Kërko

2023.01.17 Chiesa dell’Assunzione a Chan Thar 2023.01.17 Chiesa dell’Assunzione a Chan Thar

Junta ushtarake e Mianmarit i vë zjarrin Kishës historike të Zojës Madhe në Chan Thar

Vendi i kultit i ndërtuar më 1894 kishte vlerë historike "të paçmuar" për katolikët dhe jo-katolikët. Para se t'i vinin zjarrin, ushtarët e përdhosën tempullin. Për shekuj, katolikët dhe budistët kanë jetuar së bashku në harmoni në këtë zonë të Mianmarit. Vitin e fundit fshati është sulmuar katër herë nga ushtria

R.SH. - Vatikan

Junta ushtarake birmane ka nisur një sulm të ri kundër katolikëve në Mianmar, duke i vënë flakën një prej vendeve më të vjetra dhe më të rëndësishme të kultit në të gjithë vendin. Kisha historike kushtuar 'Të Ngjiturit të Zojës në Qiell'  në fshatin Chan Thar, në qytetin Ye U, rrethi Shwe Bo, në Sagaing, është sulmuar e shkatërruar nga ushtria. E ndërtuar në vitin 1894, e lashtë 129 vjet, në këtë Kishë është kremtuar pagëzimi i atij që do të bëhej ipeshkvi i parë birman.

Djegia e Kishës është një plagë e re për pakicën fetare, pasi ditët e fundit dy avion të forcave ushtarake kryen një sulm në Shtetin Karen, duke shkatërruar një Kishë dhe duke vrarë pesë persona, përfshirë një fëmijë. Prania e parë katolike në zonë, e cila i referohet dioqezës së Mandalay, daton rreth 500 vjet më parë dhe vetë fshati Chan Thar u ngrit dhe u zhvillua falë punës së pasardhësve të katolikëve portugez, të cilët më pas e banuan aty për shekuj.

Që nga grushti ushtarak i shkurtit 2021 që e përmbysi qeverinë demokratike të udhëhequr nga Aung San Suu Kyi - ende e arrestuar - dhe ia ktheu pushtetin ushtrisë, deri më tani ushtarët e kanë sulmuar zonën katër herë. Shumë persona - brenda dhe jashtë vendit - e konsiderojnë Kishën një "vend historik me vlerë të paçmueshme".

Në fshat popullsia ka qenë gjithmonë kryesisht katolike, e përhapur në mbi 800 shtëpi në kontakt të ngushtë dhe në harmoni të plotë me dy qendrat budiste aty pranë. Vitin e kaluar, ushtria i vuri zjarrin shtëpive të Chan Thar më 7 maj dhe për herë të dytë një muaj më vonë më 7 qershor 2022, duke shkatërruar 135 ndërtesa. Sulmi i tretë ndodhi më 14 dhjetor, pak para fillimit të kremtimeve të Krishtlindjes; sulmi i fundit ndodhi pak ditë më parë, më 14 janar 2023, ku njerëzit e Tatmadaw (Forcat e Armatosura) rrafshuan dhe dogjën pothuajse të gjitha shtëpitë.

Burime vendase, në mënyrë anonime, bëjnë të ditur se ushtarakët kanë sulmuar dhe djegur “pa asnjë arsye të dukshme”, pasi në zonë nuk ka pasur përleshje apo luftime dhe pa pësuar asnjë provokim. Ushtarët kanë stacionuar në zonën përballë Kishës që nga mbrëmja e 14 janarit dhe para se të largoheshin nga zona kryen një “tmerre” duke i vënë flakën objektit dhe duke “djegur plotësisht” Kishën, shtëpinë e famullitarit dhe Manastirin shekullor të murgeshave, i cili u shemb pasi u përfshi nga flakët.

Kisha e Zojës së Madhe ishte një objekt krenarie për katolikët e Mianmarit të Epërm jo vetëm për traditën shekullore, për pagëzimin e ipeshkvit të parë dhe për tre kryeipeshkvij të tjerë dhe mbi 30 priftërinj e murgeshave. Vendi i kultit ka qenë në fakt një trashëgimi historike dhe kulturore për të gjithë vendin, përfshirë budistët dhe një dëshmi për këtë është klima e bashkëpunimit vëllazëror që ishte krijuar midis komuniteteve të ndryshme. Kisha, kambanorja dhe ndërtesa të tjera u shkatërruan në mëngjesin e 15 janarit të kaluar; Ushtarët e qeverisë, tregon një dëshmitar okular, kanë "përdhunuar" edhe sakralitetin e vendit duke e "plaçkitur, pirë alkool dhe duhan" brenda.

Në përgjigje të sulmit, disa priftërinj birmanë në mediat sociale u kanë bërë thirrje besimtarëve të luten për vendin dhe për vetë komunitetin e krishterë. Në mesazhin drejtuar besimtarëve të botuar ditët e fundit me rastin e Vitit të Ri, kardinali Charles Bo e pati shpallur janarin si “muajin e armëpushimit”, duke iu drejtuar të gjitha palëve – përfshirë edhe ushtarakëve – duke kërkuar “të heshtin armët” dhe të “besojnë në një zgjidhje paqësore”. Kardinali Bo pati nënvizuar vlerën e "dialogut" në zgjidhjen e konfliktit dhe bëri thirrje për rifillimin e procesit të paqes Panlong. Një apel, siç u pa këto ditë, që ra në vesh të shurdhër pranë Naypyidaw.

17 janar 2023, 14:34