Të meditojmë me Ungjillin, në ditën e parë të Vitit të Ri
R.SH. - Vatikan
Me këtë të diel, në të cilën Kisha Katolike kremton solemnitetin e Nënës së Zotit, fillon edhe Viti i Ri 2023. Pjesa ungjillore na tregon një episod nga jeta e një familjeje hebraike të varfër, që s’gjeti vend në bujtinë, por u detyrua të strehohej në mesin e kashtës së grazhdit. E pra, fëmija është Zoti e gruaja, që e lindi, është Virgjëra Shenjte. Vetëm barinjtë, të ndihmuar nga një mesazh qiellor, i njohin dhe u thurin lavde. Urojmë që në këtë Vit të Ri t’i njohim edhe ne e t’ia besojmë udhën, që do të bëjmë përgjatë 2023-shit, Birit të Zotit të gjallë. Të ndjekim Ungjillin sipas Lukës, në kreun e tij të dytë (16-21)…
Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës.
Të lutemi së bashku
Nisi sot një vit i ri
e unë, si shumë të tjerë, prita,
plot besim e shpresë,
atë mesnatë, në kapërcyell
të kësaj kohe të re.
Një vit i ri nisi sot
e, kur u zgjova, sot në mëngjes,
e ndjeva peshën e frikës,
të ankthit e të shqetësimit,
që bëjnë çmos ta mbysin shpresën.
Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,
zemërshqyer nga urrejtja
shkatërruar nga armiqësitë
korruptuar nga egoizmi?
Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,
përshkuar nga kaq iluzione,
magjepsur nga kimera,
dehur nga horizonte të çuditshme.
Ku po shkon, o Zot, ky njerëzim,
që pranon qetësisht
urinë e etjen, sëmundjet e shfrytëzimin
e sa e sa njerëzve, që gjithsesi, bartin
gjurmën e pashlyeshme të fytyrës Tënde?
Ti nuk u përgjigjesh pyetjeve të mia,
por më vë pak pika ilaçi në sy
që të shoh çka i shpëton
vështrimit të pavëmendshëm të shumicës.
Më bën të takoj shumë fytyra njerëzish të mirë,
që bëjnë ç’është e mundur
për të jetuar varfërinë e të mjerëve,
për t’u dhënë dinjitet të braktisurve,
për të ngushëlluar të vuajturit,
për t’i dhënë një dorë vëllazërisht, atij që gabon.
E kështu, me këto fytyra, Ti më jep dritën e gjallë,
që ma shndrit udhën e Vitit të Ri e ma pakëson frikën.