Në Ugandë lumnohet atë Ambrosoli, mjek i shpirtit
R. SH. - Vatikan
Mjeku Atë Giuseppe Ambrosoli, misionar në Ugandë për 31 vjet, që nga viti 1956, është i Lum. Në solemnitetin e Krishtit Mbret, ceremonia e lumnimit u mbajt në Kalongo, afër Gulut, në vendin ku Mjeku i lum vdiq më 27 mars 1987, duke lënë pas një spital, qendër shëndetësore dhe qendër pritjeje. I Lumi lindi në Ronago, në provincën e Komos, ku sot pasdite Kardinali Oscar Cantoni do të kremtojë një meshë falënderimi. Ndërsa lumnimi u kremtua mëngjesin e sotëm, në Kalongo, nga nunci apostolik në Ugandë, Imzot Luigi Bianco. Predikimin e bëri anglisht, por mund të dëgjohet edhe në përkthimin italisht e, nga ne, të lexohet edhe në shqip:
Lexojeni përkthimin e predikimit të Imzot Luigi Bianco:
Imzot Luigi Bianco, pasi theksoi vlerën e plotë të dëshmisë së At Ambrosolit, shpjegoi se Atë Giuseppe, tani i Lum, pasi kishte përqafuar meshtarinë si mjek, e shkriu gjithë vetveten duke shëruar plagët e trupit dhe të shpirtit. E këtë e bëri duke shërbyer në Afrikë.
Misionari është urë, që lidh kishat me popujt
Duke iu përgjigjur thirrjes misionare, dha fryte të rëndësishme për vëllazërimin e popujve – tha Imzot Bianco – që vuri më tej në dukje se luajti edhe rolin e urës ndërmjet kishës që e dërgoi dhe kishës që e mirëpriti. Një lloj vëllazërimi ndërmjet Ronagos, në provincën e Komos, dhe Kalongos, pranë Gulut, por edhe ndërmjet dy popujve. Ndaj imzot Bianco e quajti “i Lumi italian dhe ugandian”.
Në solemnitetin e Krishtit Mbret
Duke kujtuar solemnitetin e sotëm të Krishtit Mbret, Imzot Bianco u ndalua tek kuptimi i mbretërimit të Krishtit, i cili nuk e dha jetën për të kërkuar pushtet, por për të dhuruar dashuri. Mbretëria e tij - theksoi - është e ndryshme nga ajo e botës, sepse Perëndia nuk mbretëron për të siguruar pushtetin e tij, as për të shtypur të tjerët; ai nuk mbretëron me ushtri dhe me forcë. Kur thotë “Unë jam mbret”, flet për Mbretërinë e dashurisë. Jezusi shpjegon se ai është "mbreti" i mbretërisë së atyre që japin jetën për shpëtimin e të tjerëve. E gjithë kjo - tha imzot Bianco - frymëzoi zgjedhjen e At Giuseppe Ambrosolit, i cili i vuri njohuritë e tij mjekësore në shërbim të një zone, që në atë kohë ishte veçanërisht e varfër, pa lënë pas dore asnjë njeri. Kjo do të thotë - shpjegoi - se ai kujdesej për sëmundjet, për dhimbjet e trupit, por edhe për plagët e shpirtit, që shpesh dhëmbin më shumë se çdo plagë tjetër!