Kërko

Imzot Sviatoslav Shevchuk Imzot Sviatoslav Shevchuk 

Shevchuk: Lufta nuk i ndal Krishtlindjen. Fundi i vrasjes, hap i parë drejt paqes

Kreu i Kishës greko-katolike ukrainase u përshkruan gazetarëve dhjetë muajt e fundit në një mision me ambasadat polake dhe ukrainase pranë Selisë së Shenjtë: niset prej zjarrit, që zbriste nga qielli, te kuzhina në ndërtim e sipër nën shtëpinë e tij për t’u përgatitur ushqime të ngrohta njerëzve pa energji elektrike. Më pas shpjegon se si lindën video-mesazhet e tij dhe si do të festohet Krishtlindja në vendin ku vijon lufta: "Shumë njerëz do të shkojnë në front për të festuar gëzimin e Krishtl

R. SH. - Vatikan

 “Ndaloni veprimet ushtarake, ndaloni vrasjet: ky do të jetë hapi i parë për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme. Paqja është diçka më e thellë, se mungesa e luftës. Nuk bëhet fjalë vetëm për të fituar luftën, por për të fituar vetë frymën e luftës, për të fituar mbi shkaqet e saj”.

Ndërsa shqipton këtë thirrje të fundit të përzemërt për Ukrainën dhe popullin e saj, në raftin e librave pas kryepeshkopit të madh të Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, ka një përkrenare dhe një jelek antiplumb. “Provojini sa peshojnë... Ne i vishnim çdo ditë. Shoqëruar me shakanë:  janë veshjet e reja liturgjike!” - u kujton kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës  gazetarëve, në misionin me ambasadat e Selisë së Shenjtë pranë Polonisë dhe Ukrainës, të cilat i pret në Kryepeshkopatë me biskota dhe kafe”.

Dëgjoni një fragment nga intervista e Kryepeshkopit Shevhchuk

Gëzimi i Krishtlindjes

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ditët e para të tmerrshme të agresionit rus në Ukrainë, në fund të shkurtit, në të cilin, thotë Shevchuk duke treguar një dritare, "mund të shihej një shi zjarri që zbriste prej andej". Ai vetë ishte strehuar së bashku me qindra njerëz në kriptën e Katedrales së Ngjalljes. Sot flet më qetë. Mbi të gjitha, për ardhjen e Krishtlindjes:

“Ne kemi zakon t'u këndojmë këngët e Krishtlindjes fqinjëve tanë, veçanërisht atyre më në nevojë, për të ndarë gëzimin dhe urimet e mira. Po tani të gjithë pyesin: a do të ketë gëzim për Krishtlindje, a lejohet të këndojmë apo duhet të mbyllim gojën dhe të qajmë? U thashë po, do të ketë Krishtlindje. Kemi të drejtë të kremtojmë gëzimin e Krishtlindjes që nuk vjen nga dëfrimi profan, por nga Parajsa, sepse do të lindë Princi i Paqes”.

Festë në front dhe në strehime

“Festat do të arrijnë deri në front. Do të jetë ndokush, që do të këndojë për ushtarët e angazhuar në rreshtat e betejës - kujton Shevçuk - Në kohët sovjetike – vijon – këngët e Krishtlindjes ishin një formë proteste kundër regjimit komunist ateist. Njerëzit këndonin për të kapërcyer ankthet dhe trishtimin. Këngët janë shprehje e besimit të krishterë, janë katekizëm, që i këndon lindjes së Jezusit, prandaj shumë përgatiten të shkojnë të këndojnë me ushtarët tanë në kufi. E di që po organizohen edhe disa studentë. E njëjta festë do të kremtohet në çdo strehë antiajrore për t’u mbrojtur nga bombat, në çdo strehë: “Do ti festojmë Krishtlindjet në të ftohtë dhe në errësirë. Kjo do të na bëjë të përjetojmë mbi lëkurën tonë historinë e Familjes së Shenjtë, edhe ajo në të ftohtë e në errësirë, por me gëzim qiellor”.

Luftë dhe ngricë, por Kievi përpiqet të rifillojë. Nunci: "Kemi nevojë për paqe, paqe të vërtetë"

“Në kryeqytetin ukrainas, njerëzit jetojnë jetën e përditshme dhe kthehen në meshë. Urgjenca e të ftohtit dhe mungesa e energjisë elektrike dhe e ngrohjes, pas shkatërrimit të disa centraleve ...po ju mos u mësoni me të!”

Këtë mesazh shprese përhap lideri greko-katolik, në një kohë kur sulmet në Ukrainë duket se u lehtësuan dhe shumë qytete u çliruan. “Po, por - u  kujton njerëzve - duhet të jeni të kujdesshëm. Kur dëgjoni alarmin e sulmit ajror, nuk e vini re më. Kjo tregon se rreziku nuk pakësohet, por njerëzit mësohen psikologjikisht me të. Është rrezik, sepse tani kemi fenomenin e raketave. Ata mund të bien kudo, si në Kiev, ashtu edhe në Lviv. Nuk ka vend të sigurt në Ukrainë”.

Urgjenca e të ftohtit

Përballë mundësisë, megjithatë, është më urgjente të merreni me emergjencat. Dhe e para, për Ukrainën e shkatërruar nga lufta tani për tani, është i ftohti. E dhe pamundësia për t'u ngrohur për shkak  të racionimit të energjisë elektrike. “E ftohta është arsyeja për valën e pestë të personave të zhvendosur brenda vendit”, shpjegon Shevchuk. “Që nga fillimi i luftës, së pari oligarkët i morën paratë dhe ia mbathën, pastaj ata që me mjetet e tyre ndihmuan veten dhe gjetën hotele dhe vende të tjera, por pati edhe njerëz pa asgjë mbas shpirtit, që ikën duarbosh. Mendoj për anëtarët e familjes nga qyteti i Boryspil' që ecën 23 km zbathur natën, së bashku me fëmijët e tyre. Më në fund, pati një valë të katërt refugjatësh që nuk shkuan shumë larg, por kërkuan fshatin e parë duke pritur çastin për të shkuar në shtëpi. Tani vala e re, e pesta: refugjatët termikë, që nuk ikin nga lufta, por nga e ftohta dhe mbushin përplot  Ukrainën qendrore-lindore”.

Një kuzhinë, nën shtëpinë e Kryepeshkopit

“Ne nuk ishim të përgatitur për fenomenin e mungesës së energjisë elektrike dhe të nevojës për të ushqyer kaq shumë njerëz,”  - pohon imzot Shevchuk. “Nisëm menjëherë përpjekjet për të ndërtuar kuzhina, që të mund të ofronim ushqime të ngrohta”. E pikërisht poshtë shtëpisë së tij do të ndërtohet një kuzhinë: “Për pak ditë do të jetë gati, duhet të organizojmë logjistikën e shpërndarjes së ushqimit. Si Kishë, ne nuk mund të mendojmë t’i ushqejmë të gjithë, por përpiqemi të marrim këdo që mundemi. Ky është kujdesi ynë baritor. Kujdes baritor i afërsisë”.

Videomesazhe ditore

Është pikërisht kjo afërsi, që e ka shtyrë imzot Shevçukun çdo ditë, që nga 24 shkurti, të prodhojë një video-mesazh, që shpërndahet në internet. Një nismë kërkuese, origjinën e së cilës Kreu i Kishës greko-katolike e shpjegon kështu: “Ditën e parë që të gjithë u çorientuan, shihje helikopterë rusë dhe zjarr nga qielli. E gjithë bota nisi të më pyeste: a je gjallë? ku je? Çfarë po bën? Nuk dija çfarë të thosha… Nuk e di nëse do të jem gjallë pas dy orësh, mendova. Atëhere i thashë sekretarit: të dërgojmë një mesazh për të treguar se jemi gjallë! Kuptova se me këto mesazhe mund t'i ndihmoja njerëzit ta harrojnë për ca çaste frikën dhe të flasin për shpresën që vjen nga Feja. Pas 2-3 javësh pyeta veten: a ia vlen barra qiranë? Pastaj një ditë shkova në qytetin e torturuar të Zhytomyr. Në një famulli një grua e moshuar m'u afrua e më tha: "Ne jetojmë në terror të vazhdueshëm, kemi frikë, është gjë e mirë që na flisni". "Por zonjë, unë nuk di çfarë t'ju them më!". "Nuk ka rëndësi se çfarë thoni, rëndësi ka që ju të flisni me ne"- gjegji. Atëherë kuptova se edhe kur nuk do të dija më çfarë të them, është e rëndësishme që njerëzit të dëgjojnë zërin e Kishës së tyre, që i shoqëron”.

11 dhjetor 2022, 11:52