Kërko

UKRAINE-CRISIS/KYIV-BLASTS UKRAINE-CRISIS/KYIV-BLASTS

Ukraina në errësirë. Ipeshkvi Yazlovetskiy: jemi nën zero, na ndihmoni

Pas sulmeve masive ruse në pjesë të ndryshme të vendit, sistemi elektrik në Ukrainë është dëmtuar rëndë: qytete të tëra janë në errësirë dhe pa ngrohje. Ipeshkvi ndihmës i dioqezës Kyiv-Zhytomyr, Imzot Oleksandr Yazlovetskiy: "na ndihmoni me lutje dhe bamirësi: kemi nevojë për gjeneratorë të energjisë"

R.SH. - Vatikan

Ukraina rrezikon një blackout total dhe në muajt e ardhshëm po përgatitet të përjetojë dimrin më të vështirë në historinë e fundit. Pas gjuajtjes së njëkohshme, sot, të rreth 70 raketave cruise nga Rusia në disa zona të Ukrainës së torturuar, mungon energjia elektrike e madje është ndërprerë furnizimi me ujë në kryeqytetin Kiev, ku janë regjistruar tre të vdekur e tre të plagosur.

Infrastruktura energjetike e prekur

Sulmet duket se konfirmojnë synimin e Rusisë për të shkatërruar shumë infrastruktura të rëndësishme të energjisë në Ukrainë. Tre centrale bërthamore janë “shkëputur” nga rrjeti elektrik i vendit. Edhe furnizimi i centrales bërthamore të Zaporizhzhisë ku janë në funksion gjeneratorët me naftë është ndërprerë gjithashtu nga sistemi energjetik. “Blackout masiv” është regjistruar edhe në disa zona të Moldavisë, përfshirë kryeqytetin Kishinau.

Pak para aksionit të forcave ajrore të Moskës, Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që e përcakton Rusinë si sponsor të terrorizmit. Nuk u vonua reagimi i kreut të zyrës presidenciale ukrainase Andriy Yermak, i cili i lidhi dy faktet, duke komentuar: “Terroristët konfirmojnë menjëherë se janë terroristë”. I ashpër komenti nga pala ruse me zëdhënësen e ministrisë së jashtme Maria Zakharova e cila tha: “Unë propozoj ta njohë Parlamentin Evropian si sponsor të idiotizmit”.

Të ftohtë dhe të errët

Ndërkohë, popullsia ukrainase është në errësirë dhe duhet të përballet me të ftohtin, pasi bora ka rënë tashmë në pjesën më të madhe të vendit. “Drita është fikur në të gjitha qytetet e mëdha të Ukrainës. Popullsia - shpjegon ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Kyiv-Zhytomyr, Imzot Oleksandr Yazlovetskiy - është paralajmëruar se do të mbetët pa dritë për 24 orë. Në momentet e para mora shumë mesazhe dhe foto që dokumentonin shpërthimet. Pas asaj heshtjeje”.

Pa internet

Në fakt, sinjali i internetit është fikur, nuk ka rrjet dhe pamundësia për të komunikuar e shton më tej frikën tek njerëzit që janë tejet të sprovuar prej muajsh nga lufta, të cilët kërkojnë një vend ku të fshihen. Sirenat bien në të gjithë vendin, sepse bombardimet ruse kanë prekur të gjithë territorin kombëtar. Dhe “gjithçka është bllokuar: metro, autobus, mjetet e transporti. Kush beson në Zotin, të lutet”, vazhdon Imzot Yazlovetskiy.

Ne kemi nevojë për gjeneratorë

“Jemi nën zero. Deri më tani - vazhdon prelati - energjia elektrike ishte e racionuar, ndërpritej për 4-5 orë në ditë në disa zona të qytetit dhe kjo nënkupton vuajtjen e shumë njerëzve nga të ftohtit, por kur energjia elektrike rikthehet, ekziston mundësia për t'u ngrohur sërish. Tani kemi të ftohtë gjithë ditën: imagjinoni situatën e familjeve me fëmijë të vegjël apo të moshuar”. Shteti dhe Kisha po përpiqen të përballojnë emergjencën. “Ne si Kishë po mundohemi të blejmë gjeneratorë, por nuk ka më në Ukrainë, i kemi boshatisur dyqanet. Edhe në Poloni nuk është e lehtë t'i gjesh: po kërkojmë kudo sepse vetëm me gjeneratorë mund të kesh sado pak nxehtësi, pak dritë. Në qytetet e mëdha, qeveria jonë ka organizuar disa pika ngrohjeje ku njerëzit mund të gjejnë pak dritë, një lidhje interneti dhe mbi të gjitha të ngrohen pak”.

Kisha, një pikë referimi

Kisha është pikë referimi me dy Caritaset që janë të lidhura përkatësisht me Kishën romako-katolike dhe atë greko-katolike: “bëjnë shumë, shpërndajnë ushqime, batanije; shpërndajnë kupona për familjet në mënyrë që njerëzit të mund të blejnë ndonjë gjë në dyqane. Çdo famulli kishtare - shton ipeshkvi ndihmës i Kyiv-Zhytomyr - është bërë një Caritas i vogël ". Nga prelati vjen një thirrje e fortë për t'iu lutur Zotit: "Të lutemi së bashku për Ukrainën. Lutja nuk duhet të mungojë, të mos lodhemi së luturi: të marrim Rruzaren ose të lutemi me fjalët tona. Na ndihmoni me lutje dhe, nëse mundeni, duke blerë një gjenerator për njerëzit tanë ose ndoshta duke pritur ndonjë familje. Do t'i kujtojmë të mirat që marrim”.

24 nëntor 2022, 12:28