Kërko

 L'affresco del soffitto della Lapidazione di Santo Stefano nella Chiesa di Santo Stefano di Odoardo Perini (1750). L'affresco del soffitto della Lapidazione di Santo Stefano nella Chiesa di Santo Stefano di Odoardo Perini (1750). 

Martiri i parë, Shën Shtjefni dhe të krishterët e përndjekur sot

Në ditën kur kisha kremton Shën Shtjefnin protodiakon dhe protomartir - diakoni i parë dhe martiri i parë - raporti i Ndihmë për Kishën që Vuan na fton të kujtojmë të krishterët e përndjekur sot në botë. Numër në rritje, ndërmjet dhunës, shpërdorimit, mbylljes së detyruar të kishave. Që nga 1 janari 2022, në botë u vranë 14 priftërinj dhe 2 rregulltarë

R. SH. - Vatikan

Sot Kisha përkujton Shën Shtjefnin (Greqi, 5 - Jerusalem, 36), i pari i krishterë që dha jetën për të dëshmuar besimin e tij në Jezu Krishtin dhe për të përhapur Ungjillin. Martirizimi i Shtjefnit përshkruhet në Veprat e Apostujve, ku njihemi me thirrjen e tij në shërbim të dishepujve, edhe martirizimin me gurë, në prani të Palit të Tarsit, i cili më vonë u kthye në fe përgjatë rrugës drejt Damaskut. Shën Shtjefni nderohet si protodiakon dhe protomartir. Epiteti i parë tregon se ishte i pari dhe ndoshta më i rëndësishmi nga diakonët e zgjedhur në Jerusalem. I dyti lidhet me emrin e tij edhe pse martirizimi i diakonit paraprihet kronologjikisht nga ai i Gjon Pagëzuesit, të cilit iu pre koka. Shtjefni ishte i pari nga shtatë diakonët e zgjedhur prej bashkësisë së krishterë për të ndihmuar apostujt në shërbim të fesë.

Falje persekutuesve

Një aspekt i veçantë në historinë e Veprave të Apostujve, që e afron Shën Shtjefnin më pranë Jezusit, është falja e tij përpara se të vdiste i vrarë me gurë. Edhe Dante në Komedinë Hyjnore e krijon këtë skenë prekëse:  goditjen me gurë të Shtjefnit i cili, duke vdekur, kërkon falje për persekutorët e tij. Vdes, duke ia besuar jetën Zotit dhe duke i falur përndjekësit”.

Kulti

Data e vdekjes mund të përcaktohet me njëfarë sigurie për shkak të mënyrës si e jetoi çastin e fundit: fakti që ai nuk u kryqëzua (d.m.th., me metodën e përdorur nga pushtuesit romakë), por u mbyt me gurë, ekzekutim tipik hebre, tregon se vdekja e Shtjefnit ndodhi në vitin 36 pas Krishtit, gjatë periudhës së boshllëkut administrativ pas deponimit të Ponc Pilatit, i cili kishte bërë armiq ndërmjet popullsisë për shkak të dhunës së tepërt të përdorur për të shuar të ashtuquajturën revoltë të malit Garizim.  

Në një fjalim të mbajtur në vitin 425, Shën Agustini kujton se, menjëherë pas gjetjes së  trupit të Shën Shtjefnit në Jeruzalem, në vitin 415, në vendet e kultit të tij nisën mrekullitë. Na flet për "kujtimin shumë të lashtë të Shën Shtjefnit" që ekziston në Ankonë që nga koha e martirizimit, lindur pas mbërritjes në qytet të një detari, që mendohet se kish qenë dëshmitar i mbytjes me gurë të protomartirit dhe kishte dëshmuar për të, për besimin dhe guximin e tij; përmendet edhe një vend adhurimi afrikan i Shenjtit: Uzala, afër Tunisit të sotëm. Me që ai ishte i pari martir i krishterë, festa e tij liturgjike kremtohet më 26 dhjetor, pra menjëherë pas festës së lindjes së Krishtit. Sot meshtari gjatë meshimit vishet me të kuqe, si në të gjitha rastet kur kujtohet një martir.

Dëshmitarë, deri në martirizim

Duke parë shekujt 20 dhe 21, Kisha ruan kujtimin e shumë dëshmitarëve të fesë nga Azia, Oqeania, Lindja e Mesme, Afrika dhe Amerikat. Në veçanti, kujtojmë dëshmitarët e fesë të Spanjës dhe Meksikës dhe të gjithë dëshmitarët e besimit të vrarë nën regjimin komunist e nën regjimin nazist. Posaçërisht ne kujtojmë sot shqiptarët, një numër i pallogaritshëm martirësh, shpesh të kallur në gropa të panjohura, pas torturave më mizore! Më 5 nëntor Kisha katolike  Universale i përkujton dhe i kremton Martirët e Lum shqiptarë – Vinçenc Prennushi me 37 shokë. Na kujton, kështu,  jetën e tyre, qëndresën e tyre, virtytet e tyre njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e tyre për realitetin e sotëm.

Ndërsa Kisha italiane e feston ditën në kujtim të martirëve misionarë më 24 mars, duke kujtuar vrasjen dramatike të kryeipeshkvit të San Salvadorit Oscar Arnulfo Romero, i vdekur pikërisht në këtë ditë të vitit 1980 dhe i shpallur shenjtor nga Papa Françesku më 14 tetor. 2018. Sipas të dhënave të fundit të publikuara, 14 priftërinj dhe dy murgesha u vranë në mbarë botën nga 1 janari 2022 deri më sot.

Persekutimet e të krishterëve sot

Përndjekja e të krishterëve në botë është në rritje dhe kryesisht nga ekstremistët islamikë. “Të persekutuar më shumë se kurrë. Raport mbi të krishterët e shtypur për fenë 2020-2022” titullohet edicioni i tetë i raportit të Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan” (Acs), botuar këto ditë. Në 75 përqind të 24 vendeve të anketuara, shtypja ose persekutimi i të krishterëve është rritur. Raporti përmban informacione nga Acs dhe burime të tjera, dëshmi të dorës së parë, studime dhe analiza.

Raporti shqyrton, nga tetori 2020 deri në shtator 2022, 24 vende ku shkeljet e lirisë fetare krijojnë shqetësime të veçanta: Afganistani, Arabia Saudite, Kina, Koreja e Veriut, Egjipti, Eritrea, Etiopia, India, Irani, Iraku, Izraeli dhe Territoret Palestineze, Ishujt Maldive, Mali, Mozambik, Myanmar, Nigeri, Pakistan, Katar, Rusi, Sri Lanka, Sudan, Siri, Turqi dhe Vietnam.

Në Afrikë

Afrika regjistron një rritje shqetësuese të dhunës terroriste: dyshohet se mbi 7600 të krishterë nigerianë u vranë në janar 2021- qershor 2022. Në maj të këtij viti - shpjegon Alessandro Monteduro, drejtor i Acs Italia - një video tregonte 20 të krishterë nigerianë të ekzekutuar nga terroristët islamikë të Boko Haram dhe Provincës së Afrikës Perëndimore e Shtetit Islamik (Iswap). Të dy grupimet u përpoqën për vite të tëra të themelojnë kalifate në rajonin e Sahelit, secili me valinë e vet (guvernatorin) dhe me strukturën e tij qeveritare. Dhe të gjitha të bazuara mbi dhunën më të verbër e mbi urrejtjen më të zjarrtë. Gjithashtu në Mozambik, formacioni terrorist islamik Al-Shabab ka thelluar fushatën e tij terroriste, duke vrarë të krishterët, duke sulmuar fshatrat e tyre dhe duke u vënë zjarrin kishave. Grupi, i lidhur me Shtetin Islamik (ISIS), shkaktoi arratisjen e mbi 800,000 njerëzve dhe vdekjen e 4,000 të tjerëve. Ndërmjet dëshmive të raportuara, është edhe ajo e Imzot Jude A. Arogundade, ipeshkëv i Ondos, në Nigeri, dioqeza e të cilit ishte në shënjestër të njerëzve të armatosur që vranë më shumë se 40 vetë gjatë kremtimit të Rrëshajëve, qershorin e kaluar. Duke komentuar paraqitjen e raportit, ipeshkvi deklaroi se, “megjithë alarmin për rritjen e dhunës në disa pjesë të vendit, askush nuk duket se po i kushton vëmendje genocidit që po ndodh në brezin e mesëm të Nigerisë. Bota hesht, ndërsa sulmet kundër kishave, stafit dhe institucioneve të tyre janë bërë rutinë e përditshme”.

Në Lindjen e Mesme

Raporti tregon se “kriza e migracionit kërcënon mbijetesën e disa prej bashkësive më të vjetra të krishtera në botë. Në Siri, të krishterët kanë rënë nga 10 përqind e popullsisë - në më pak se 2%, duke kaluar nga 1.5 milion në periudhën para luftës, në rreth 300,000 sot. Edhe pse shkalla e heksodit në Irak është më e ulët, bashkësia që numëronte rreth 300,000 të krishterë para pushtimit të DAESH/ISIS, më 2014, në pranverën e 2022 u  përgjysmua”. Studimi tregon gjithashtu se në vende të ndryshme si Egjipti dhe Pakistani, vajzat e krishtera zakonisht u nënshtrohen rrëmbimeve dhe përdhunimeve sistematike, gjithmonë nga myslimanët.

Në Azi

Raporti denoncon: autoritarizmi shtetëror po çon në thellimin e shtypjes mbi të gjitha në Korenë e Veriut, ku feja dhe praktikat fetare përndiqen sistematikisht. Nacionalizmi fetar ka shkaktuar shkallëzimin e dhunës kundër të krishterëve edhe në Indi dhe Sri Lanka. Flitet për episode, kur autoritetet politike dhe ushtarake arrestuan besimtarët dhe ndërprenë kremtimet fetare. Duhet kujtuar edhe se në vende të ndryshme flitet për rritje të presionit kundër të krishterëve, nëpërmjet arrestimeve pa dallim, mbylljes me forcë të kishave dhe përdorimit të sistemeve shtypëse të mbikëqyrjes. Vijon, pra, persekutimi i të krishterëve, që nga koha e mbytjes me gurë të Martirit të parë. E deri kur?

26 dhjetor 2022, 13:20