Nigeri, një prift katolik vritet e një tjetër plagoset në shtëpinë e famullisë
R. SH. - Vatikan
Sot në mëngjes, në Nigeri, një grup banditësh sulmuan, pa shkrepë ende agimi, strehën e famullisë së Kishës Katolike të Shën Pjetrit dhe Shën Palit, në Kafin-Koro, rajoni i Paikoro. Gjatë sulmit, mbeti i vdekur Atë Isaac Achi dhe u plagos në shpinë Atë Collins, ndërsa përpiqej të shpëtonte. Banditët u larguan sapo mbërritën forcat e sigurisë, pasi i kishin vënë flakën banesës së famullisë, duke e lënë të vdekur edhe meshtarin, Atë Achi.
Vdiq prej zjarrit, shkaktuar nga banditët
Duke konfirmuar sulmin e dhunshëm dhe tragjik, ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, kreu i marrëdhënieve të policisë së shtetit me publikun, Wasiu Abiodun, pohoi se “banditët deshën të hynin në banesë, por ngaqë nuk ia dolën, i vunë flakën, ndërsa meshtari vdiste i karbonizuar”. Skuadrat taktike të policisë së Kafin-Koro, pohoi Abiodun, "u dërguan menjëherë në vendngjarje, por banditët qenë larguar para se të arrinin".
Prifti i plagosur u dërgua në spital për mjekim
Trupi i pajetë i Atë Isaac u gjet menjëherë, ndërsa Atë Collins u dërgua në spital për t'u mjekuar. Komisari i Komandës së Policisë së Shtetit, Ogundele Ayodeji, dërgoi një ekip përforcimi në zonë dhe po punon për arrestimin e banditëve. Ndërkaq për sulmin tragjik kanë nisur hetimet.