mbi besimin se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri është Zoti.

09 shkurt 2023, 09:37