Kërko

Kongo Kongo

Republika Demokratike e Kongos: Isis merr përsipër sulmin kundër një kishe

Milicët e Iscap, një degë e Isis-it aktive në Afrikën Qendrore, marrin përsipër përgjegjësinë e sulmit kundër një kishe pentekostale në Kasindi, në verilindje të Kongos. Terroristët vendosën një bombë, që shpërtheu duke shkaktuar 17 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

R.SH. – Vatikan

         Iscap mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e pasdites së djeshme kundër kishës pentekostale të Kasindit, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos. Dega e Isisit në Afrikën Qendrore e organizoi sulmin gjatë një ceremonie fetare, duke vendosur një bombë, që shkaktoi 17 të vdekur.

Deklarata e terroristëve

“Luftëtarët e Shtetit Islamik arritën të vendosin një bombë brenda një kishe të krishterë në qytetin Kasindi”: kjo, deklarata e organizatës terroriste në kanalin Telegram. Iscap shton se vuri në shënjestër "një turmë të madhe të krishterësh, që po kremtonin ritet e së dielës", duke nënvizuar se sulmi është "provë e mëtejshme e dështimit të fushatave të fundit ushtarake të forcave të Kongos dhe të aleatëve të tyre për të garantuar sigurinë e të krishterëve".

Udhëtimi i Papës

Republika Demokratike e Kongos është vendi që do të vizitohet nga Papa Françesku më 31 janar, para se Ati i Shenjtë të shkojë në Sudanin e Jugut. Papa nuk do të ndalet në Goma, kryeqytet i Kivusë së Veriut, pikërisht për shkak të problemeve shkaktuar nga guerrilja. Vërtet, që nga viti 1998, Kongoja lindore është përfshirë në një konflikt të nxitur nga milicitë rebele dhe ushtria, pavarësisht nga misionet e ndryshme paqeruajtëse të OKB-së në territor.

16 janar 2023, 14:02