Kërko

Visitazione della Beata Vergine Maria Visitazione della Beata Vergine Maria

Zoja e Papërlyer, shkollë feje, dashurie e shërbimi

Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta përshkuar përsëri rrugën e Betelehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë udhë shpirtërore. Kisha në festën e Zojës së Papërplyer na thotë se duhet ta përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. E kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Të imitojmë edhe ne shembullin e saj.

R.SH. - Vatikan

Në mesin e Kohës shpirtërore liturgjike të Ardhjes, gjatë përgatitjes sonë për Krishtlindje, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë Virgjër të zënë pa mëkat të rrjedhshëm.  Të reflektojmë së bashku mbi rolin e Virgjrës Mari në rrugën e shëlbimit, natën e solemnitetit të festës së Zojës së Papërlyer.

Siç dihet, Festa e Zojës së Papërlyer është ndër festat më të bukura e popullore kushtuar nderimit të Nënës Qiellore, të së Lumes Virgjrës Mari. Në këtë festë të të Zënurit të Pafaj të Virgjrës Mari, besimtarët e krishterë me mirënjohje të veçantë kanë pse t’i këndojnë Zotit për mrekullitë e bëra dhe për dëftimin e planit Hyjnor të shëlbimit për mbarë njerëzimin që Ai na dhuroi në personin e Virgjëres Mari, Zojës së Papërlyer, festën e së cilës Kisha katolike romake e kremton më 8 dhjetor.

Domethënien e kësaj feste e kemi në figurën e Virgjrës Mari, e cila sigurisht është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë, për të ardhur ndër ne. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar me saktësi të plotë e me përpikmëri të jashtëzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky fragment na kujton se Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji. Kështu, Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e rimendon, e rimediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin.

Maria është krijesë e , sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është edhe pika qendrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për t’i thënë edhe ne ‘po’ Zotit. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo tjeter Maria, që është mësuese feje.

Kisha pra, në këtë kohë pritjeje te Ardhjes se Zotit, na ofron shembullin e Marisë si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, si të veprojmë që zemra jonë të jetë e gatshme për të pranuar Zotin që vjen. E Kisha në festën e 8 dhjetorit na thotë se duhet ta përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit, për të mësuar edhe ne si të lëshohemi plotësisht në dorë të Zotit, me fjalët që Maria ia tha Engjëllit të Zotit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash e të bëjë ashtu si të duash”.

Ne pra, duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta përshkuar sipas shembullit të saj, përsëri rrugën e Betelehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë udhë shpirtërore, nëse duam të kremtojmë Lindjen e Krishtit në jetën tonë, nga cila na vjen lumturia e vërtetë, sepse në Krishtlindje ne mund ta gjejmë kuptimin e jetës. Për këtë Zoti vjen.

E për ta përvetësuar këtë mësim të Foshnjës së Betlehemit, Maria është mësuesja më e mirë; derisa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij Hyjnore, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumturi i qoftë Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.

07 dhjetor 2022, 09:46