Ukrainë, nunci: kemi nevoja të mëdha, Papa është një nga pikat e pakta të referimit
R.SH. – Vatikan
Është "çmenduria" e denoncuar shpesh nga Papa Françesku, treguar nga ata që e jetojnë dhe nuk duan të largohen, sepse përfaqësojnë Atin e Shenjtë e Vatikanin aty, ku të tjerët kanë parapëlqyer brigje më të sigurta. Imzot Visvaldas Kulbokas, i cili u bë nunc apostolik në Ukrainë vetëm tetë muaj para se të shpërthente lufta, rrëfen për mediat e Vatikanit realitetin e një kombi të nëpërkëmbur, por me dëshirën për të rezistuar përtej çdo force njerëzore, duke u bërë zëri i grave dhe i nënave, që nuk kanë më lajme për të dashurit e tyre dhe duke falënderuar Atin e Shenjtë, pasi është një nga “pikat e pakta të referimit”, që jep shpresë. Në këtë intervistë, e pyetëm fillimisht, si u prit thirrja e fundit e Papës për fundin e luftës e të tregtisë së armëve, gjatë udhëtimit të kthimit nga Bahreini. Ja përgjigjja e imzot Kulbokas…
Më duket shumë e rëndësishme të nënvizohet synimi kryesor i Atit të Shenjtë. Aspekti i parë i tij është: cilit dëgjues, cilit auditor i drejtohet Papa? Është e qartë se u drejtohet të gjithëve, por ai përmendi Dostojevskin për shembull, përmendi kulturën ruse, prandaj, me zemër, u përpoq t'i drejtohej sidomos publikut rus. Aspekti i dytë, që më duket shumë domethënës, ka të bëjë me faktin se Ati i Shenjtë është zë krejtësisht i pavarur, prandaj, përpiqet të përdorë fjalë, me të cilat tregon të njëjtën dashuri për të gjithë - ai e përsëriti fjalën dashuri, shumë respekt, shumë vlerësim, shumë dashuri - dhe me këtë thotë: jam krejtësisht kundër luftës, sepse jam i pavarur. Aspekti i tretë, që dua të theksoj: Ati i Shenjtë foli jo vetëm si kreu i Kishës Katolike, por foli për paqen si njeri, që beson në botën e përtejme. Papa, si njeri, u flet të gjithë atyre, që besojnë në jetën e përtejme, qofshin të krishterë, qofshin myslimanë, hinduistë apo budistë, sepse në botën e përtejme do të takohemi të gjithë, prandaj, nëse dikush shkakton luftë, ajo kthehet në dënim: unë të dënoj, të marr jetën e luftërat moderne vënë në rrezik jetën e 8 miliard njerëzve. Kur t’i takojmë këto viktima në jetën e amshuar, do të na pyesin: pse më dënove kështu, si ka mundësi që e vure veten në vend të Zotit? Do të thosha se misioni i Kishës, i të gjithë besimtarëve, është t'i shoqërojnë këto fjalë të Atit të Shenjtë me lutje, që fjala të mos mbetet boshe, por të japë fryte.
Në takimin e këtyre ditëve në Vatikan, kreu i Kishës greko-katolike të Ukrainës, Sviatoslav Shevchuk, i tregoi Papës për sakrificat e ipeshkvijve, meshtarëve e besimtarëve, gjatë këtyre muajve të luftës. Tha se çdo katedrale është kthyer në strehë. A mund të na jepni hollësi të tjera?
I kam parë me sytë e mi sa kisha janë kthyer në depo për shpërndarjen e ndihmave humanitare, të cilat mbërrijnë pjesërisht drejtpërdrejt nga Ati i Shenjtë e një pjesë e madhe edhe nga organizata bamirëse katolike e jo katolike. Pa përmendur pastaj, kishat e ndryshme, të cilat, me strehimet e tyre të nëndheshme, janë vënë në dispozicion të banorëve. Shumë famulli e dinë se ka vende, ndoshta larg qyteteve të mëdha, ku mungon drita e buka e përditshme, nganjëherë, edhe uji. Prandaj, kemi kuzhina të lëvizshme, që na i jep shteti, por kemi edhe shumë grupe vullnetarësh, që i vënë në funksionim. Do të ishte ndihmë e madhe nëse vendet e tjera do të merrnin fëmijët për t’i larguar nga kjo gjendje, sepse shpesh, prindërit nuk mund të dalin jashtë Ukrainës. Pastaj, kemi nevoja të tjera, si ndonjë makinë, për shembull, sepse shumë qendra bamirëse çojnë ujë dhe ushqime në zonat më të prekura nga lufta, ku nuk kanë mundësi të prodhojnë bukën e as ta blejnë atë. E nevojitet edhe karburant, pra, mungojnë gjërat më themelore si buka, uji, drita e ngrohja. Në Kiev për shembull, kemi problemin e energjisë elektrike, e cila duhet për çdo gjë: për ngrohje, për prodhimin e ushqimeve, për shërbimet higjienike. Nëse rëndohet gjendja, autoritetet flasin për evakuimin e përgjithshëm të popullsisë. Duhet të jemi gati për çdo rast.
Gjatë gjithë këtyre muajve të luftës, Papa Françesku e ka ngritur vazhdimisht zërin në favor të popullit ukrainas. A ndihet ky solidaritet nga ana e njerëzve?
Zëri i Papës Françesku, natyrisht, dëgjohet, sepse është zë i qartë afërsie, por dua të nënvizoj atë, që më thonë sidomos nënat dhe gratë e të burgosurve. Thonë: i jemi mirënjohëse për këtë vëmendje solidare. Thonë: kemi pak pika referimi e ndër to, është Papa Françesku, të cilit mund t’ia besojmë kërkesat tona për lirimin e njerëzve, që kapen e burgosen në kushte gjithfarëlloji. Prandaj, afërsia e Papës na prek me të vërtetë.