Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 33-të të vitit kishtar 'C': “asnjë fije floku s’do t’ju bjerë”
R.SH. - Vatikan
Sytë e Jezu Krishtit shohin përtej atyre të dishepujve, duke përvijuar në horizont shkatërrimin e Jeruzalemit, kataklizmat natyrore, shenjat e qiellit, persekutimet e Kishës e ardhjen e profetëve të rremë. Bota e vjetër shembet nga mëkati, por përgatiten qiej të rinj e toka të reja. Kjo është shpresa, që jep Ungjilli i së dielës së 33-të të vitit kishtar 'C', marrë nga shën Luka (21,5-19). Ta ndjekim…
Në atë kohë, kur disa po flisnin për tempullin sesi është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha: “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni, nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.” E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”
“Ruajuni – u përgjigj – të mos t’ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.” Atëherë u tha: “Do të ngritët një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrigueshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.
Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj. Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj!”
Të lutemi së bashku
Ti o Jezus, nuk do që dishepujt e tu
t’i kapë frika as
nga pështjellimi më i vogël.
Historia jonë, që përshkohet
nga ngjarje dramatike,
nga shndërrime epokale, është në duart e Zotit.
Gjithçka, që shihet me terror:
tërmeti, zia e bukës e murtaja;
gjithçka shkakton shqetësim:
kundërshtitë, persekutimet, abuzimet,
nuk duhet të na hedhin
në shkurajim e në dëshpërim.
Pikat e referimit
të ekonomisë sonë,
të jetës politike,
të përvojës sonë shoqërore
mund të shemben nën goditjen
e ngjarjeve të paparashikuara,
por Ti, O Jezus, mbetesh shkëmbi i fortë i shpresës sonë.
Asgjë e askush nuk mund të na ndajë kurrë
nga Ti, nga dashuria jote.
Fundi i botës nuk përkon
me fundin e kësaj apo të asaj bote,
që e kemi ndërtuar gjatë historisë
e ku kemi gjetur
një strehë a një banesë të rehatshme…
Ti na paralajmëron të mos bëjmë kot alarm,
të mos ndjekim profetë fatkeqësish
dhe parrulla pa kuptim,
por na kërkon të shpresojmë e të kemi besim në Ty.