Kërko

presepe-di-Scurelle-2019-a-San-Pietro.jpg

Ç’bën Borëbardha në Shpellat tona të Betlehemit?

Në djepin e Krishtlindjes, nganjëherë, në vend të Jezusit gjejmë shumë gjëra të kota, shenjë e konsumizmit. Disa teologë përpiqen të na shpjegojnë mënyrën për të mos u ndalur vetëm në dënimin e kësaj praktike

R.SH. – Vatikan

 Philoxenia, pra, mikpritje: kjo është fjala më e përshtatshme për ikonografinë e Trinisë Shenjte të Andrej Rublëvit, një nga kryeveprat e artit të të gjitha kohërave. Duke marrë shkas nga mikpritja, me të cilën Abrahami pret tri burrat-engjëj, siç rrëfehet në kapitullin XVIII të Librit të Zanafillës, piktori rus përfaqëson Zotin njëni e trini të të krishterëve në një qëndrim jo vetëm transhendent, por të gatshëm për të përqafuar mbarë njerëzimin. Është Zoti, që bëhet atë i dashur deri në fund e që, përmes mishërimit të Birit, ndikon në ngjarjet e njeriut, bëhet i afërt dhe mik me të.

Trinia Shenjte e Andrej Rublëvit
Trinia Shenjte e Andrej Rublëvit

Krishtlindja, festë konsumi?

Kjo është një nga imazhet më të përshtatshme për të përshkruar Krishtlindjen e sotme sipas teologut gjerman Gisbert Greshake, siç shkruan ai në librin “Zbriti nga qielli”, i sapopublikuar nga Queriniana (110 faqe, 12,00 €). Nëse është e vërtetë që Krishtlindja po e humb gjithnjë e më shumë kuptimin e saj fetar, për t'u reduktuar shpesh në një festë konsumizmi, është e vërtetë edhe se duhet bërë më shumë për të rizbuluar kuptimin e vërtetë të kësaj feste, "të afrimit të Zotit me botën". Jo më një Zot indiferent a i largët, por një Zot, që përkulet dhe bëhet aq i vogël, sa pranon krejtësisht gjendjen e njeriut, përfshirë edhe vdekjen.

Zoti zbret në tokë e hap derën e ringjalljes. Siç na ndodh nganjëherë të gjithëve, Greshake shpreh bezdi për ritualet që i paraprijnë festës, të cilat fillojnë gjithnjë e më përpara. Muzikë pa fund në dyqane dhe tregje, përzier me zhurmën e altoparlantëve elektronikë e me blerjen e dhuratave, si ta kishim me detyrim. Nëpër betlehemet e shesheve e të shtëpive, duken Kësulëkuqja ose Borëbardha e, madje, edhe Hansel e Gretel. E Santa Claus zëvendëson Foshnjën Hyjnore. E kështu, çuditërisht, Krishtlindja festohet me pohe e bujë edhe në vende larg krishtërimit, si ato arabe, ose Kina, ku ka vetëm një pakicë të krishterë, që natyrisht, e kremtojnë në bashkësinë e tyre. Krishtlindja shihet si jo më shumë se festa e dashurisë apo e familjes.

Në shkollën e Shën Injacit të Lojolës

Për teologun friburgez duhet të mësojmë nga Shën Injaci i Lojolës, sipas të cilit, për ta kuptuar Krishtlindjen, duhet të kuptojmë më parë si ecën bota. Është hapi i parë i ungjillëzimit. Shën Injaci shkruan se “duhet t’i shohim njerëzit, ata që, në faqe të tokës, paraqiten tejet të larmishëm, si në mënyrën e të qenit, ashtu edhe në atë të sjelljes: disa të bardhë, disa zeshkanë; disa në paqe, të tjerë në luftë; disa që qajnë, të tjerë që qeshin; disa me shëndet, të tjerë me sëmundje; disa lindin e disa vdesin…”. Pra, është e mundur ta kuptojmë mishërimin e Zotit vetëm nëse jemi të aftë ta shohim botën në mënyrë realiste, me kontradiktat, ndryshimet dhe ndarjet. Siç bëri Jezu Krishti. Kështu, mund ta interpretojmë drejt Krishtlindjen, duke ndërmarrë edhe ne udhën e kokëuljes e duke vepruar në favor të të fundmëve e të paqes.

[ Photo Embed: Santa Claus]

Nevoja njerëzore themelore

Thirrje, që vjen edhe nga një vëllim tjetër kushtuar Krishtlindjes, titulluar “A ka paqe mbi tokë? Krishtlindja si provokim” (172 faqe, 21 euro), shkruar nga një teolog tjetër gjerman, Eberhart Schockenhoff. Edhe ai vëren se festa është kthyer në tregti, por është e kotë të ankohemi: “Dëshirat, gjendjet shpirtërore dhe shpresat nxjerrin në pah nevoja njerëzore themelore, që nuk e humbasin ligjshmërinë e tyre thjesht për faktin se janë shkëputur nga bindjet e krishtera, ose janë të lidhura vagëllimthi me to. Megjithatë, ka kuptim të pyesim pse njerëzit që nuk i ndjekin më interpretimet fetare të jetës e, në rastin më të mirë, e konsiderojnë veten të shkëputur nga Kisha, mezi presin të festojnë Krishtlindjen. Çfarë u mungon kur nuk është Krishtlindje?” Ky fakt duhet t’i bëjë të mendojnë të krishterët.

Krishtilindja mund të jetë vërtet festa e paqes

Lindja e Krishtit në një grazhd nuk është vetëm një kapitull teologjie politike, që përmbys logjikën e Perandorisë Romake, por provokim, i cili, që nga ajo kohë, e nxit botën të përdorë si gur këndi për të krijuar marrëdhënie ndërmjet popujve, paqen e jo pushtetin, mëshirën e jo imponimin. Mishërimi i Zotit, zbulimi i gjithëpushtetit të Tij, bëhet njëkohësisht me përdorimin e mantelit të mëshirës, me të cilin Ai i Lumi deshi ta mbështjellë botën. Jo rastësisht, kujton autori, Athanasi i Aleksandrisë, një nga katër Etërit e Kishës që quhen “të Mëdhenj”, e ka krahasuar Birin e Zotit të mishëruar me një restaurator, i cili, me kujdes, heq njollat dhe pluhurin nga njeriu, që në të të shkëlqejë sërish imazhi i pastër i Zotit, që ai e ka mjegulluar e ndotur. Krishtilindja mund të jetë vërtet festa e paqes, pavarësisht nga konsumizmi, vëren Schockenhoff, sepse sot, më tepër se kurrë, “dëshira që të mbretërojë paqja, që njerëzit dhe popujt të gjejnë mënyrën për t’u afruar e që luftërat të përfundojnë, lidh shumicën e formave shprehëse të kësaj kulture postmoderne të kremtimeve të Krishtlindjes me kuptimin fetar të festës së Lindjes së Jezusit”.

26 dhjetor 2022, 17:39