Kërko

Imzot Rrok Gjonlleshaj Imzot Rrok Gjonlleshaj

Imzot Rrok Gjonlleshaj: për shumë mot Krishtlindjen, me zemër të mirë

Në mesazhin për Krishtlindjen 2022, kryeipeshkvi i Tivarit u bën urimet gjithë besimtarëve, të cilët i fton të shikojnë me besim Foshnjën Hyjnore, mishëruar për shpëtimin e njerëzve. “S’ka më jetë të pavlerë”, galdon imzot Gjonlleshaj, sepse Zoti u bë njeri

R.SH. – Vatikan

“Mishërimi i Birit të Zotit është ngjarja kryesore e krishtërimit”. Kështu shprehet kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj, në mesazhin tij për Krishtlindjen 2022, në të cilin nënvizon se Zoti u bë njeri me nismën e tij, për të mirën e të gjithëve, pasi askush nuk është në gjendje të shpëtojë vetveten, pa ndihmën e të Gjithëpushtetshmit. E duke marrë këtë nismë, Hyji i dha vlerë jetës së çdo njeriu. Që nga Lindja e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit nuk ka më “Jetë të pavlerë, jetë të papërmirësueshme” , sepse, Zoti është me ne, është në mesin tonë përgjithmonë. I Amshuari hyri në histori, hyri në kohën tonë dhe e shenjtëroi. Të dëgjojmë kryeipeshkvin…

Dëgjo kryeipeshkvin e Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj...

imzot Rrok Gjonlleshaj: Krishtlindja 2022

 "Zoti u mishërua në historinë njerëzore, sepse i gëzohet njeriut"(shën Gjon Pali II)

Mishërimi i Birit të Zotit është ngjarja qendrore e krishterimit. Zoti  i vjen njeriut në takim, Ai merr iniciativën, e gjen e përqafon e i dëfton  se e don me dashuri të amshuar.

Prej këtij lajmi të gëzueshëm secili njeri, përkundër vuajtjes, padrejtësisë, diskriminimit e të ngjashme që përjeton, me plot arsye gëzohet e klithë: Është bukur të jesh njeri! Ka vlerë të jesh njeri! Është madhështore, dinjitoze të jesh njeri!     

Krishtlindja është festë shkëmbimi dhuratash: Zoti merr natyrën tonë njerëzore për të na dhuruar natyrën e vet hyjnore. Kjo është arsyeja e gëzimit tonë të krishtenë dhe lajmit të gëzueshëm që nuk mund të mos e shpallim: Zotin – Atë të mëshirëshëm që në Birin e  vet merr ngryk mbarë njerëzimin dhe e pajton me vetveten.

 Ky është hiri: Zoti i dhurohet njeriut krejtësisht duke u bërë i një natyre me të. Fytyra e Zotit që na u zbulua Natën e shenjtë të Krishtlindjes është: Zoti e don njeriun, i flet atij me Fjalën e Amshuar dhe merr në vete gjithçka që është njerëzore.

Krishtlindja na përkujton thellësisht dhe në mënyrë dinjitoze se njeriu nuk është në gjendje ta shpëtojë vetveten ose të bëhet i përkryer me fuqitë e veta, por se shëlbimi vjen nga intervenimi transcendental që zbret në liri të plotë të dashurisë së Zotit ndaj njeriut dhe botës.

Që nga Lindja e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit nuk ka më “Jetë të pavlerë, jetë të papërmirësueshme” , sepse, Zoti është me ne, është në mesin tonë përgjithmonë. I Amshuari hyri në histori, hyri në kohën tonë dhe e shenjtëroi. Ai ia besoi vetveten njeriut, fatin e vet e vuri në duart e njeriut.   

Në këto ditë të Krishtëlidjes uroj që ta njohim Zotin – Njeri në mesin tonë e ta adhurojmë. Ta njohim në të përditëshmen tonë, në të afërmin, sidomos në atë që vuan, në skamnorin, të përbuzurin, të keqtrajtuarin. Në hirin e këtij misteri, çdo njeri ta pranoj njeriun për vëlla, ashtu si na pranoi ne Biri i Zotit. Le të jemi një dhuratë e vërtetë Krishtlindjesh për njëri-tjetrin: për familjet tona, fëmijët, prindërit, qytetin dhe shtetin tonë, dhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, në mënyrë që të mundemi gjithmonë me sinqeritet dhe gëzim të këndojë: "Eni popuj me hare, e shikoni mrekulli...". Ky Princ i paqes le të sjell paqe në çdo zemër njeriu!

Me këto ndjenja falënderimi ndaj Zotit që na pá dhe na shëlboi, t`i bashkangjitemi të gjithë  këngës engjullore:

  “Lavdi Zotit në më të lartin Qiell, e paqe mbi tokë njerëzve vullnet mirë!”

Për shumë mot Krishtëlindja e me zemër të mirë!

24 dhjetor 2022, 10:28