Dëshmia e Át Jallouf nga Siria: “Luftë dhe vuajtje, por Zoti nuk na ka tradhtuar kurrë”
R.SH. – Vatikan
Është dëshmi e heshtur e Ungjillit, ajo e të krishterëve të tre fshatrave Knaye, Yocoubieh dhe Gidaideh, në luginën Orontes, 43 kilometra larg Antiokisë, në Guvernatoratin e Idlibit, në duart e xhihadistëve të Hajat Tahrir al-Sham. Dymbëdhjetë vite më parë ishin 10.000, sot janë vetëm 600, pak më shumë se 200 familje. Këtu, Át Hanna Jallouf ka mbetur i vetmi rregulltar, që sjell ngushëllim shpirtëror, material dhe mjekësor, së bashku me një sivëlla françeskan. “Ikën të gjithë”, tregon ai në mikrofonin e Radio Vatikanit - Vatican News. “Jemi në luftë që prej 12 vitesh, nën pushtetin e xhihadistëve dhe, larg nga qeveria, nuk kemi burime ekonomike apo forcë për t’u mbrojtur”.
Rrëmbimi në vitin 2014
Në sytë e Át Jallouf shihen vuajtjet e popullit sirian, frika për një të ardhme të errët, por edhe drita e shpresës së sigurt, bazuar në Krishtin. “Zoti ka qenë gjithmonë me ne, nuk na ka tradhtuar kurrë. As kur më rrëmbyen”, pohon ai, duke kujtuar sekuestrimin e vitit 2014. “Donin të më detyronin ta ndryshoja fenë, por Zoti më dha forcë dhe guxim për të dëshmuar besimin e krishterë”.
Ta jetosh fenë me kufizime
Pa para, pa mbrojtje, të krishterët e këtyre trojeve e kanë të kushtëzuar jetën e përditshme. “Dëshmia jonë është jeta, njerëzit me të cilët jetojmë e dinë mirë se jemi të vërtetë, të sinqertë, sillemi mirë. Ecim përpara, por ka shumë vështirësi”. Për shembull, shpjegon frati, “detyrohemi ta jetojmë dhe ta dëshmojmë fenë vetëm brenda kishave. Jashtë, të gjitha simbolet tona fetare janë ndaluar: nuk mund t’u biem këmbanave, nuk mund të veshim zhgunin françeskan, gratë duhet të mbulohen. Kuadri është tejet i vështirë”.
“Por, pavarësisht nga këto kufizime”, vazhdon me buzëqeshje Át Jallouf, “feja shtohet. Sa më shumë na ngushtojnë, aq më shumë zgjerohemi. Edhe këtë Krishtlindje kemi mundësi t’i kremtojmë meshët, nëntëditëshet ose të ndërtojmë Shpellën e Betlehemit brenda në kishë, por jashtë, ose nëpër shtëpi, është e ndaluar, madje, s’mund të vendosim as Pemën e Krishtlindjes”.
Krishtlindja
Françeskani shpreson se shpejt do të vijë paqja për ta jetuar plotësisht e me vërtetësi Krishtlindjen. Në përforcim të kësaj ndjenje, erdhi si dhuratë e papritur takimi i ditëve të fundit me Papën Françesku, me rastin e dorëzimit të çmimit “Lulja e Mirënjohjes”, promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë si simbol i dashurisë, që e mban botën në këmbë dhe si homazh për Nënë Terezën, shenjten shqiptare të bamirësisë. “Kjo mirënjohje është gëzim pas kaq shumë vuajtjesh për popullin dhe njerëzit e mi. Marrja e Lules hapi një spirale shprese dhe gëzimi për mua dhe për popullin. Kur më thirri kardinali Mario Zenari, nunci ynë, më tha: ‘Ati i Shenjtë dëshiron të të japë një çmim’. Unë iu përgjigja: ‘Nuk jam i denjë’. ‘Eja dhe shiko’, më tha. Pastaj, mendova: të bëjmë si Shën Pali kur hyri në Damask dhe i thanë ‘Hy e atje do të dish se çfarë duhet të bësh’. U deshën tri ditë e tre netë vetëm për të arritur deri në Haleb”.
Inkurajimi i Papës
Françeskani pati rastin të fliste edhe personalisht me Papën: “Më shprehu afërsinë e tij me njerëzit tanë, së bashku me dëshirën që kjo luftë të përfundojë dhe të arrihet paqja e vërtetë dhe e sigurt, drejtësia dhe lehtësimi për popullin tonë”.