Kërko

Festa e Shën Jozafatit në  bazilikën e Vatikanit Festa e Shën Jozafatit në bazilikën e Vatikanit 

Lutja e ukrainasve mbi varrin e Shën Jozafatit, në Bazilikën e Vatikanit

Bashkësia ukrainase e Romës, së bashku me besimtarë të kombësive të tjera, u mblodh rreth altarit të Shën Bazilit, ku prehen reliket ipeshkvit dhe martirit shenjt. Fortlumturia e tij Shevckuk: “Këtu duam të jemi zëri i popullit të torturuar ukrainas, të cilin dëshirojmë ta çojmë në të gjithë botën e krishterë”.

R. SH. - Vatikan

 “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet” (Gjn 10, 11-18) –mbi këto fjalë të Jezusit, shkëputur nga leximi i ditës, u përqendrua homelia e Fortlumturisë së Tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike, gjatë Liturgjisë Hyjnore të djeshme, 12 Nëntor, festa e Shën Jozafatit, ipeshkëv e martir.

Kremtimi në Shën Pjetër

Si çdo vit, bashkësia ukrainase e Romës, së bashku me besimtarë të kombësive të tjera, u mblodh në Bazilikën e Shën Pjetrit rreth altarit të Shën Bazilit, nën të cilin pushojnë reliket e Shën Jozafatit që nga koha e Koncilit II të Vatikanit. Pranë imzotit Shevchuk ishin gjashtë kryeipeshkvij dhe ipeshkvij si dhe mbi pesëdhjetë priftërinj nga kisha të ndryshme katolike, shumë prej të cilëve morën pjesë në Asamblenë e Eprorëve të mëdhenj të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, që u mbajt në Romë nga 9 deri më 12 nëntor. Veçanërisht domethënëse, pjesëmarrja e Imzot Gintaras Grušas, kryetar i Këshillit të Konferencave të Ipeshkvijve Evropianë, kryeipeshkëv i Vilniusit, ku Shën Jozafati filloi jetën e tij murgare.

Zëri i popullit ukrainas

“Në një çast të veçantë të historisë së Kishës sonë dhe të Ukrainës, plot dhimbje, gjak, mundime dhe vuajtje, u mblodhëm këtu, në zemrën e krishterimit, te varri i Shën Pjetrit Apostull. Martiri ynë i shenjtë Jozafat na thirri këtu - tha Kryeipeshkvi i Madh Sviatoslav Shevchuk - Këtu duam të jemi zëri i popullit të torturuar ukrainas - shtoi - dhe ta çojmë atë në të gjithë botën e krishterë”. Imzot Shevchuk komentoi më pas fragmentin ungjillor të ditës, në të cilin Jezusi quhet “Bariu i Mirë”: “Duket - theksoi - se sot vetë Zoti po na thotë: Unë jam bariu juaj, jam me ju. Ju jeni delet e mia, mos kini frikë, edhe nëse nuk ju kuptojnë, nuk duan t’ju dëgjojnë, shikojnë larg dhimbjes suaj, unë jam me ju dhe nuk do t'ju mungojë asgjë. E barinjtë e mirë ndjekin shembullin e Krishtit”.

Ukraina, nunci: ne kemi nevoja të jashtëzakonshme, Papa është një nga mbështetjet e pakta

Duke komentuar fjalët e Krishtit, sipas të cilave bariu i mirë jep jetën për delet e veta, Kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës theksoi se besnikëria ndaj këtyre fjalëve u dëshmua nga ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe eprorët e bashkësive fetare të cilët, në rajone të Ukrainës së pushtuar nga ushtria ruse, u ndodhën në udhëkryq: të iknin si “mercenarë”, ose të qëndronin me delet e tyre “si barinj të mirë”. “Sot - kujtoi - do të dëshiroja që të gjithë të falënderojmë Zotin për Kishën tonë, që ka barinj të mirë, të cilët ndjekin shembullin e Shëlbuesit, Jezu Krishtit”- tha tejet i prekur në shpirt imzot Shevchuk, duke ndarë me ipeshkvin Mykhaylo Bubniy, ekzark i Odesës, gëzimin e çlirimit të një pjese të territoreve të pushtuara më parë nga ushtria ruse, në bregun e djathtë të lumit Dnipro.

13 nëntor 2022, 11:15