Kërko

 Corona Avvento - II Domenica Corona Avvento - II Domenica

Të meditojmë me Ungjillin e Dielës së 2-të të Ardhjes 'A': kthehuni, Mbretëria e Zotit është afër

Profeti rigoroz i Ungjillit,/është aq i përqendruar në mesazhin e vet/sa nuk i jep rëndësi/as ushqimit e as veshjes,/profet, që nuk heziton/e thotë të vërtetën me zë të fortë e të lartë/e s’pyet në shqetëson a jo,/por vijon pa u ndalur./O Zot, ti na ke mësuar se/kthesa e vërtetë/shihet nga frytet:/nga vendimet e drejta,/nga ndryshimi i udhës, pa e kthyer kokën pas/nga mohimi i sjelljeve të mëparshme

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e Shën Mateut e në atë të Shën Markut, predikimi i Gjon Pagëzuesit është sinjali i fillimit të jetës publike të Jezu Krishtit. Me thirrjen e tij për të bërë kthesë, ai i jep zë mesazhit të Krishtit: “Mbretëria e Qiellit është afër”. Jo vetëm kaq, por e bën të qartë se pagëzimin e vërtetë do ta marrim nga Jezu Krishti, pasi pagëzimi i Gjonit nuk i shlyen mëkatet. Kjo e diel e dytë e Kohës së Ardhjes na paraqet pikërisht figurën e shën Gjon Pagëzuesit, i cili i hap rrugën Jezu Krishtit. Na paralajmëron edhe se e ardhmja është vërtet në dorën e Zotit, por edhe në dorën tonë, pasi varet nga veprimet tona njerëzore. “Bëni vepra të denja kthimi” na këshillon Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 3 sipas Mateut (1-12). Le ta ndjekim…

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretinë e Judesë e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!” Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha: “Zëri i atij që bërtet në shkreti: ‘Përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni shtigjet e tija!’” Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijeve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. Aso herë vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E mbasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan. Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi! As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!” sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! Tashmë sëpata u vu në rrënjë të lëndëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr. Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalët: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr. Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm”.

Të lutemi së bashku

Një çast ngashëryes:

kush nuk e ka provuar?

Dëshirën për një jetë tjetër:

kush nuk e ka ndierë?

E me to, edhe një farë nostalgjie për Ty,

për ta vënë jetën në duart e tua,

për të ndjekur pa u penduar Fjalën tënde,

për t’u shkundur nga ritmet dhe zakonet e përditshme

me bindjen se kjo na bën mirë…

Kthesë e vërtetë

apo flakë kashte?

Profeti rigoroz i Ungjillit,

është aq i përqendruar në mesazhin e vet

sa nuk i jep rëndësi

as ushqimit e as veshjes,

profet, që nuk heziton

e thotë të vërtetën me zë të fortë e të lartë

e s’pyet në shqetëson a jo,

por vijon pa u ndalur.

O Zot, ti na ke mësuar se

kthesa e vërtetë

shihet nga frytet:

nga vendimet e drejta,

nga ndryshimi i udhës, pa e kthyer kokën pas

nga mohimi i sjelljeve të mëparshme.

Sepse Ti, o Zot, nuk mjaftohesh

me retushime të thjeshta sa për sy e faqe,

me furçe të jashtme.

Ti na fton të ndryshojmë thellësisht,

në zemra, sepse prej andej

mund të vijnë fryte të mira

drejtësie dhe paqeje.

Kështu, do të të presim ashtu siç do Ti.

03 dhjetor 2022, 10:30